Libri

SH E N D E R A

Mehmetali Rexhepi

SH E N D E R A

(Sipas dëshmisë të mikut tim H. K.)

Shtëpia e magjishme e fshatit T, që i drejtonte rrezet e buta në trutë e të rinjve, viteve të shtatëdhjeta nisi të stolisej edhe me lule të gjalla ngjyrash të ndryshme të sapo çelura. Këto ngjyra frymonin të ndrojtura, në çaste ishin lozonjare, me shikime përpirësi, kureshtare për çdo depërtim rrezesh, që u vinte ose u rrëshqiste tej vëmendjes. Përballë kishin një burim të gjallë dhe, prej rrudhave të atij burri a babai rridhte një freski e fjalëve të kulluara, të padëgjuara… Rrudhat haseshin kudo në atë malësi, tek secila fytyrë e ballë burri; më të theksuara ishin përroskat e druvarëve. Iu dukeshin sikurse rrotat e ngarkuara me barrë të rëndë drush, mbi tokën e butë të pashtruar me gurë, që linin gjurmë vijash. Gjurmët i thante dielli pas shiut dhe mbeteshin të theksuara, vija të pjekura. Burimi, që rridhte brenda orësh të shënuara prej tingëllimës së ziles, lehtësisht kapërcente shtegun e ndrojtjes fillestare, kishte diçka joshëse, diçka atërore për dy lulet e gjalla të Malësisë së Gallapit. Ato lule malësie mund t`i ndalnin pos shtrëngatat, acaret e dimrave të egërsuar, Përroni i Madh kur harlisej, ledhet e borës… Veçse ajo shfaqje egërsie do t`ua mbante peng grishjen e asaj cingërime, magjinë e atyre klasave me gumëzhime, cicërima…

* * *

Rrënjët u ishin shkulur prej barbarëve të stepave, të cilët e shtrinin acarin e zhbërjes së etnisë nga Nisi e këtej deri te Manastiri. Të parët e luleve nuk i ngazëlloheshin fotosintezës së dytë. Në gjenin dhe vijimësinë e krenarisë tyre, pos kronikës të gjëmës së zhvendosjes, si drithërima të herë pas hershme të atij tërmeti, meqë gjëma ishte shuar, assesi kishin pushuar dëneset, ofshamat, as shikimet e mbetura akuj mbi e nën dheun e varreve. Nofka e të qenit “muhaxhirë” sikur ua shpaloste vurratat e pakëndshme, të cilat nga trupi u kishin hyrë në trupin e shpirtit të padukshëm… Brezat e një pas njëshëm me një ngrohtësi të rikthyer, mund ta shkrijnë akullin shekullor për vegjetimin e ri. Ardhësit sërish do të kenë përballë klimën e stemës së ftohtë, me drapërinj për vazhdimin e korrjeve të tyre dhe, me kokë nën kudha me drapër e çekan… Pandemia e asaj steme ishte shtrirë edhe këtu, si njëmendësi e dergjës në Botën Ortodokse Lindore… Zyrat e zeza ardhësve ua kishin fshirë emërtimet burimore… Si? Duke iu vënë mbiemra harrestarë burimesh! Zyrtarët zijosh kishin reflektuar, që e zeza e tyre të verbonte një etni të tërësishme; mirëpo Zotin e padukshëm të unit nuk kishin mundur ta kapnin për ta prangosur, as ta zhbënin, as ta tjetërsonin për forcën e mbijetesës që ushqente hapësirave të paarritshme të ndërdymes… Ai Zot ushqyes shpresash nuk i përkiste Allahut të arabëve, as Allahut të osmanëve, as Bog-ut të sllavëve… Në emër të atij Zoti, që ruajti farën e gjenit tonë, nuk kishim prerë koka, as djegur e therur foshnja të njoma!… Ishte Zoti, Ai Zoti i mirëfilltë me bashkëveprues hyjnish të pastër, por të kontestuar në emër të Zotit e hyjnive gjakatare!…

