Gjilan, 5 nëntor / Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka mbajtur sot takimin e dytë me qytetarë, ku ka thënë se objektivë e qeverisjes vazhdon të mbetet realizimi i projekteve infrastrukturore në qytet dhe fshatra, që përfshin ndërtimin e rrugëve, ujësjellësve, kanalizimeve, ndriçimin publik dhe trotuaret.
Duke i paraqitur sukseset dhe sfidat e qeverisjes së tij gjatë kësaj periudhe dhjetëmujore, Haziri ka nënvizuar faktin se periudhë është përcjellë me suksese sa i përket investimeve dhe realizimit të projekteve, por edhe me sfida, ndër të cilat, më kryesorja ka qenë dhe vazhdon të jetë kriza e ujit të pijes.
“Gjilani është përballur me sfidën e madhe të ujit të pijshëm që nga qershori e tutje, si pasojë e mungesës së reshjeve jo vetëm këtë verë, por edhe në dy-tri vitet e fundit”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai ka folur edhe për masat që janë ndërmarrë për të përballuar krizën, e ka cila ka imponuar nevojën për shpalljen e gjendjes emergjente, ndërkohë që është organizuar edhe konferenca e madhe mbi sfidat dhe alternativat e furnizimit të qëndrueshëm me ujë, me pjesëmarrje të të gjithë resorëve nga niveli qendror.
Ishte vlerësim në konferencë se nevojiten 460 mijë euro për përballimin e krizës, por shpërbërja e Kuvendit të Republikës dhe rënia e qeverisë i bllokoi projektet për daljen nga kjo gjendje emergjente dhe Komuna, në bashkëpunim me kompaninë ”Hidromorava” u detyrua të ndajë 200 mijë euro për hapjen e puseve të reja te lokacioni i FSK-së dhe lagja Fidanishte, të cilat pritet ta zbusim sado pak gjendjen.
Duke folur për angazhimet tjera, kryetari Haziri ka thënë se prioritet gjatë kësaj periudhe i është dhënë banimit social, ku së bashku me donatorët janë ndërtuar 25 shtëpi për familjet pa kulm mbi kokë, ndërkohë që edhe pesë shtëpi të tjera janë në proces të ndërtimit, ose gjithsej deri tani janë ndërtuar 113 shtëpi për familjet në nevojë. Po ashtu, një numri tjetër të familjeve me gjendje të rëndë sociale iu paguhet qiraja e banimit.
Në Gjilan, në përfundim e sipër është edhe fshati social, donacion nga Kuvajti, në vlerë 2.5 milionë dollarë, ku përfshihen 12 objekte për pleq, për nëna pa përkujdesje dhe fëmijë jetimë. Aktualisht në Gjilan jetojnë 22 pleq të pambrojtur, por në të ardhmen ku numër pritet të rritet shkaku i migracionit.
Sa i përket partneritetit me donatorët në realizimin e projekteve milionëshe, siç është Banka Evropiane për Zhvillim, Banka Investive Evropiane, USAID, GIZ-i, DEMOS-i e të tjerë, Haziri ka përmendur marrëveshjen trepalëshe me BERZH-in për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, në vlerë 26 milionë euro, ku Qeveria e Kosovës është garantuese e kredisë së butë.
“Ky projekt, që pritet të nis në fillim të vitit të ardhshëm dhe përfshin të gjithë kolektorët si dhe ndërtimin e impiantit, do të zgjidhë përfundimisht problemin e ujërave të zeza dhe ndotjen e lumenjve”, ka theksuar kryetari Haziri.
Qyteti i Gjilanit po ashtu po bëhet me çarshinë e vetë, duke e rikthyer një përroskë kundërmuese në një hapësirë të madhe për qytetarë, për lëvizje e rekreacion, e në të njëjtën kohë edhe krijim të mundësive për operim të bizneseve private. Pas pjesës së parë, projekti po vazhdojë në pjesën tjetër, në drejtim të Livadheve të Akllapit.
Haziri ka thënë se paralelisht kemi punuar dhe po vazhdojmë të punojmë edhe në rindërtimin e stadiumit të qytetit dhe stadiumeve ndihmëse për nevoja të klubeve, ndërkohë që në Zhegër po rregullohet palestra.
