Trashëgimi

Kisha e Shën Anës në Dunav

dini  Shkruan: Sherafedin Kadriu, Qendra Rajonale për Trashigimi Kulturore

Kisha e Shën Anës e ndodhur në afërsi të tre-kufirit shtetëror ndërmjet Kosovës, Serbisë e Maqedonisë, ka një pozicion shumë të mirë, të rrethuar me plepa të mbjellë ndonjë vit më vonë, sikundër ka ndodhur edhe me pishat që kanë marrë në mbrojtje më mirë se gjithkush këtë objekt të vetëm kulti, historik e arkitektonik të Gjilanit.

Baza e kishës është ndërtuar nga gurët, ndërsa muret e saj nga tulla dhe llaç gëlqereje, më pas me një mur fasade me gurë shtufi ngjyrash të ndryshme, të rrethua me llaç betoni me hulliza në formë fugash.

Në anën e majtë të hyrjes është kambanorja e saj katrore e ngritur në një lartësi rreth 12 metra. Në fasadën e kambanores ndodhet një nike me bazë të lartësisë së derës hyrëse, ndërsa mbi të katër dritare të ngushta që shërbejnë për dritësimin e kambanores. Nga aty vazhdon shtati më i ngushtuar i kambanores, mbi të cilin ka një kulm dhe krejt në maje përfundon me kryqin. Mbi derën hyrëse të objektit është një pllakë e thjeshtë në të cilën shkruan Kisha Katolike e Shën Anës, 1938, që tregon kohën e ndërtimit të saj.

Anash derës hyrëse janë dy dyer të mbyllura, para meremetimit të fundit (2012). Njëra prej tyre komunikonte me kambanoren, ndërsa tjetra lidhej me kthinën ku njerëzit rrëfeheshin tek prifti. Tashmë është krijuar një korridor i ngushtë nga i cili hyhet drejtpërdrejtë në naos sepse kisha është njëanijatëshe. Në të vërtetë në sallën e lutjeve mund të hyhet nga tri hyrje paralele që paraqesin një lloj tribelioni pa arkada. Dyshemeja e naosit është ndarë me një korridor të improvizuar, në dy anët e të cilit ndodhen stolat për besimtarët. Salla e lutjeve ka kubenë, ndërsa muret anash kanë nga tri dritare për dritësim, e që duket se sjellin pakëz dritë brenda. Salla përfundon tek transepti, me dy kthina anash dhe një sanktuar të imagjinuar pas të cilit vjen absida rrethore. Absida është rrethore edhe nga jashtë, me një dritare të vetme. Në dyshemenë prezbitumit, i vetmi element përbërës që qëndron ende, është tryeza e  altarit. Anash prezbitumit janë të vendosura dy kthina të vogla, ndërsa njëra prej tyre, ajo në lindje komunikon me anekset e vetë kishës. Kulmi i kishës është dyujëse, ndërsa një kulm më i ulët i përket transeptit e tjetri absidës. Kulmi është riparuar në vitin 2012, të cilit i janë vendosur edhe ullukët mjaft mirë.

Nga kjo kishë është marrë truporja e Zojës Shën Premte, të cilën e gjejmë në ballë të nefit të djathtë të kishës së Shën Ndout të Binçës.

Kisha ka një pozitë të mirë gjeografike, me një oborr të rrafshuar nga një mur tarracimi në anën e poshtme të kodrës. Oborri është i rrethuar me plepa, pisha të shumta dhe ndonjë bli. Lartësia mbidetare prej rreth 840 m, sidomos verës me vapë, i jep freski gjithë asaj zone me një erë të lehtë që fryn zakonisht në drejtimin jug-veri.

Dëshira e vendësve për t’u rikthyer edhe për një liturgji në kishën e tyre është shumë e madhe. Demush Zefi, nga Dunavi, por me banim në Ferizaj, fort me mall konstaton se një pjesë e mirë e këtij komuniteti  do të kthehej në vendlindjen e tyre për t’i  kryer ceremonitë fetare, por për këtë ndërmarrje pengon edhe rruga që përshkon fshatin, – një rrugë e prishur shumë. Ndërsa, rruga tjetër që ngjitet nga shpati  shullë me pakëz intervenime do të zgjidhte këtë problematikë.

Edhe përkundër vështirësive për t’u ngjitur tek kisha e vetme katolike e Gjilanit, Shën Ana, me qëllim ringjalljen e saj në një mënyrë,  që nga viti 2011, atje mbahet manifestimi rajonal i poezisë, “Trekëndëshi poetik” organizuar nga Ars Clubi Beqir Musliu, Gjilan.

You Might Also Like