Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri i shoqëruar nga ministri i shëndetësisë, Imet Rrahmani, kryesuesja e Kuvendit Valintina Bunjaku-Rexhepi, nënkryetari Rexhep Kadriu, drejtorët e drejtorive komunale, këshilltarë komunal dhe bashkëpunëtorët e tyre, së bashku me udhëhëqës të institucioneve të ndryshme në nivelin lokal, të përcjellë nga përfaqësimet e ndryshme politike, për nderë të 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kanë bërë homazhe në varrëzat e dëshmorëve në nderim të jetës, idealit dhe aspiratave që kishin dëshmorët, heronjtë dhe martirët e rënë në luftën për lirinë e vendit.
Kryetari Haziri pas homaxheve në kompleksin memorial të dëshmorëve në Gjilan, ka thënë se si nënshkrues i deklaratës së pavarësisë së Kosovës, i rikthyer në udhëheqjen e Komunës së Gjilanit, përmes programit qeverisës është duke punuar në realizimin e aspiratave të dëshmorëve dhe idealit të tyre për zhvillimin e vendit.
“Jam jashtzakonisht i lumtur që si nënshkrues i deklaratës së pavarësisë së Kosovës, sot i rikthyer brenda qytetarëve-popullatës dhe brenda Komunës së Gjilanit, po punojmë bashkërisht në jetësimin e aspiratave të dëshmorëve dhe të gjithë atyre heronjëve që sublimuan kërkesën për pavarësinë e vendit tonë. Natyrisht që duhet të bëjmë edhe më shumë dhe t’i realizojmë qëllimet që të rënët kishin për vendin e tyre. Ky vit në Gjilan, është viti i Idriz Seferit, është përvjetori i madh i lindjes së tij, i një kolosi të madh, një kryengritësi, që na mësoi se si të mos durohet padrejtësia dhe se si duhet të luftohet për t’i arritur qëllimet e mëdha. Gjilani do ta shënon me akademi dhe forma të ndryshme këtë aktivitet që ka nisur me Flakën e Janarit, për të vazhduar me 9 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa, në muajin mars, do të organizohet akademia e madhe shkencore, që do t’i kushtohet zbardhjes së veprës heroike të Idriz Seferit, për të vazhduar gjatë gjithë vitit me aktivitete të ndryshme”, ka thënë në fjalën e tij kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
Kryetari Haziri në fjalën e tij ka uruar të gjithë qytetarëve të Komunës së Gjilanit festën e Pavarësisë së Kosovës, e posaqërisht familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe veteranëve të UÇK-së.
Ndryshe, gjatë kësaj ditë Komuna e Gjilanit në agjendën e saj festive ka një mori aktivitetesh, që përpos homazheve, në ora 12:00 organizohet koncert për fëmijë para platos së Teatrit, për të vazhduar në orën 14:00 me aktivitetet rinore, për sfidat pas pavarësisë që mbahet në sallën e Kuvendit të Komunës, ndërsa, në orën 15:30 është e paraparë ndeshja sportive në futboll mes zyrtarëve komunal dhe ekipit të artistëve në palestrën e sporteve, për t’u rikthyer në Teatër me shfaqjen “Lusi në qiell” në orën 18:00 dhe kulmimin e aktiviteteve me koncertin e madh festiv të muzikës popullore para në sheshin kryesor “Agim Ramadani”, në ora 20:00.