“Stadiumi i qytetit, kampusi i shkollave të mesme dhe ndërtimi i shëtitores mbi shtratin e lumit Mirusha po realizohen në formë të integruar si projekte kapitale”, ka thënë kryetari Haziri.
Kryetari Haziri ka paraqitur para qytetarëve edhe angazhimet në sektorin e arsimit, shëndetësisë, kulturës, në bujqësi ku subvencionet e përgjithshme arrijnë mbi një milion euro, në partneritetin publiko-privat, ku po punohet në tri studime të fizibilitetit në fushën e turizmit, energjisë, infrastrukturës biznesore dhe sportive, pastaj për projektin e modernizimit të tregut të gjelbër, që pritet të përfundojë vitin e ardhshëm si dhe projekte të tjera gjithandej.
“Synim i Komunës së Gjilanit është krijimi i fshatit model”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri, duke shtuar se në muajt në vazhdim, pjesa më e madhe e investimeve do të shkojnë në përmbylljen e projekteve infrastrukturore.
Në zonën urbane, prioritet i lartë do të jetë rregullimi i trotuareve dhe standardizimi i tyre për personat me nevoja të veçanta, për çiklistë dhe për nëna me fëmijë.
“Qëllimi ynë kryesor është që zonën urbane ta kthejmë në një zonë qarkullimi pa vetura”, ka thënë Haziri.
Investime milionëshe po bëhen në rrugët me katër krosi. Ndërtimi i rrugëve regjionale tashmë është i buxhetuar dhe pritet që Banka Evropiane për Zhvillim në fund të këtij muaji të konfirmojë investimet për segmentin Gjilan-Prishtinë, me gjatësi 7.2 kilometra, sikurse do të vazhdojnë investimet në segmentin e rrugës Gjilan-Bujanoc, në rrugën e Kumanovës, në rrugën prej Livoçit të Ultë në drejtim të Kllokotit dhe rrugë të tjera.
Njëherësh, Haziri ka thënë se Komuna e Gjilanit është treguar shumë rigoroze edhe me shpenzimet, duke vazhduar të aplikojë një dietë të ashpër buxhetore sa i përket drekave, darkave dhe përdorimit të veturave, sikurse edhe toleranca ndaj zyrtarëve komunalë të cilët përpiqen të abuzojnë me pushtetin do të jetë zero, ka thënë ai.
Kryetari Haziri është përgjigjur edhe në interesimet konkrete të qytetarëve Selvije Nevzadi, Ahmet Govori, Fadil Kajtazi, Gëzim Ibrahimi, Hysen Kryeziu, Rrahman Hajdari, Muhadin Haziri dhe të tjerë, duke nënvizuar faktin se familjet me gjendje të rëndë sociale janë preokupim i tij i përhershëm, sikurse edhe fëmijët e tyre, të cilët do të mbështeten me bursa sipas mundësive.
“Njëri nga prioritetet e mia janë familjet pa strehë, pa krahë dhe pa shpresë”, ka thënë Haziri.
Sa i përket vendosjes së shtatoreve në qendër të qytetit, kreu i Komunës, ka thënë se Gjilani po i rikthen patriotët e vetë, të cilët kishin qenë të harruar për shumë kohë, duke kërkuar mirëkuptim nga familjet që të mos bëjnë presion për lokacionet se ku duhet të vendosen këto shtatore, por këtë punë t`ua besojmë ekspertëve, të cilat do ta bëjnë zgjidhjen e duhur.
Gjilani ka bërë zgjidhje të përhershme edhe për varrezat e reja të qytetit, në zonën e Zabelit, por së pari atje do të rregullohet infrastruktura e nevojshme për kryerjen e të gjitha shërbimeve, ka thënë kryetari Haziri.
Ndërsa sa iu përket disa gurthyesve në pjesën e Novobërdës, të cilët po e ndotin ambientin, Haziri ka thënë se personalisht është kundër gurthyesve, prandaj prej vitit 2013 e këndej nuk ka lëshuar asnjë pëlqim për operimin e këtyre kompanive dhe ka premtuar se do të bashkëpunojë me komunën fqinje për t`i parë mundësitë e zgjidhjes së këtij problemi.