Kryqi i Kuq i Kosovës ka realizuar me sukses një punëtori dyditore në Hotel Holiday, Prishtinë, si pjesë e projektit “Promovimi i Vlerave Humane – PHV”. Ky projekt kishte për qëllim forcimin e vlerave humane dhe ndihmën për ndarjen e informacionit dhe njohurive mes shkollave të mesme dhe komunave të ndryshme të Kosovës.
Në këtë punëtori, morën pjesë 15 shkolla të mesme nga e gjithë Kosova dhe përfaqësues të 13 komunave. Mes tyre ishte edhe gjimnazi “Zenel Hajdini” nga Gjilani, i cili kishte dy përfaqësues të veçantë: Fatlume Hyseni, psikologe e shkollës, dhe Havushe Islami, interprete e gjuhës së shenjave.
Gjatë punëtorisë, të dy përfaqësueset e shkollës sonë u trajnuan për të qenë diseminuese dhe për të përcjellë trajnime për nxënësit e shkollave të mesme. Aktualisht, janë trajnuar 32 nxënës të gjimnazit “Zenel Hajdini”, të cilët tani janë të gatshëm të aplikojnë dhe zbatojnë projektet e tyre.
Nxënësit kanë zgjedhur tema të ndryshme për projektet e tyre, përfshirë:
· Dy projekte për aksionin në komunitet
· Një projekt për Multikulturalizmin
· Një aksion kundër dhunës
Të gjithë nxënësit janë shumë entuziastë dhe mezi presin të realizojnë idetë e tyre në terren, duke kontribuar në forcimin e vlerave humane dhe ndihmën për komunitetin e tyre.
Përgjegjësia dhe Bashkëpunimi në Komunitet Si shkollë, ne jemi të motivuar të bashkëpunojmë në projekte të tilla që inkurajojnë bashkëpunimin mes nxënësve dhe mësuesve, për të arritur përfitime të dukshme për shkollën dhe komunitetin në tërësi. Angazhimi ynë në këto projekte është një hap përpara në forcimin e vlerave humane dhe inkurajimin e një shoqërie më të bashkuar dhe më të ndjeshme.
Me praninë e tyre këtë aktivitet e bënë më vlerë edhe drejtori i Gjimnazit “Zenel Hajdini”, Jeton Rexhepi dhe koordinatori i shkollës, Faik Sahiti.