OPINION

HASAN BUNJAKU – NJERI I NDERSHMËRISË DHE PROFESIONALIZMIT TË DALLUAR

Prof. dr. Faik Shkodra
HASAN BUNJAKU – NJERI I NDERSHMËRISË DHE PROFESIONALIZMIT TË DALLUAR
Të çmuar miq, kolegë, dashamirë të Hasan Bunjakut,
Të nderuar të pranishëm në ceremoninë e varrimit të të dashurit tonë dhe njëkohësisht tuajin,
Sot po ndahemi nga bashkëvendësi ynë i çmuar dhe i dashur, Hasan Bunjaku. Sot po ndahemi nga intelektuali, arsimdashësi, gazetari, kulturologu dhe njeriu që gjatë gjithë jetës dëshmoi vlera dhe edukatë të lartë.
Hasan Bunjakun e karakterizojnë një shumësi vlerash, tiparesh e virtytesh të larta, të cilat e bëjnë njeri dhe intelektual të përmasave të larta, e bëjnë njeri që më së miri diti ta manifestojë dashurinë e pashuar për vendlindjen – Desivojcën, për të cilën shkroi me zjarrin më të veçantë shpirtëror.
Dashuria e respekti që tregoi për njeriun, për arsimin, për kulturën, për traditën, për historinë e dhimbshme të popullit shqiptar do të mbeten përherë vlera e testamente që nuk do të harrohen nga brezat e sotëm e të nesërm. Këto tipare e virtyte do të mbeten, si të themi, virtytet më të pashlyeshme të dashurisë e ndërgjegjes që Hasani pati si njeri i dijes, të cilën e dëshmoi përmes një urtësie, maturie e kujdesi shumë të veçantë.
Vdekja e tij na pikëlloi të gjithëve dhe na shkaktoi dhimbje, por thuhet se aty ku ka dhimbje ka edhe krenari. Krenari ishte mirësjellja, puna, djersa dhe kontributi që arriti ta japë në shumë fusha duke krijuar kështu një autoritet të çmueshëm te të gjithë kolegët, miqtë e njerëzit e të gjitha moshave e gjinive.
Prandaj, themi me plot krenari se Hasan Bunjaku do të mbetet i gjallë dhe i paharruar në kujtesën e të gjithë atyre që e njohën dhe i njohu. U muar vesh, me vdekjen e Hasanit jemi më të varfër për një intelektual, për një kulturolog, për një mendje të ndritur, për një penë të mprehtë, do të jemi të pamjaftueshëm për t’u kacafytur me problemet e sfidat e kohës sepse pa idetë e këshillat e tij do të mbetemi të pafuqishëm.
Kuptohet, duke ruajtur respektin e mirënjohjes e të kujtimit për intelektualin e njeriun tonë të kulturës në përmasa shumë të mëdha, ne të gjallët do të dëshmojmë mallin e dashurinë e madhe e fisnike që do të mbetet një borxh i ndërgjegjes sonë për të dhe ndihmesën e tij përherë të madhe e të vlefshme që paraqesin vlerat e respektin për jetën, për veprimtarinë e bujshme dhe për idealet e atdhedashurisë së tij. Tani, në këto çaste kur po ndahemi nga Hasan Bunjaku vetëm fizikisht, do ta ndiejmë gjithnjë e më shumë mungesën e tij, mospraninë e tij si vlerë e si njeri me tipare të larta njerëzore.
Por, është e vërtetë se Hasan Bunjaku do të mbetet si vlerë e patretshme në fushën e kulturës, të gazetarisë, të arsimit e të traditës, do të mbetet model i njeriut me qëndrime parimore përballë sfidave, problemeve e vështirësive që i sjell koha, do të mbeten vlera të çmueshme shkrimet shkencore e publicistike, sidomos vepra e tij “Një gjakim i pafat”, do të mbeten vargjet poetike të poezisë së tij dhe sidomos do të mbeten kujtimet më të mira nga jeta e puna e tij mbi 50-vjeçare.
Për të gjitha sukseset e kontributet që i dëshmoi në fusha të shumta gjatë jetës, lavdi i qoftë përjetë e mot Hasan Bunjakut ndërsa vepra, emri dhe puna e tij qoftë gjithmonshëm të paharruar!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për bashkëvendësin tim, Hasan Bunjaku!
Gjilan,
23 mars 2024

You Might Also Like