Libri

KËRMIJTË E VJESHTËS (Trip-tik për kohën e qullur)

Tregimi që fitoi Çmimin e tretë në konkursin letrar “Flaka e Janarit” 2019

Afrim DEMIRI

KËRMIJTË E VJESHTËS
(Trip-tik për kohën e qullur)

Prej kur vera ishte rrokullisur si shalqin i kalbur tatëpjetës së kohës së qullur, ai jetonte një jetë vjeshtake në qytezën anonime. Çdo ditë merrte në thua në kërmijtë e vjeshtës. Bota e tij ishte mbyllur brenda trekëndëshit vjeshtak;kërmijtë- vjeshta – vreshta. Andaj këtij shkrimi që mëton të jetë tregim mund t’i vihet cilido prej titujve, duke bërë permutime me brinjët e këtij trekëndëshi fiktiv: kërmijtë e vjeshtës, vjeshta e kërminjëve, kërminjtë e vreshtës. Po të vazhdohej me radhë do të fitoheshin permutimet joformale asociative.
Vjeshta dhe vreshta mund t’i ndërrojnë vendet, bile mund edhe të mungojnë, në ndonjë permutim, aman kërminjtë duhet të jenë patjetër aty. Sikur vetë koha e qullur – ajo masë e lagësht, e padukshme – i kërkonte, në mos i prodhonte vetë. Kurrë s’kishte menduar se ajo kafshë(çuditërisht quhej kafshë, në terminologjinë zoologjike, një qenie pa skelet) me tërë ngadalësinë e natyrshme të saj do ta pushtonte të tërin dhe tërë kohën do t’ia shndërronte në kërmillore.
Ashtu thjeshtë, butë, çdo gjë butëzohej duke u përjargur dhe herë-herë duke çitur në shpinë guaskën në trajtë spiraleje. Befas pa një pa dy, para syve të tij shtrihej ligatina e mbushur kërmij. Kërmij në jetë, në vjeshtë dhe në vreshtë.
Po, ku jo?…
Edhe në kujtimet e tij lëviznin duke u përjargur, këto qenie me dy palë brirthë përpara. Ata i ngjallnin parafytyrimin e demit të dajë Zinos, i cili me brirët e tij të praruar si hiqej mendsh që nga fëmijëria plot tmerr. Gjurmët që i linin pas me atë ngjyrë të zbehtë, të alumintë, çdoherë kishin kuptimin e udhëve kah do të ecnin xhindët e natës pa fener bashkë me frikën që e linin pas. Bile sot e asaj dite, kur then arrat e zbrazëta i duket se shkelë mbi samarin e tyre, si atëherë kur e zinte nata në vrapim pas balonave të kuq, dhe një ankth i lagësht i përshkonte trupin.
Në qoftë se ekziston diçka që e humb kuptimin e shpejtësisë, sipas tij, ata ishin pikërisht kërmijtë. Atyre u mjaftonte zvarritja e tyre e përjargur, që t’i linin pas gjurmët e trishtueshme të pajetë. Kur vjeshta pikonte kahdo dhe çdo gjë i nënshtrohej vërshimës së qetë, qeniet e vetme që përjetonin zhvillim të hovshëm ishin kërmijtë. Ata strukeshin dhe thithnin lagështinë e kohës që njerëzve iu kishte depërtuar deri në shpirt.
Atij i ishin bërë shumë, sa që i përgjasonin me ushunjëza që s’largoheshin dot. Filloi të urrejë vjeshtën, shiun dhe çdo fjalë që fillonte me “kër”. Sikur çdo njëra doemos do të kishte mbarimin në kërmill.

(Vjeshta e një vreshte apo vreshta e një vjeshte)

