Gjilan

Homazhe te varrezat e martirëve të Grykës së Karadakut

Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka bërë nderime të premten në varrezat e martirëve në fshatrat Zhegër, Dunav e Nasalë, të cilët ranë në luftën e fundit.

“Liria që po gëzojmë sot, është meritë e gjithë atyre brezave që ranë dhe u flijuan nëpër shekuj për këtë vend të shtrenjtë e të shenjtë që quhet Kosovë”, ka thënë ajo.

Duke nënvizuar faktin se populli i Kosovës është përcaktuar për të ardhmen, por pa e harruar të kaluar e dhimbshme, Bunjaku-Rexhepi ka kërkuar nga drejtësia që krimet mbi civilët të ndriçohen e të ndëshkohen sa më parë.

“Nëse harrohet e kaluara, as e ardhmja nuk mund të ndërtohet si duhet”, ka thënë ajo.

Në këtë homazhe, Bunjaku-Rexhepi është shoqëruar nga familjarët e martirëve dhe përfaqësuesit e këshillave të fshatrave Zhegër, Dunav e Nasalë.

You Might Also Like