Fehmi Sylejmani, anëtar i Komitetit të Arsimit në Gjilan, nga radhët e LVV –
Rezultatet e kandidatëve të përzgjedhur në konkursin e rishpallur të Drejtorisë së Arsimit në Gjilan në orët e vona të së premtes, vetëm sa e forcojnë dhe betonojnë fuqishëm bindjen dhe përshtypjen, se në këtë dikaster të rëndësishëm të shoqërisë dhe të kësaj qeverisje lokale, ka shkelje të rënda ligjore, që viteve të fundit po e përcjellin në vazhdimësi, si pasojë e mosdijes, keqmenaxhimit, paaftësisë menaxheriale, servilizmit, anshmërisë, padrejtësisë, hiles, nepotizmit dhe partitizimit.
Ky konkurs fillon e mbaron me parregullsi dhe shkelje të dispozitave te ndryshme ligjore, të cilat janë përcjellë edhe në anulimin e saj edhe në rishpallje të saj si dhe në rezultatet e vonshme finale të këtij konkursi. Nëse shikohet dhe analizohet, shumë lehtë mund të konkludohet se mbi 90 për qind e të pranuarve kanë qene të pranuar edhe në konkursin e parë të anuluar(02.12.2017). Teksa me të drejtë shtrohet pyetja, se pse ky konkurs është anuluar, ndonëse arsyetimi i kryetarit për anulim ka qenë vetëm një pretekst justifikues dhe jo i bazuar dhe i argumentuar mbi bazën ligjore. Me rishpalljen e sërishme të konkursit komuna ka shkaktuar shumë defekte dhe dëme që janë të pariparueshme, duke filluar nga dëmtimi i buxhetit, përgatitjet dhe formimet e komisionit të sërishme intervistues si dhe maltretim i skajshëm dhe i pafalshëm ndaj kandidatëve të interesuar për të marrë pjesë në intervista.
Me të drejtë shumica e kandidatëve të papranuar janë të pakënaqur për faktin se Ju është bërë e padrejtë, meqë sipas tyre janë shkelur kriteret e parapara bazë të konkursit dhe nuk janë respektuar dispozitat ligjore, duke favorizuar kandidatët e preferuar dhe jo të meritueshëm.
Po ashtu shihet qartë se anulimi i disa vendeve në shkolla përkatëse për vende të caktuar për mësimdhënës është bërë pa bazë ligjore, për të vetmin fakt se nuk kanë pas kandidatë të preferuar të partisë në pushtet, ndonëse shumica e kandidatëve konkurrentë i kanë plotësuar kushtet e parapara me ligj për të përzgjedhur.
Ne, si Lëvizje Vetëvendosje!, kërkojmë me ngulm nga Kuvendi Komunal në Gjilan, edhe atë sa më shpejt që të formojë një komision të posaçëm vlerësues jashtëpartiak për të verifikuar të gjitha parregullsitë në këtë “telenovele” të këtij konkursi, si kundër edhe mekanizmat tjerë e sidomos ai inspektues, e që në Gjilan fare nuk po dëgjohen, të jenë shumë më aktiv dhe më profesional dhe të zbardhin të gjitha parregullsitë dhe shkeljet ligjore, ndërkohë që i inkurajojmë të gjitha kandidatë që mendojnë se ju është shkelë e drejta të ngrisin padi në Gjykatë.