Gjilan

Haziri: 2019-ta, vit i investimeve, i disiplinës dhe dietës në shpenzime për Gjilanin

Gjilan, 10 janar 2019 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në mbledhjen e mbajtur me bordin e drejtorëve, ka kërkuar angazhimin maksimal sa i përket gjendjes së rrugëve në qytet dhe fshatra gjatë reshjeve të borës, sikurse angazhimin në manifestimin “Flaka e Janarit” e cila këtë vit i kushtohet të gjithë heronjve e dëshmorëve të rënë nëpër vite dhe gjithashtu edhe përgatitjen e prioriteteve për tremujorin e parë.

Haziri ka thënë se me miratimin e buxhetit nga Parlamenti i Republikës së Kosovës, për çka siç ka thënë ai është duke punuar me deputetët e Gjilanit pa dallime partiake, që të aprovohet për të filluar pastaj realizimin e projekteve në bazë të zotimeve financiare.

“Kemi zotimin nga qeveria e Republikës së Kosovës, për investime në infrastrukturë në vlerë prej rreth 13 milionë euro, pastaj nga buxheti i Komunës, konkretisht nga të hyrat vetanake, planifikojmë investime rreth 5 milionë euro dhe nga donatorët e investitorët e Gjilanit jemi në proces të projekteve të ndryshme në vlerë prej mbi 14 milionë euro. Këtu nuk hyn projekti më i madh, impianti për trajtimin e ujërave të zeza, Autostrada dhe projekte të tjera që këtë zotim pastaj e dhjetëfishon për kah vlera dhe rëndësia”, ka potencuar kryetari Haziri.

“Gjithashtu në këto pak ditë të këtij viti kemi konfirmimin e mirë që kemi marrë nga MAPL dhe qeveria Zvicerane, përmes DEMOS-it, që Gjilani është përfitues i grantit tjetër në vlerë prej rreth 300 mijë euro, në bazë të performancës dhe transparencës komunale. Granti tjetër i konfirmuar poashtu sot është në vlerë prej 100 mijë euro, për fushën e pastërtisë nga granti i qeverisë për aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”. Të dyja këto grante do të investohen në infrastrukturë publike dhe projekte për komunitetin”, shtoi Haziri.

Kryetari Haziri njëkohësisht ka kërkuar që të punohet me përkushtim e saktësi dhe të mos ketë neglizhencë nga ndonjë zyrtar, duke thënë se nuk do të ketë tolerancë.

Në këtë takim kanë raportuar edhe të gjithë drejtorët komunal, duke potencuar prioritetet që kanë në këtë tre mujor, sfidat që kanë paraparë, e deri te projektet e ndryshme nga të gjitha fushat, që nga projektet e infrastrukturës, mirëmbajtjes, pastaj projekteve në shëndetësi, në arsim, zhvillim ekonomik-lokal, kulturë, rini, sport, bujqësi dhe dikaster të tjerë.

Përndryshe, në këtë gjysëmvjetor i cili pritet të nis sipas planifikimit, do të filloj realizimi i projektit për ushqimin e nxënësve nga klasa e parë deri të pestën, në shkollat e fshatrave Verbicë e Zhegocit, Kishnapole dhe Shurdhan, për të vazhduar më vonë edhe me të gjitha shkollat tjera, për këtë cikël.

You Might Also Like