Shkruan: Refik Hasani
Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura më 25 tetor 2026, skena politike në Serbi përballet me sfida të shumanshme politike, institucionale dhe diplomatike. Ndër çështjet më të rëndësishme mbetet orientimi i politikës së jashtme të vendit, veçanërisht vazhdimësia e dialogut dhe procesit të integrimit evropian, si dhe ruajtja e marrëdhënieve me Federatën Ruse. Në këtë kontekst, një sfidë e veçantë përbën politika e balancimit ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, e cila kërkon përcaktime të qarta strategjike dhe konsistencë institucionale.
Me hyrjen e Listës Studentore në skenën politike hapen një sërë dilemash dhe pritshmërish lidhur me drejtimin e ardhshëm të shtetit serb. Shtrohet pyetja nëse ky zhvillim do të shënojë një kthesë të mirëfilltë reformuese dhe deri në çfarë mase do të materializohet përmes luftës kundër korrupsionit, forcimit të sundimit të ligjit, garantimit të lirisë së mediave dhe konsolidimit të pavarësisë së institucioneve shtetërore.
Në këtë rrethanë të re politike, deputetët që përfaqësojnë komunitetet etnike dhe autoktone kombëtare të hungarezëve, shqiptarëve, boshnjakëve, bullgarëve, romëve dhe rumunëve duhet të ndërtojnë një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe të koordinuar ndërmjet tyre. Ky bashkëpunim duhet të konkretizohet përmes iniciativave parlamentare, debateve institucionale dhe artikulimit të kërkesave të përbashkëta. Njëkohësisht, ata duhet të angazhohen për ndryshime kushtetuese dhe ligjore që do të mundësonin garantimin e vendeve të rezervuara në Kuvendin Popullor për përfaqësuesit e këtyre komuniteteve, si dhe për avancimin e çështjeve të tjera me interes të përbashkët.
Bashkëpunimi ndërmjet përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë nuk duhet të jetë i përkohshëm apo i kufizuar vetëm në iniciativa të veçanta parlamentare. Përkundrazi, ai duhet të institucionalizohet dhe të vazhdojë përgjatë gjithë mandatit të përbërjes së re të Kuvendit të Serbisë, duke u shndërruar në një mekanizëm të qëndrueshëm të përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesave të tyre.
Në bazë të fuqisë elektorale të fituar, Lista Studentore do të ketë rol vendimtar në formimin dhe drejtimin e përbërjes së Qeverisë. Kjo pozitë politike nënkupton gjithashtu ndikim të konsiderueshëm në funksionimin dhe drejtimin e komisioneve të përhershme parlamentare, si dhe të komisioneve ad hoc. Përgjegjësia e saj politike dhe institucionale do të shtrihet edhe në fushat më të rëndësishme të administrimit shtetëror, përfshirë Ushtrinë, Policinë, shërbimin informativ dhe institucionet e tjera të nivelit të lartë shtetëror.
Në këto rrethana, Lista Studentore do të ketë mundësi të konsiderueshme për të propozuar dhe emëruar kuadro në funksionet më të larta politike dhe institucionale, përfshirë pozitat drejtuese në institucionet publike dhe shtetërore.
Ky realitet politik dhe institucional duhet të merret seriozisht në konsideratë nga përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë. Për këtë arsye, deputetët që përfaqësojnë pakicat kombëtare, përmes bashkëpunimit të ndërsjellë dhe koordinimit të qëndrimeve, duhet të paraqesin kërkesa konkrete, të argumentuara dhe realiste. Synimi duhet të jetë sigurimi i një përfaqësimi të drejtë edhe në pozitat më të larta të vendimmarrjes shtetërore.
Në këtë kuadër, kërkesat e tyre duhet të përfshijnë përfaqësimin në funksionet e nënkryetarit të Kuvendit Popullor të Serbisë, zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë së Serbisë, nënkryetarit të Republikës së Serbisë, si dhe drejtimin e së paku një ministrie me përgjegjësi të drejtpërdrejtë për çështjet e pakicave kombëtare.
Po ashtu, në kuadër të një politike gjithëpërfshirëse të përfaqësimit proporcional, duhet të kërkohet pjesëmarrja në drejtimin e institucioneve të pavarura, përfshirë institucionin e Avokatit të Popullit, ndërmarrjet publike dhe agjencitë e tjera të pavarura.
Një kërkesë tjetër me rëndësi të veçantë është garantimi i hapësirës së përshtatshme mediatike për komunitetet pakicë kombëtare në kuadër të shërbimit publik të Radio-Televizionit të Serbisë (RTS). Kjo duhet të përfshijë programe të veçanta radiofonike dhe televizive, si dhe krijimin e një kanali të posaçëm televiziv, të dedikuar për informimin, kulturën, gjuhët dhe identitetin e komuniteteve pakicë kombëtare në Serbi. Një mekanizëm i tillë do të kontribuonte në ruajtjen e identitetit gjuhësor dhe kulturor, në garantimin e pluralizmit mediatik dhe në fuqizimin e kohezionit shoqëror.
Në të njëjtën kohë, përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë duhet të kërkojnë zbatimin e parimit të përfaqësimit proporcional në të gjitha nivelet e administratës dhe të institucioneve shtetërore. Kjo kërkesë duhet të përfshijë edhe funksionet e larta drejtuese dhe mekanizmat vendimmarrës në zinxhirin komandues të Ushtrisë, Policisë, shërbimit informativ, prokurorisë dhe gjyqësorit, në përfaqësitë diplomatike, si dhe në strukturat e tjera institucionale.
