Sportet luftarake

Ja cila është vajza e artë e Gjilanit

Ajo ndoshta sot do të ishte një hendbolliste e njohur në Kosovë, por një seancë stërvitore e dështuar ndërroi gjithçka në jetën e Fortesa Oranës, karateiste e njohur kosovare.

Fortesa kujton kohën kur kishte nisur të ushtroj hendboll dhe stërvitja kishte dështuar e në të njëjtën kohë po ushtronin edhe karateistët dhe asaj i kishte pëlqyer tej mase ky sport, andaj vendosi që edhe ajo të bëhet pjesë e këtij sporti. Në atë kohë Fortesa Orana ishte shtatëvjeçare dhe nuk shkoi shumë kohë ajo bleu kimonot e para dhe që nga ajo kohë këto veshje sportive u bënë pjesë e pandashme e jetës së saj.

Nuk shkoi shumë kohë dhe u pa se po lindte një yll i ri i karatesë dhe që në vitin 2006, në garën e parë të saj të mbajtur në Maqedoni, Fortesa u stolis me medaljen e parë të artë, duke qenë garuese e KK Drita. Ky sukses tek ajo shtoi vullnetin edhe më të madh për punë dhe të artat nuk ndaleshin, për të kaluar tek sukseset e mëdha të kësaj garueseje, që nisën që nga viti 2012.

fortesa1

Fortesa Orana nuk la shtet e kontinent pa marrë medalje. Në Austri – e para, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – 2 vende të para një vend të tretë, në Dubai – e para, në Turqi – në një turne e dyta, por më pas tri vende të para, në Zvicër – vendi i tretë e shkëlqeu edhe në Egjipt, Singapor e gjetiu.

Në Indonezi ia doli që të futet në shtatëshen më të mirë të botës, në evropian në pesëshen e parë, disa herë sportistja më e mirë në Gjilan, më e mira e shpallur edhe nga Federata e Karatesë, kadetja e juniorja më e mirë e shumë turne të fituar e prej vitit 2012 është kampione e Kosovës, e treta në Ballkan, kurse së fundi edhe medalja e argjendtë në Turneun Grand Prix në Kroaci.

“Ëndërr e imja është pjesëmarrja në Lojërat Olimpike, ku do t’a përfaqësojë vendin tim e për këtë ngjarje të madhe sportive veç kam filluar të mbledh pikët, ngase edhe këtu duhet norma olimpike. Në vitin 2020, Kosova ka të drejtë të jetë pjesë e olimpiadës e mua më duhen pikët që do të marr në turnetë e njohur, në kampionatet ballkanike, evropiane e botërore”, thotë Fortesa Orana, e cila nuk ka kohë për pushim pas turneut në Kroaci, ngase qysh më 25 janar do të udhëtojë në Paris në një turne të madh të karatesë, kurse më 17 shkurt do të udhëtoj në Sofje të Bullgarisë, ku do të mbahet Kampionati Evropian.

Fortesa Orana edhe në të ardhmen nuk do t’i ndahet sportit, ajo është studente e shkëlqyer në studime, në vitin e tretë në Kulturë Fizike e Sportive.

Maliq Maliqi, drejtor në Klubin e Karatesë Dardania, ka vetëm fjalë miradije për këtë sportiste të shkëlqyer, duke thënë se në klubin e tij ka shumë karateistë të mirë, por Fortesa është krenaria dhe shpresa më e madhe e klubit dhe se një të ardhme shumë të afërt, ajo do t’i stolisë vitrinat e klubit me medaljet më të çmuara nga garat ndërkombëtare.

Gjithsesi se një meritë të madhe në sukseset e Fortesa Oranës e kanë edhe trajnerët e saj e Shkëlzen Balaj, trajner në KK Dardania nga Gjilani, thotë se karateistja Fortesa Orana është një punëtore e madhe, e zellshme e përpiktë dhe e disiplinuar në punë e etshme dhe e përgatitur për suksese, andaj me të drejtë pritet shumë nga kjo sportiste, e cila tashti është në moshën dhe formën më të mirë, që garantojnë rezultate të çmuara.

Fortesa Orana, ka shumë ëndrra në jetë, disa prej të cilave iu realizuan, por ato më kryesoret tashti e presin atë e kjo sportiste e dalluar e di se si arrihet deri te suksesi, ajo nuk i lë asgjë rastësisë dhe qysh tashti është në vlugun e punës me qëllim që ta bëjë krenarë klubin, qytetin, vendin e saj dhe të gjithë shqiptarët./kryelajmi/.

You Might Also Like