Gjilan, 16 qershor 2019, “Varg e Vi” –
Qendra për Art Bashkëkohor “Varg e Vi” pasi hapi Festivalin e Video-Artit Urban, me tetë video-artistë ndërkombëtarë, shfaqi në javën e parë të këtij aktiviteti artistik, video-artet e Sam Christie – nga Mbretëria e Bashkuar – në tre projektorët e vendosur në Parkun e Qytetit, në Sheshin e Ri dhe në hapësirën e Bibliotekës së Qytetit.
Në banerin e video-artistit, shkruan: “Sam është një filmbërës, i cili krijoi stilin e tij për të filmuar përmes punës së tij si dizajner i zërit dhe radio-producent. Deri më sot ai ka prodhuar dy dokumentarë të metrazhit të gjatë dhe shumë të metrazhit të shkurtër. Sam është i fascinuar nga peizazhi dhe arkitektura, edhe pse, pjesërisht, kjo ka të bëjë shumë me një obsesion rreth ndikimit njerëzor në peizash apo tablo. Sam dëshiron të parashtrojë një pyetje të thjeshtë: “Çfarë është përfituese apo e mirë për influencën njerëzore?!” Në vitin 2016, Sam kaloi tre muaj në Kurdistanin e Irakut duke bërë një dokumentar në përgjigje të krizës humanitare rreth okupimit aty pranë Mosulit. Ky është ende në post-produksion. Sam preferon të krijojë veprën e tij sipas rregullave, rregullave që mund të udhëzojnë (ose të bëhen) narrativin apo rrëfimin. Inkuadrimi në këtë mënyrë problematizon qëllimisht nocionin e inkuadrimit në vetvete. Ai ka gjetur se duke bërë këtë, ai mund t’i qaset procesit të bërjes së filmave performativisht.”
Rreth videove që u shfaqën në Festivalin në Gjilan: “Airshaft”: Disa vende që ekzistojnë brenda peizazhit nuk mund të interpretohen lehtësisht artistikisht. Kjo mund të jetë për shkak se ato nuk janë të njohura brenda peizazhit, ato nuk janë gjëra të njohura; ato janë të pazgjidhshme. Ky vend – një bosht ajri për një stacion hidroenergjitik – duhej të luhej me goditje për ta sjellë atë të gjallë për audiencën. Tingujt e këtij tuneli të bëra 100 metra thellë, ishin të jashtëzakonshëm.
Video-arti “Interferenca antropogjenike”: Ndërhyrja antropogjenike apo njerëzore është një film që kërkon të zbulojë përmes kalimit të kohës dhe artit të zërit se si qeniet njerëzore shpesh ekzistojnë në kundërshtim me status-quon e natyrës, sesa në harmoni me të. Duke marrë peizazhin e egër të Uellsit, Sam Christie, performon, duke përdorur dritë, një ndërveprim me objektet në peisazhin për të shprehur shqetësimin.
Pas shfaqjes së video-arteve të Sam Christie – nga video-artisti nga Mbretëria e Bashkuar, ai realizoi edhe një bisedë me një grup artdashësish te “Kafja e Egzonit”, duke folur për llojin e artit që bën, ku frymëzohet e kështu me radhë. Secili nga artistët do t’i përgjigjet 10 pyetjeve të standardizuara nga “Varg e Vi”, që lidhen me punën dhe krijimtarinë artistike. Sam ndër të tjerash, theksoi në këtë bisedë: “Vendet e zbrazëta përpiqem t’i ringjalli e t’u jap shpirt. Ka shumë të tilla në vendin tim dhe kudo.” Java e dytë e festivalit i takon video-artistes nga Polonia, Ewa Gorzna, ku do të shfaqen dy video-artet e saj, e më pas do të vazhdojë edhe me shumë video-artistë të tjerë ndërkombëtarë. Publiku gjilanas për dy muaj me radhë, do ta ketë mundësinë për të parë video-artet e zhvilluara në botë prej orës 20:00 në mbrëmje e deri në mesnatë!