Arkeologjia, toponimia, etnografia, etnologjia, pothuajse krejt onomastika ishin dije të padëshiruara, të mohuara për anasit e kësaj gjeografie! Madje, edhe flora “Molla e Kuqe”, renditej në regjistrin e tabuve! “Molla e Kuqe” pigmentin e kuq e kishte thithur prej lëngut të gjakut të dardanëve…

Barbaria i bie ndesh qytetërimit!…

* * *

Miku i Motit Kumtari, për të cilin Moti nuk mbante kod, as çelës për t`ia zbërthyer kodin, pas ecejakeve të shpeshta udhëve të sheshta, si dy shpirtra shtegtarë, e mori Motin të ngjiteshin në një lartësi, që iu përkiste dëshmorëve me pushkë në dorë. Maja ishte e lartë, por e denjë për prehje pranë dëshmorëve. Ulen për s’lodhje me kujtimin e tyre, mes asaj kronike të përgjakur, së

cilës i shkëpusnin përfytyrime… Disave që nuk u duhej ajo kronikë, thoshin: e shkuar dhe e harruar, mos u përsërittë më dhe, i kthenin shpinën!

Sheshohej formula e indiferencës kësisoj:

– Kemi përpara jetën, pse të merremi me pengun e së vjetrës?

Përfytyrimet para tretjes diç pëshpëritnin, duke u rikthyer në vellon e qetësisë… Përderisa brodhën lakores për të përmbushur të rëndomtën e ecjes vertikale; shtohej rruga e ngarendjes për ndonjë kilogram specash djegës për ta shpërthyer betonin e kapsit kronik…

Ato përfytyrime në këtë mjedis, gjithnjë ktheheshin kokë-poshtë dhe liheshin prapa shpinës, nuk u lihej shtegu të dilnin përpara…

Pak para ngritjes për zbritje tatëpjetës, Kumtarit, si duket, iu kishte shfletuar shiriti i kthjelltë i përfytyrimeve, meqë tek ai kishte gjetur shtegun e hapur. Tok me përfytyrimet e tija, Moti e Kumtari zbritën në vitin një mijë e nëntë qind e shtatëdhjetë.

– Mot tatëpjetës të kesh kujdes!

– Pushtimi i rrëqethjes mund të rrokulliste tutje…

Për dy vajzat ofiqari pa pëlqimin e prindërve, u kishte vendosur mbiemrin e njëjtë. Djallëzia e regjistrimit me mbiemra të njëjtë, pa përkatësi të së njëjtës vatër, fshihte toponimin e preferuar të prejardhjes. Që të dy vajzat kishin emrin Shendera, por dhe mbiemrin Buzuku; ndonëse nuk kishin lidhje të përbashkët, as ishin përkundur nga i njëjti djep! Vajzave Shendere nuk kishte çka t`iu falte varfëria. Mbi ato kishte vënë dorë një mjeshtër skulptor, një piktor, ajri i hollë, gurgullima e kroit të kulluar, veshja e blertë e gjetheve, shushurima e lisave, kozmetika e majit, flladi i hijeve të korrikut, frymëmarrja e fierishtës vapës së gushtit… Saçi që përskuqte petët e vakërrimës u hidhte përskuqje çikave fytyrës. Malësia kishte hiret dhe egërsinë, por dielli, hijet, bora, akujt, kaltërsia mbëltuan klorofilin, rremat, petalet dhe hijeshinë e vajzërisë.

Klasës të Shtëpisë së Magjishme, njëra i sillte llambën e fytyrës në këndin e hirtë të ngrehinës, tjetra hijen shkëlqimit lëbyrës të dritës. Jo një herë, me emër e mbiemër i ngatërroje, por i dalloje me shpërfaqje ngjyrash. Tek njëra vezullonte bardhësia, tjetra vezullimit të bardhësisë i stiste hijen, mes kontrastesh valëzonte bukuria… Nga bora e sapo shkrirë, në atë fytyrë të Shenderës, e lumja natyrë kishte harruar pa e fshirë bardhësinë e saj të borës. Shendera hije-zeshkët lyhej me korrikun e gushtin, me rërën e plazhit, të cilin ëndrrat në fjalorin e vet, nuk ia shënuan si emër konkret! Deti ishte sinonim i një uji të shumtë… I largët, i paprekshëm…

