Banorët e Karaqevës kanë protestuar këtë të premte, duke kërkuar mosndërhyrjen e forcave serbe në territorin e Kosovës.
Ata me pankarta në duar kanë shprehur brengat e tyre, ngase që nga përfundimi i luftës e këtej forcat serbe kanë shkelur në territorin e Kosovës, andaj nëpërmjet këtij paralajmërimi ata besojnë se qeveria do të ketë parasysh brengat dhe hallet e kësaj Bashkësie Lokale dhe të parandalohet xhandarmëria serbe që të futet në territorin e Kosovës. Karaqevesit kanë kërkuar që qeveria e Kosovës të koordinohet me Bashkësinë ndërkombëtare për ruajtjen e fshatit dhe ruajtjen e sovranitetit të Kosovës dhe integritetin e saj territorial, ngase banorët janë të zhgënjyer me institucionet e vendit që asnjëherë nuk janë marrë me këtë problem.
“Ne nuk kemi tokë për të falur askujt dhe të gjithë banorët tok së bashku do të vihen në mbrojtje të saj, ngase nuk mund të lejojmë që Serbia me harta të falsifikuara dhe të rreme të kërkojnë atë që nuk është e tyre. Do të protestojmë deri në arritjen e qëllimit tonë, të cilat janë të lara me gjak ndër shekuj dhe ato do të i mbrojmë me çdo kusht. Ne nuk kemi pretendime ndaj askujt , por kërkojmë që 11 mijë metra katrorë të territorit të Kosovës të mos humben”, ka thënë Selver Lenjani, kryetar i Këshillit të Fshatit, që ka kërkuar nga qeveria që të lënë anash interesat personale e të luftojnë për interesa kombëtare.