Për realizimin e këtyre kërkesave, deputetët që nuk i përkasin kombësisë serbe duhet të veprojnë në mënyrë të bashkërenduar dhe të përdorin në mënyrë aktive mekanizmat kushtetues dhe parlamentarë të mbikëqyrjes së pushtetit. Në këtë drejtim, një rëndësi të veçantë kanë pyetjet parlamentare, interpelancat dhe iniciativat e tjera institucionale, përmes të cilave mund të kërkohen sqarime, informacione zyrtare me shkrim dhe llogaridhënie nga ministritë përkatëse, kryeministri dhe presidenti i Republikës.
Objekti kryesor i këtyre kërkesave duhet të jetë zbatimi real dhe i matshëm i parimit të përfaqësimit proporcional të të gjitha pakicave kombëtare në institucionet shtetërore të Serbisë.
Në mënyrë të veçantë, deputetët që përfaqësojnë komunitetet etnike dhe autoktone kombëtare të hungarezëve, shqiptarëve, boshnjakëve, bullgarëve, romëve dhe rumunëve duhet të kërkojnë ndryshime kushtetuese dhe ligjore që do të siguronin mekanizma të qëndrueshëm të përfaqësimit parlamentar, përfshirë garantimin e vendeve të rezervuara në Kuvendin Popullor për përfaqësuesit e këtyre komuniteteve.
Një çështje tjetër me rëndësi politike dhe juridike është trajtimi i autonomisë territoriale dhe i referendumeve të organizuara në të kaluarën. Aktualisht, Serbia njeh autonominë e Krahinës së Vojvodinës, ndërsa çështjet që lidhen me referendumet për autonomi në Sanxhak dhe në territorin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit vazhdojnë të mbeten pa një zgjidhje institucionale.
Në këtë kontekst, bëhet fjalë për referendumin e mbajtur më 1 dhe 2 mars 1992 në territorin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, si dhe për referendumin për autonominë e Krahinës së Sanxhakut, të organizuar më 25, 26 dhe 27 tetor 1991.
Krahina e Vojvodinës kishte statusin e njësisë konstituive në ish-Jugosllavi, ndërsa Sanxhaku, ndonëse organizoi referendum për autonomi, nuk ndërmori më pas hapa të tjerë juridikë apo veprime konkrete institucionale për realizimin e kërkesave të shprehura përmes tij.
Megjithatë, ndërmjet këtyre dy rasteve dhe zhvillimeve në territorin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ekzistojnë dallime të rëndësishme historike dhe politike. Ky territor veçohet për faktin se, përveç mbajtjes së referendumit, pasuan edhe zhvillime të tjera konkrete, të cilat ndërlidhen me aktet dhe konventat ndërkombëtare.
Në këtë kuadër përfshihet kryengritja e armatosur e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB), si dhe angazhimi i faktorëve politikë dhe ushtarakë në proceset e organizimit, mbikëqyrjes, ndërmjetësimit dhe ofrimit të garancive, të cilat rezultuan me arritjen e Marrëveshjes së Konçulit, më 20 maj 2001.
Duke u mbështetur në këto zhvillime historike dhe politike, deputetët që përfaqësojnë komunitetet etnike dhe autoktone kombëtare të hungarezëve, shqiptarëve, boshnjakëve dhe komuniteteve të tjera duhet të kërkojnë që çështja e këtyre referendumeve të trajtohet në mënyrë institucionale, juridike dhe politike, duke kërkuar njohjen dhe shqyrtimin e tyre në kuadër të një dialogu të mirëfilltë institucional.
Një tjetër çështje që kërkon trajtim dhe debat të argumentuar është dallimi në qasjen institucionale të Serbisë ndaj statusit të Republikës Srpska dhe kërkesave për autonomi të komuniteteve të tjera. Serbia njeh statusin e entitetit të Republikës Srpska, e cila është pjesë përbërëse e Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa kërkesat dhe aspiratat politike të hungarezëve, shqiptarëve, boshnjakëve, bullgarëve dhe komuniteteve të tjera nuk kanë gjetur një trajtim të krahasueshëm institucional.
Kjo çështje ngre nevojën për një debat më të gjerë mbi parimet e barazisë, të drejtave kolektive, autonomisë dhe standardeve të përfaqësimit të komuniteteve në kuadër të rendit kushtetues dhe juridik.
Pritshmëri dhe interesim për zhvillimet e reja politike në Serbi nuk kanë vetëm votuesit e saj, por edhe shtetet fqinje, Bashkimi Evropian dhe Federata Ruse. Për këtë arsye, orientimi i ardhshëm politik dhe institucional i Serbisë do të ketë rëndësi jo vetëm për zhvillimet e brendshme, por edhe për marrëdhëniet rajonale dhe proceset më të gjera evropiane.
Mbetet të shihet se si do t’i trajtojë këto çështje struktura e re politike dhe nëse do të krijojë hapësirë për një dialog institucional, gjithëpërfshirës dhe të bazuar në parimet e barazisë, demokracisë dhe respektimit të të drejtave të komuniteteve.
Në përfundim, shtrohet dilema thelbësore: A do të përfaqësojë Lista Studentore në Serbi një frymë të re politike, të karakterizuar nga reforma demokratike dhe hapje institucionale, apo do të jetë vazhdimësi e politikës së mëparshme, ku ndryshimi kryesor do të konsistojë vetëm në zëvendësimin e drejtuesve të vjetër me figura të reja në institucionet shtetërore?
—-
Vështrim, 26 nëntor 2026.



