Ismajli ka njoftuar se ky projekt do të jetë në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh, ndërsa objektiv i përgjithshem i tij është ngritja e vetëdijes dhe vullnetarizmit qytetar për ruajtjen e ujërave dhe mjedisit.
“Objektivat specifike të projektit janë largimi i mbeturinave nga liqeni i Livoqit dhe krijimi i një ambienti të këndshëm për vizitorë. Ndërsa, si aktivitet kryesor do të jetë organizimi i vullnetarëve për pastrimin e liqenit të Livoqit si dhe vendosja e shenjave informuese, duke përfshirë edhe vendosjen e panove informuese për llojet e peshqve që jetojnë në këtë liqe”, ka deklaruar nënkryetari Ismajli, pas takimit.
Përmes këtij projekti, planifikohet pastrimi dhe mirëmbajtja e liqenit të Livoqit prej muajit mars dëri në muajin korrik të këtij viti.
“Në këtë mënyrë synohet krijimi i një tradite dhe kulture të mirëmbajtjes afatgjate të liqenit nga vizitorët, peshkatarët dhe komuniteti lokal”, ka nënvizuar ai.
Përfitues nga ky projekt do të jenë të gjithë qytetaret e komunës së Gjilanit sepse përmes ketij projekti do të krijohet një ambient i pastër dhe një destinacion për aktivitete të ndryshme rekreative dhe sportive.
Nenkryetari Ismajli, ka vlerësuar se Komuna e Gjilanit mirëpret iniciativat dhe projektet që qëllim primar kanë zhvillimin dhe kontributin në të mirë të komunitetit.