Shënimi i Ditës së Mësuesit, 7 marsit, këtë vit në Gjilan ishte i veçantë. Pos pjesës foljore, ku u fol për rëndësinë që ka mësuesi në shoqërinë tonë, në të u shfaq edhe një program i pasur muzikor.
Shkolla e Muzikës, Orkestra e qytetit, solistet Lumturije Shabani, Greta Azizi dhe Elona Sadiku dhe kori i Shkollës së Muzikës, që u drejtuan nga dirigjentja Florentina Rushiti i dhanë edhe më shumë atmosferë festive kësaj ngjarje të shënuar për arsimin shqip.
E veçantë e këtij manifestimi ishte edhe paraqitja e dy shkollave nga Gjilani, Shkolla e Mesme e Ultë “Selami Hallaqi”, ku u paraqitën mësimdhënëset e kësaj shkolle, që të gjitha të veshura me kostume kombëtare, që njëkohësisht ishin soliste dhe ato ishin të shoqëruara nga kolegët e tyre që i përcollën me çifteli, duke interpretuar një mori këngësh popullore e folklorike nga të gjitha trojet tona.
Një paraqitje mbresëlënëse patën edhe profesorët e gjimnazit, të cilët gjithashtu u paraqitën me një këngë popullore. Qazim Kryeziu (profesor i muzikës) ka luajtur në harmonikë, Enver Rexhepi (profesor i biologjisë) që luajti në violinë, Enver Hasani (profesor i kimisë), që luajti me def dhe Tahir Dalipi (profesor i gjuhës frënge) që luajti me klarinetë dhe njëherit ishte edhe solist.
Gjithashtu edhe udhëheqësja e programit Shqipe Sijarina – Jakupi, profesoreshë e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” i është kthyer pasionit të saj të dikurshëm – moderimit.
Këto pika muzikore janë pëlqyer nga publiku, i cili ka duartrokitur performuesit.