* * *

Dimri në malësi nuk dorëzohej lehtë. Stina e tij urdhëronte t`i afroheshe prushit, stufës me unët që digjen. Duke e mbajtur sa më gjatë sundimin, ai fshihej përrenjve, zotëronte majën e malit, futej grykave të thella, prapa lisash shumë degësh, lugjeve, atje ku pranverës së brishtë i shqyhen kostumet e ngjyrave solemne. Doemos do të ketë ftohtësi dhe, i ka hije zjarrit për t`ia hedhur nga dora darët reumës. Reuma e stinës të qaset sikurse hiena tinëzare, pa e hetuar t`i ngul dhëmbët sharrë në muskuj dhe eshtrat e zhveshur prej tulit. Pranvera e vonuar vinte me shi për t`ia larë almiset dimrit. Nëna, atyre ditëve, jo si rëndomë, e mbështillte me shikime të gjata, madje mëtonte ta mbante të lidhur për vete Shenderën zeshkane, si të ishte një robëreshë e rrezikshme… Si për kob, ajo mëtonte ta lidhte dhe, asnjëherë të mos e zgjidhte, me shumë fije penjsh për shpirtin e saj. E kishte kapluar një përmallim dhe gufshim i mbufatur pranveror!… Ajo vocërrakja e dikurshme, e hajthme tashmë çatisi një vashëz shtat-drejtë, kraharor-fryrë, bel-gushe, me bukuri të shkrirë me të zeshkëtën. Ndjenja e zgjuar për rritën e Shenderës e tundi nënën… Ishte një duf amnor, një qasje gllabëruese asaj dukjeje, atij gufimi sikur kërpudhat pas shiut të ngrohtë veror… Një dashuri që mori përmasë jashtë asaj të përditshmes, kishte ngelur e pavërejtur…

– Uffaa! – Ofshau nëna.

– Mos t` marrsha msysh oj çikë!

– Ta marrtë t`keqen nana!

Në kujtesën e nënës hyri tundimi i gufimit të tëmblit të vluar tej mase, mandej derdhja e tij jashtë kazanit dhe, dhe era e rëndë e shkrumbit…

Nëna u përmend në vorbën e gjirit të saj amnor… Përnjëherësh iu mbështollën dy ndjenja përjashtuese: gëzimi përcëllues dhe pikëllimi shqetësues… I erdhi një tjetër ofshamë dhe shqiptimi si trajtë çlirimi prej ofshamës:

– E baftë Zoti hair oj bi!…

Me pështymën e lidhur në fyt, nëna nga oborri vajti pas rangëve të shtëpisë. E kishte kazanin me tambël të pa vluar për ta zënë djathin, shikonte ku e kishte lënë hirrën-tharmin për djathë:

– Qyqja unë! Shumë pom pshtillen kto rangë-vazhdoj t`i ankohej vetvetes:

– I lumi Zot, pse po i harroj krejt senet ku i kam?!

Djali i madh Bamiri, vëllai i Shenderës kishte zbritur në qytezë, as babai nuk dukej. Një shi i vrullshëm i pas mesditës të së premtes, pasi kishte kapluar Malin e Madh, e sollën retë e zeza dhe e përplasën edhe mbi rrafsh-lartën e fshatit T. Zbrazej shiu me bubullima, litarë vetëtimash degëzimesh të zjarrta tmerruese, ndonjë gjyle topash lëvizës të rrufeve shpërthente diku… Tmerri sillej mbi çati, mbi maje lisash dhe kokash jashtë çatish!… Mes kësaj vorbulle të shtrëngatës gati ishte harruar kali në livadh, i lidhur me litar për trungun e lisit! Kali përpiqej të shkëputej prej litarit të tokës dhe, litarëve të zjarrtë të herë pas hershëm të qiellit… Barotin e gjyleve të rrufesë ende nuk kishte arritur ta fikte shiu… Nëna për mëshirë të kalit luti Shenderën, ta zgjidhte kalin dhe ta binte në ahur.

– Gjynah oj bi, kali në shi!

