Gjilan, 31 tetor 2017 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka vizituar sot çerdhen “Te Fjolla”, ku është interesuar për fëmijët që kanë qendrim ditor në këtë institucion parashkollor, por edhe kushtet që ofrohen aty, stafi që përkujdeset për fëmij dhe njëkohësisht nga fëmijët e ngjyrosur për shënimin “Halloween”, ka dëgjuar poezi të ndryshme për shkollën, familjen, ëndrrat e tyre etj.
Ai gjithashtu ka thënë se fëmijët të cilët qëndrojnë në këto institucione meritojnë përkujdesjen maksimale nga stafi, edukatoret dhe nga të gjithë bashkërisht.
“Janë fëmijë të cilët kalojnë një pjesë të gjatë të ditës nëpër këto institucione. Të gjithë prindrit të cilët punojnë dhe kanë një orar të rregullt të punës, domosdoshmërisht detyrohen që fëmijët t’i dërgojnë nëpër çerdhe, sepse është e vetmja mundësi që të mbajnë punën e tyre dhe njëkohësisht fëmijët t’i kenë nën përkujdesjen profesionale. Këto institucione janë garantues të ecjes përpara në aspektin e edukimit, ambientimit me fëmijët e tjerë dhe mësimin bazik që do t’u ndihmojë me fillimin e shkollimit të rregullt që nga klasa e parë”, ka thënë mes tjerash kryetari Haziri.
Ndryshe në Komunën e Gjilanit përpos Institucioneve Parashkollore, dhe disa institucioneve private-Kopshteve, janë të projektuara të nis ndërtimi edhe i disa Institucioneve Parashkollore që menagjohen nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan.