Është mbyllur ndeshja në ballafaqimin e vlefshëm për CEV Cup në mes të ekipit zviceran VFM dhe Dritës nga Gjilani, në të cilin ekipi mikpritës ishte më i mirë dhe ka ngadhënjyer me rezultat të pastër 3:0 në sete. Në setin e parë vendaset ishin më të mira dhe ngadhënjyen me rezultat 25:18. Drita pati një nismë të mirë, por më pas vendaset u shkëputën në rezultat. Mysafiret ia dolën të afrohen deri në katër pikë pas disa shërbimeve të mira, por në fund ishin vendaset që sërish morën lojën në dorë dhe falë bllokut më të mirë ngadhënjyen në setin e parë.
Gjilanaset kanë luajtur më dobët në setin e dytë, të cilin e kanë humbur me rezultat 25:14. Kësaj radhe pati shumë topa të humbur nga vashat e Dritës, të cilat në asnjë moment nuk mundën t’i bëjnë ballë ekipit vendas, të cilat duke parë ngritjen e Dritës në fund të setit të parë, lojën e morën më seriozisht dhe me meritë ngadhënjyen në setin e dytë.
Paraqitja më e mirë e Dritës ishte në setin e fundit, kur vashat nga Gjilani ishin plotësisht të barabarta dhe në një moment rezultati ishte 14:14, por që nga ky moment lojtaret e Dritës ngecën dhe pranë rezultatit 19:14, kryetrajneri Lorik Ilazi kërkoi një time out, nga i cili vashat e Dritës ndërprenë serinë pa pikë të këtij mesi të setit, por kjo ishte vetëm përkohësisht ngase vendaset sërish u shkëputën dhe në fund e mbyllën setin me rezultat 25:16.
Me gjithë humbjen e pësuar lojtaret e Dritës mund të thuhet se patën një paraqitje të mirë.
Ndeshjen e ekipit të Dritës e përcollën shumë bashkatdhetarë tanë që punojnë në Zvicër dhe vende të tjera në Evropë dhe ata po e përkrahin ekipin tonë. Ndeshja e kthimit luhet pas një jave në Gjilan.