Libri

KUMBONARET NË DIELLIN E NJË KOHE

 Nexhat Rexha –

KUMBONARET NË DIELLIN E NJË KOHE

( Ramadan Rexhepi, ” Kumbonaret”, botoi “Jeta e Re” , Prishtinë, 1963. Fq. 101. Ribotoi, Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, Gjilan, 2018)

Bashkëbisedimi në përditshmërinë e njeriut është si erërat e stinëve, ato fryjnë pastaj ndalen dhe kush e di se çfarë kanë bartur ato. Po kështu është edhe vetë jeta jonë, bashkëbisedojmë dhe në ato bashkëbisedime me miq, varet çfarë na bënë përshtypje fjala e leximi i njërit apo tjetrit. Sa e sa herë, kemi bashkëbiseduar me miq të asaj kohe kur letërsia shqipe në Kosovë ishte në fillimet e saj. Ndonjëri e zënte në gojë shkrimtarin e talentuar Ramadan Rexhepin, duke nënvizuar se ai ishte ndër më të mirët e asaj kohe. Këtu fillonte dhe mbaronte tregimi për të. Po në këtë vjeshtë nuk di as vetë pse më sillej në kokë një rilexim i këtij libri dhe veçova “Kumbonaret”, të Ramadan Rexhepit e mora për lexim këtë libër që sa e sa herë e kishim përfolur. Pas disa ditëve fillova leximin e vëllimit më tregime “ Kumbonaret’, të botuar në vitin 1963 në Prishtinë, dhe unë po e rilexoja,por kësaj radhe më ndryshe Nuk e di përse ndodh kjo?. Leximi i librit që në fillim të rrëmben me fjalën e shkruar në të. Tregimet e librit janë të shkruara në dialektin e gegërishtes së kohës dhe në të autori ka përdorur gjuhën e vendit të folmen e krahinës së Preshevës të asaj kohe. Të lexohet një libër,sot dhe të kthehesh në retrospektivë do të thotë të njohësh rrethanat e kohës. Do të thotë të bashkëjetosh me njerëzit, atmosferën – klimën politike, gjendjen ekonomike të trevave shqiptare, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Këto rrethana kohe të parashtrojnë para vetit aktualitetin e kohës së një populli me aspirata për të mundur tingujt e kumbonareve të kohës njerkë për shqiptarët.
Ramadan Rexhepi në tregimet e këtij libri ka rrezatuar jetën reale të kohës, duke i dhënë të gjitha ngjyrimet e aktualitetit të vrazhdë të asaj periudhe. Brendia e tregimeve ka gërshetim të disa skenave të jetës së asaj kohe, në lexim të parë të duket se më shumë dominon elementi social i jetës së rëndë për këtë pjesë të atdheut tonë të copëtuar. Prozat kanë shtrirje nëpër lokalitetet shqiptare nga Konçuli e deri në Shkup, që e kanë ruajtur komunikimin e banimin këndej e andej bjeshkëve të Karadakut. Të gjitha ëndrrat për kumbonaret e tingujt e tyre zhvillohen në këtë diell. Duke pasur parasysh rrethanat e censurën e kohës, autori bukur ka përshkruar ngjarjet në të gjitha tregimet e librit. Përmbajtja e tregimeve ka narracion të bukur në realizim të trajtimit tematikë, e të ruajtjes së botëkuptimit për shqiptarët dhe nga vetë shqiptarët. Pikëvrojtimet dominante specifikojnë, artikulojnë në tregime botëkuptimin e bartur nëpër kohë. Ngjarjet ndërlidhin kohën dhe karakterin e njeriut të atyre viteve, si: vrasjet ndër vete, jeta e rëndë sociale, martesat, botëkuptimi fetar, tradita tradicionale , si dhe heshtja e ndaj dhunës së egër nga ana e pushtuesit. Në këto pikëtakime, e tërë vepra komunikon me gjuhën e njeriut të thjeshtë, e cila bartë e ruan në brendi mllefin e jetës së rëndë e të nëpërkëmbjes nga pushteti i kohës. Që në tregimin e parë “ Kur s`ka diell ndër zemra”, me të cilin edhe hapet libri, autori me elegancë e shkathtësi ka tejkaluar kodin e zbërthimit të ndjekjeve të censurës së kohës. Në tregim kemi shpërnguljen,dashurinë,varfërinë dhe në të autori ka vë pikën e dhembjes, si në : “Ndejtën gati nji javë në Shkup dhe, ma në fund, u nisën..”fq. 15. Krejt kjo ka një përzierje familjesh jevgjish dhe shqiptarësh të ndërrimit të vendbanimit nga Kosova Lindore. Fati i kryeprotagonistit të tregimit Saqipi si pesë vjeçar është bartës i tregimit, i cili përfundon me të këqijat në familjen e tij si pijanec. Në tregimin “Konstantina”, paraqitet jeta e fshatit, jeta e rëndë sociale. Ajo punon punëtore krahu te djali i zotnisë Kola , ai ishte dashuruar në Konstatinën. Ngjarja