Duke mos mundur të ikte nga ai motiv i qullur i asaj vjeshte të ligë, një ditë, u gjetë në mes të vreshtës me rrush të kuq. Vështronte habitshëm vreshtën, kur pa se më tepër kishte kërmijë se sa kokërra rrushi të kuq.
Duke mos u besuar as syve të vetë, i ndodhte një pasqyrim joreal. Sa ngjyra e kuqe shkonte e binte mbi luspat e kërminjëve dhe sa e përhimta mbi kokërrat e rrushit. S’kishte edhe faj,ishte e pamundur nga gjithë ajo përzierje të dalloje diçka të qartë. Për një çast, i shkoi ndërmend fjala kërmëz që përdorej për ngjyrën e kuqe pakëz të errët në të ndezur, me të cilën grate ngjyejnë fije leshi për çorapë. Ishte mëse i sigurtë se pikërisht nga një pasqyrim i tillë duhej ta kishte etimiologjinë kjo fjalë e rrallë. Ndjeu si dhembje për ngjyrën e kuqe si kurrë më parë, gjithë ata kërmijë mbi të derdhnin të alumintën e tyre. Dëshironte para syve të mos kishte as vreshtën e kuqe as vjeshtën që s’kish të sosur dhe natyrisht as kërmijtë kërmëz. Hamendej të zgjaste dorën të merrte njëkokërr rrush, por s’mund të dinte në prekte në kërmijë të zhveshur apo në kokërr rrushi dhe befas tërhiqte dorën, si pas ndonjë kafshimi.
Ecte nëpër vreshtë dhe nën hijen e kuqe të pjergullës së moçme, kujtonte nënën e tij, që gjë më të urryer në botë s’kishte patur se kërmijtë. Ky kujtim i përforcoi ndjenjën se ishte urrejtja e saj që i ishte bartur në shpirt të tij dhe s’po e lejonte dot të lirohej nga sindromi i quajtur kërmill. I parakalonin ndërmend ato mëngjese të shumta në shtëpinë e vjetër, të cilët i sillnin pamjet e kërmijve të mbytur nga nëna e tij.“Më zgjojnë krupë, andaj i mbys”, thoshte. “Mos më rëndofshin në shpirt! Seç s’ua duroj këtë përjargën e flliqtë”, përsëriste në vehte derisa hidhte mbi ta kripë të trashë deti.
Ai çuditej se si ata tkurreshin nën peshën e njelmtë dhe ngadalë shkriheshin deri në ngordhje. Ishte ky një ritual i mëngjeseve të lagështa që nëna e tij s’e bënte me qejf, por ishte e shtyrë nga një ndjenjë pastërtie, që s’dinte në ishte thjeshtë e tillë apo prekej pakëz nga mania. Dita-ditës në shtëpinë e tyre mbaheshin dy lloj kriprash, e hollë dhe e kërminjëve. Saherë harxhohej kjo e dyta ai binte në hall se ku ta gjente, se nëna s’i duronte dot ata.
Por ja, atij si hiqen dot, ndien sikur trupi iu ka mbushur me vija të gjurmëve të tyre, si tatuazha. Madje i lëvizin edhe nëpër kujtime. Me ngathtësinë e tyre e ndjekin gjithkund, sikur janë bërë imun nga kripa. Në rend të parë s’dinte se a mjaftonte t’i mbyste kërmijtë e të mbaronte vjeshta, a të priste mbarimin e vjeshtës që të zhdukeshin kërmijtë. Sidoqoftë ai bënte jetë vjeshtake dhe luftën e kishte brenda saj dhe kundër saj. Kërmijtë filloi t’i trajtoj si element të brendshëm të mos them si dekor përjargës të vjeshtës dhe vetë atë si mbështjellëse të përlotur të jetës së cunguar. Me këto kuptime të pakonsuliduara për vjeshtën dhe kërmijtë la vreshtën në vjeshtën e saj dhe iku nëpër shiun që binte.

(Perandoria e përjargur e kërmijve)

Nuk i kujtohej në kishte lexuar kund, sëpaku në ekzitonte në ndonjë mitologji të popujve Perëndia e stinëve, apo thjeshtë Perëndia e vjeshtës. Por, mendonte se radha e sundimit në hierarkinë e hyjnive sipas të gjithë asaj që po ndodhte i kishte ardhë atij apo asaj. Në mos krejt Perëndisë ose Perëndëshës së vjeshtës, atëherë do të ketë ardhë deri te ndarja e pushtetit hyjnor ndërmjet atij-asaj dhe Perëndisë së shiut, me kusht për t’u krijuar Perandoria e Përjargur e Kërmijëve me guacë e pa guacë.Perandoria që mund të rrënohej vetëm me anë të krypës së trashë e me asgjë tjetër.
Nga ky fluturim mitologjik iu kujtua mbledhësii kërmijëve si përfaqësuesi më tipik i kësaj perandorie zvarritëse. Murmuroi ndër veti disa herë “mbledhësi i kërmijve”, por në vesh i tingëllonte vazhdimisht si “zgjedhësi i kërmijve”. Pavarësisht nga kjo ai për të ishte një ligavec, një kërmill i zhveshur që pasionin e shfrenuar pas kërmijve e kishte ngritur në çështje ekzistenciale; unë dhe kërmijtë ose kërmijtë dhe unë dhe askush tjetër. Dhe vërtetë shumëçka kishin shkëmbyer ndër veti nëpërmjet lidhjes përjargëse, kështuqë zvarritja kishte prekë si sistemin e tij të të folurit, të ecurit dhe atë tretës.
E tërë lagjia e qytezës thoshte se e ka prekur paraliza e kërmijve. Jo lagjia por edhe qyteza ndiente një si lloj paralize para një orgjie të tillë kërminjësh. E aluminta e tyre veç paralajmëronte fatkeqësinë që mund ta godiste qytezën, e cila në gjithë atë ligatinë që kishte rënë s’dukej më shumë se një kërpurdhë. Në ato momente kur i therrte zemra për qytezën se si i shkoi mendja te gruaja e “mbledhësit të kërmijve” dhe pikërisht te vathët e saj që s’ishin as prej ari, as prej argjenti, por thjeshtë prej guaske kërminjësh të zgjedhur, që i vareshin si dekor përulës i të shoqit.
Brirthët e kërminjëve vazhdonin të ngjallnin ndjenjën e antenave më specifike nga të cilat përhapej kanosja për qytezën.
Nuke dinte si të dilte nga kjo përzierje e qulltë, iu ngatërroheshin kërmijtë, vjeshta, vreshta, lagjia, mbledhësi i kërmijve, qyteza e kush jo. Kthehej dhe strukej në qendër të trekëndëshit fiktiv, pikën e rëndimit duke kërkuar, nga e cila do të provonte ta digjte kohën e qullur dhe gjurmët e aluminta.

Shifra “Ligatina”

You Might Also Like