Trashëgimi

Intervistë me Arton Hoxhën, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan

 

Intervistë me Arton Hoxhën, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore

Në ish- shtëpinë e Kajmekamit, në kohën e Perandorisë Osmane e që më pas në të ishte i vendosur edhe kryetari i Gjilanit, tash e sa vite është vendosur Muzeu i Gjilanit dhe zyret e saja i ka edhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan, institucion ky që vepron nën ombrellën e Ministrisë së Kulturës dhe që është i një rëndësie të vecantë. Për punën që bëhet në këtë institucion, ne biseduam me Arton Hoxhën, drejtor.

Kryelajmi: Kur është formuar  QRTK dhe cili është misioni i saj?

Arton Hoxha: Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK) është themeluar në vitin 2004 dhe përfshin komunën Gjilan, Viti, Kamenicë, Novobërdë, Partesh, Ranillug, po ashtu edhe regjionin e Ferizajit, Shtime, Shtërpcë, Kaçanik dhe Han i Elezit. Qendra merret me inventarizimin e objekteve të luajtura, të paluajtura, arkitektonike, arkeologjike. Merret po ashtu edhe me hartimin e projekteve dhe mbikëqyrje.

Kryelajmi: A ekzistojnë shumë objekte që janë nën mbikëqyrjen e institucionit tuaj?

Arton Hoxha: Në regjionin e Gjilanit dhe të Ferizajit ekzistojnë gjithsej 167 objekte arkitekturore të cilat mbrohen me ligj, 98 në regjionin e Gjilanit dhe 69 në atë të Ferizajit. Objektet janë të klasifikuara në bazë të moshës së tyre, njëra ndër më të vjetrat është edhe Xhamia Atik e shekullit 17. Këto objekte mirëmbahen dhe nga viti 2009 e deri më tani në 35 deri 40 objekte ka pasur ndërhyrje, qoftë emergjente ose restaurime.

Kryelajmi: Po sa i përket restaurimeve?

Arton Hoxha: Sa i përket restaurimeve ato janë të varura nga Ministra e Kulturës për arsye se asnjëra nga komunat nuk kanë fond të veçantë për trashëgiminë kulturore, pra mbështetja e vetme është nga ministria.

Kryelajmi: Te një popull edhe trashëgimia shpirtërore paraqet një rëndësi të veçantë?

Arton Hoxha: Për trashëgiminë shpirtërore dhe punës që është bërë në këtë aspekt, kemi  arritur të bëjmë toponimin e 38 fshatrave në komunën e Gjilanit, po ashtu janë botuar edhe 2 vëllime për mbrojtjen e “Valleve të Karadakut”. Dy vëllimet kanë nga 5 valle të dokumentuara. Po ashtu është bërë edhe inventarizimi nga koleksionues privat nga komuna e Gjilanit dhe e Kamenicës.

Kryelajmi: Para pak ditësh në Gjilan është hapur edhe Muzeu Etnologjik, cili ishte roli i QRTK-së?

Arton Hoxha: Hapja e Muzeut Etnologjik na ka gëzuar shumë, është ky një hap shumë i  rëndësishëm ku duhet lavdëruar edhe punën e QRTK që mundësoi hapjen e këtij muzeu si dhe muzeut të parë në vitin 2016. Të 167 objektet që mbrohen me ligj janë të gjitha të dokumentuara ku gjysma prej tyre në vitin 2016 janë botuar në një libër të veçantë, “Trashëgimia rajonale e Gjilanit 1”, ku përshkruhet historiku, ndërtimi arkitekturor dhe vizatime e foto të ndryshme. Në vitin 2018 u bë botimi i dytë, “Trashëgimia e rajonale e Gjilanit 2”, libra këto që janë të shpërndara nëpër bibliotekat e shkollave të Gjilanit dhe në Bibliotekën Kombëtare, libri i dytë është i botuar edhe në gjuhën angleze, është menduar të bëhet botimi i tyre edhe në gjuhën serbe, mirëpo në mungesë të buxhetit ende nuk është bërë realitet.

Kryelajmi: Me gjithë këto të arritura në Kosovë a është i afërt anëtarësimi i Kosovës në UNESCO?

Arton Hoxha: Jam shumë optimist për pranimin e Kosovës në UNESCO që ka rëndësi të madhe ky hap për Kosovën, por edhe  për QRTK-në!

Intervistën e realizoi: Albin Zharjani

You Might Also Like