zhvillohet në vitet 193.. edhe këtu me pak fjalë , autori përmend Shkupin, ajo ishte: “belhollë si lisi i Karadakut e ëmbël si qershija e Shkupit” fq. 27. Konfliktet në tregime paraqiten si raste e ndodhi, por nuk zhvillohen më tej, sepse Ramadan Rexhepi i ka dhënë mundësi lexuesit të kuptojë realitetin e kohës. Në të shtatë tregimet e librit, autori ka paraqitur bukur të gjitha trajtimet e ngjarjeve, duke iu dhënë atyre frymën e kohës, të cilat me shpalosjen protagonistëve përmes narracionit dialogojnë me thjeshtësi në veprimet e tyre. Mirëpo, përmbajtje e tregimeve si tërësi e lidh tërësisht kompleksitetin e popullatës shqiptare të kësaj treve me qendrën urbane të tyre Preshevën. Në çdo tregim kur preket jeta e rëndë sociale , ajo bartë ne vete edhe dashurinë që krijon vështirësi në realizimin e saj. Faktori që ka ndikuar në vrasjen, apo hakmarrjen e këtyre vrasjeve , më shumë i mbetet lexuesit për ta konstatuar, autori e lë të hapur kërkimin e këtyre damkosjeve që kanë marrë jetën e njeriut tonë nëpër rrethanat e kanunet që ka bartur e trashëguar njeriu i shtresave ndikuese. Dashuria si temë në vete, në tregimet e Ramadan Rexhepit,aktualizon përditshmërinë e tyre, ajo vjen e pastër, pa imponime dhe krijon mundësinë e të ardhmes për një botë të lirë, por ajo në të shumtën e rasteve nuk kurorëzon fatit e të dashuruarve. Kështu, në tregimin “Letër vajzës Bonjare”, bukuria e Reqibes përshkruhet me pak fjalë si bukuria e Tanushës, ajo përkundër realizmit të dashurisë së të rinjve, nuk finalizon me martesë. Rrëfimi i komunikimit zhvillohet më shumë në formë të letërkëmbimit në mes tyre. Kjo dashuri nuk realizohet, sepse Reqibja vendoset në Shkup, e Shkupi si duket ka tretur dashurinë e kohës. Në tregimin e fundit “Udhëtarët”, përmbyllet edhe libri. Në parashtrimet e këtij tregimi protagonisti Franjë dhe vajza e tij Zoga, bartin udhëtimet e gjata të banorëve të kësaj treve, duke i ruajtur e ndërlidhur edhe dy konfeksionet fetare ,atë katolike dhe myslimane të shqiptarëve të kësaj treve. Protagonistët e tregimeve jetojnë në një fshat të malësisë së Karadakut, ata janë në kërkim të shkollimit. Mesazhet e të gjitha tregimeve të librit mbeten të hapura, apo më mirë të vetëkuptohen nga lexuesi. Në këtë frymë artistike tregimet e Ramadan Rexhepit, kanë bartur e ruajtur fleksibilitetin dhëmbit të kohës. Ato edhe nga këndvështrimi i kohës së sotme, kanë ruajtur fuqinë artistike,sepse autori me shumë zotësi profesionale ka shkrirë ngjarjet në kohë, për t`i zhvilluar ato në perspektivën e realitetit në letërsi dhe në jetë.
Vepra si tërësi është e rëndësishme për disa fusha të studimit të saj: si në fushën e studimeve gjuhësore, të cilat ruajnë të folmen e kësaj treve të shqipes, pastaj ruajnë nivelin artistik të prozës shqipe në fillim të viteve të gjashtëdhjeta. Ndërkaq, ajo që ka peshë e rëndësi historike është vetë jeta shqiptare brenda dy periudhave kohore, të cilat ruajnë e pasqyrojnë relievin e hapësirës sonë kombëtare. Vëllimi me tregime ” Kumbonaret”, nëse lexohet me kujdes e njohje të rrethanave të zhvillimit të letërsisë, e në suaza të kontekstit kohor, dëshmon në cilësi për fjalën artistike që i ka afruar lexuesit shqiptar të asaj kohe Ramadan Rexhepi. Fjalia ka rrjedhën e saj stilistike, origjinale dhe si e tillë ajo ka komunikuar lirshëm me lexuesin, duke i dhënë mundësinë e përjetimit më të thellë në të gjitha variantet e produktet zhvillimore të proceseve që kanë përjetuar e bartur njerëzit, ngjarjet e kohës përmes fatit të protagonistëve. Konsideroj se tregimet e Ramadan Rexhepit, afrojnë mundësi për njohje të atyre rrethanave historike, njëkohësisht, të japin edhe kënaqësinë e leximit kur përfundon librin së lexuari. Lexuesi ndjen kënaqësi për mënyrën e të shkruarit të fjalës artistike. Kurse dielli e kumbonaret gjithnjë mbeten enigmë e të ardhmes, si kërkim e zbërthim të jehonës së kumbonareve, e shkëlqimit diellor të kësaj hapësire tokësore e njerëzore .

Shkurt 2018

You Might Also Like