Gjilan, 14 maj 2018 – Në 17 vjetorin e rënies heroike, në Zhegër të Gjilanit janë përuruar shtatoret e dëshmorëve Shaban e Sami Ukshini, në një manifesim madhështor të organizuar nën përkujdesjen e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri.
Në këtë manifestim ka marrë pjesë nënkryetari Arbër Ismajli, strukturat tjera komunale, përfaqësues nga policia e FSK, deputetë, shkrimtarë e bashkëluftëtarë të dëshmorëve.
“Prej sot, Shaban e Sami Ukshini i bëjnë roje lirisë së Kosovës. Sakrifica e tyre për liri dhe pavarësi, për ne do të jetë frymëzim i përjetshëm. Kemi punë akoma përpara nesh sepse këta dy kolosë nuk janë pajtuar me këtë hartën ekzistuese dhe unë lutem për ditë më të mirë. Lavdi e përjetshme jetes dhe vepres së tyre”, ka thënë para të pranishmëve nënkryetari Arbër Ismajli, i cili foli në emër të kreut të Gjilanit, Lutfi Haziri.
Kryetari i Këshillit të Fshatit Zhegër, asambleisti i Kuvendit Komunal, Shemsedin Elezi, e ka falënderuar kryetarin Haziri për mbështetjen e madhe për vendosjen e këtyre shtatoreve, duke thënë se tashmë po përmbyllet treshja e madhe e dëshmorëve të skalitur në bronz, Idriz Seferi, Agim Ramadani dhe Shaban e Sami Ukshini.
Ai ka falënderuar me këtë rast edhe aktivistin Shabi Azemi, i cili një javë pas vrasjes, nën rrethana të rënda lufte, ka zhvendosur kufomat nga fshati Maxhere i Preshevës për në Zhegër, për t’u varrosur më pas në varrezat e dëshmorëve.
Shkrimtari dhe publicisti, Sabit Rrustemi, vlerësoi se “Komandant Terri” dhe “Komandant Kingji” u ‘rikthyen’ dhe u ringjallën për së dyti në vendin i cili prej sot e merr epitetin Simboli i Qendresës.
Sami Salihu, kryetar i Kuvendit Komunal të Preshevës, u shpreh se symbol i rezistencës dhe unitetit kombëtar janë vëllezërit Ukshini.
Në emër të familjes ka folur vajza e dëshmorit Shaban Ukshini, Hikmetja, e cila ka falënderuar kryetarin Lutfi Haziri që e bëri të mundur vendosjen e këtyre shtatoreve gjigante.
“Pos mungeës së babait dhe xhaxhait, sot ne ndjejmë një krenari, e cila sadopak na e lehtëson dhembjen”, tha ajo.
Përndryshe, Shaban dhe Sami Ukshini ranë heroikisht në luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë më 14 maj të vitit 2001.