Gjilan

Gjykata Themelore e Gjilanit ka bashkëpunim të mirë me Njësinë e Transportit të Burgosurve

Gjilan – 27.01.2020 – Kryetari i Gjykatës Themelore Gjilan, Ramiz Azizi gjatë ditës së hënë ka pritur në një takim Pamela Wallace, nga ICITAP –i, projekt i Ambasadës Amerikane, njëherët këshilltare e Drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Mentor Avdyli – Udhëheqës i Njësisë për Përcjelljen të Burgosurve dhe Bujar Qadraku – Mbikëqyrës i Njësisë.

Kryetari Azizi ka vlerësuar jashtëzakonisht të kënaqshëm bashkëpunimin mes Gjykatës dhe Njësisë së Transporti, për transportimin e të burgosurve, që sipas tij deri më tani nuk është hasur në ndonjë problem.

Për këtë ai ka falënderuar udhëheqësit e kësaj njësie, gjithashtu edhe këshilltaren ICITAP – it për ndihmën e dhënë në këtë drejtim.

Ndërkohë, Udhëheqësi i Njësisë, Mentor Avdyli ka folur për bashkëpunimin jashtëzakonisht të mirë që mbretëron, duke mos përmendur ndonjë problem eventual, ndërsa kërkesë e tij për të gjitha gjykatat, ka qenë që kur të paraburgosurit të kenë ndonjë rast vdekje, ato leje të i lëshohen nga gjykata vetëm për rastet e ngushta të familjes dhe jo për persona të tjerë, gjithashtu ka kërkuar që stafi korrektues të jetë sa më afër të paraburgosurve në seancat e gjykimit përhirë të sigurisë së gjyqtarëve, prokurorëve dhe palëve prezent.

Ndryshe, aktualisht në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, janë 185 të burgosur, ndërsa kapaciteti është për 300 persona, mysafirët si problem kanë përmendur mungesën e stafit administrativ në këtë qendër.

You Might Also Like