Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka vizituar sot Qendrën për Punë Sociale, ku është takuar me stafin e kësaj qendre, për të parë nga afër punën e madhe që po bëhet në këtë qendër, por edhe nivelin e përkujdesjes së fëmijëve pa prindër dhe kujdesin për persona të tjerë që kanë nevojën e mbështetjes së institucionet lokale.
Poashtu, kryetari Haziri në këtë vizitë ka bërë të ditur edhe donacionin që është konfirmuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, për ndërtimin e një qendre për fëmijët bonjak, e cila si program kalohet në këtë qendër pas nënshkrimit të marrëveshjes.
“Kemi marrë konfirmimin e Emirateve të Bashkuara Arabe për ndërtimin e një qendreje shumë të madhe për fëmijët bonjak, që aty do të integrohen edhe disa kategori, me të cilat merret QPS. Poashtu, jemi në angazhimin për të gjetur tokën e duhur për ndërtimin e qendrës dhe presim përcaktimin e shpejtë të saj e më pas nënshkrimin e marrëveshjes dhe fillimin e ndërtimit”, ka thënë ai mes tjerash.
Kryetari Haziri gjithashtu ka kërkuar angazhim edhe më të madh të stafit dhe ekspertëve të kësaj qendreje në krijimin e urave lidhëse edhe me qendrën “Liria” dhe qendrën “Pema”, që të dyja këto mjaftë të rëndësishme dhe njëkohësisht kontributdhënëse për qytetarin e Gjilanit.
“Kemi marrë vendimin për mbështetjen e qendrës “Pema” dhe njëkohësisht një mbështetje i kemi dhënë edhe qendrës “Liria”, dhe do ta mbështesim në vazhdimësi, sepse nevojat e Gjilanit dhe të komunave përrreth janë të tilla që duhet domosdo mbështetje”, ka thënë kryetari Haziri.
Kurse, drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Mursel Zymberi, ka falënderuar kryetarin e Komunës, Lutfi Haziri, për mbështetjen e vazhdueshme në forma të ndryshme.
“Funksionimi i qendrës është i varur edhe nga mbështetja që vjen nga niveli më i lartë. Falë kësaj mbështetje, ne jemi në të gjitha raportet si qendra më aktive në Kosovë. Angazhimi ynë do të jetë i vazhdueshëm në përcjelljen e rasteve dhe në trajtimin e tyre. Mbështetja e parë për qytetarin e Kosovës që bie në domenin tonë jepet pikërisht nga zyrtarët e kësaj qendre dhe përcillet deri në fund kur një rast është i gatshëm për integrim të plotë”, është shprehur drejtori Zymberi.