Shendera doli me vrap, por duke zgjidhur nyjën e litarit, e shtrënguar fort nga tërheqja e kalit, po vonohej… Godet çasti fatal i një gjyleje të rrufesë mu mbi trupin e Shenderës! U shkundulluan lisat, u flakërua oda, u trondit dhe u shurdhua nëna për disa çaste, digjeshin degë të lisit ku lidhnin kalin!… Parandjenja e kobshme e nënës fluturoi në livadh dhe, thirri me gjithë forcën e zërit ngjyrë ndryshuar:

– Shendere, Shenderë, oj Shendere ku, ku je, ku jeee, a po nieen?!

Asnjë pipëtimë zëri të Shenderës, pos ushtimës së bubullimave dhe shiut të dendësuar…

– Qyqja unë për Shenderën, ma paska mytë reja!

Me gjymtyrë të këputura nyejve, me forcën mbinjerëzore të amësisë, nëna arriti te vendndodhja e kobit! Klithmën e vajin mbi trupin e nxehtë e të nxirë të çikës, ia rrëmbyen radhët e bubullimës… Babai së toku me fqinjët tërhoqën vajzën e shkallmuar dhe e shtrinë në odë. Nënën e Shenderës e mbanin përkrahësh dy gra fqinje… Shiu i lotëve dhe vaji përshkonte fytyrat e kësaj vatre të goditur… Të gjithë ishin të mpirë! Askush nuk dinte se çka të bënte para kësaj ndeshtrashe. Ndihej veçse rënkimi zemërplasur i nënës për bijën dhe, puthjet e saj mbi faqet e nxira të Shenderës prej baroti:

– Ah Shendere , Shendere! Unë, zezë-dita jote ëëë, ëëë, ëëëë, ooh, oooh, ooh, ohaaa!…

Tashmë Shendera e shtrirë, dikush ia kishte larë fytyrën, nënës i dukej edhe më e madhe se sa duhej të ishte për moshën që kishte.

– O Zot rujmi mentë! – U shkreh sërish përvajshëm nëna.

E ngopur prej vajit, nëna nuk kishte zë për të nxjerr… I dilnin vetëm ofshama të një pas njëshme… Akëcila e zuri përkrahu dhe e qortonte:

– Nalu, mos bon kshtu moj!

– Çka vjen prej Zoti s`kem çka bojmë!

Shendera e bardhë sy-ënjtur vështronte nga një kënd e mpirë, e heshtur, sikurse t`i ishte këputur edhe asaj një gjymtyrë e trupit. Kësaj iu trazua vëmendja nga e folura e mamit të motakes:

– Oj gra, oj motra ma ka nie zemra… Uuu,uuu uuuh… Loçka e nanës!

– Përpara shtatë dite nuk mujsha mja hjekë sytë çikës… Për kob…

Gjëma e rrufesë së papritur mbi “evlatin” e kësaj nëne, kishte trashur shkrumbin në buzë e në shpirt të saj. E tërë logjika ishte rrudhur në dhimbje, por kjo nuk mund të mbahej gjatë… Jeta i lyp rangët e veta. Trupi i Shenderës nuk ishte prekur nga dorë e mjekut, as prej ndonjë ndihmës mjeku! Njoftuan hoxhën si përfaqësues shpirtëror i fshatit T. Hoxhë Tabuja një autoritet shpirtëror ende i pacenuar i fshatit T, preferoi varrosjen e vajzës:

– Asht gjynah mos me e vorrosë gjenazen teri n`aksham!

* * *

Shenderën e gatitën për varrosje të mbështjell me qefinin e bardhë, pa fustanin solemn të nusërisë! Atë çupë shpirt shtalpake miopia njerëzore e shpinte në një vdekje të parakohshme dhe tejet mizore! Muzgu i një bezdie ceremoniale e korit në arabishte dhe, me peshën e dheut, do ta gëlltiste trupin e njomë të Shenderës. Shpirti i saj le të mbetej në kundërmimin e tokës së lagur pranverore, në florën e botanikës shkollore… E ndodhura e vajzës preku dhe zgjoi ndjesi, aq sa t`i lanin sytë e pikëlluar moria e frymorëve, që për ironi u mungonte “uji i zem-zemit”, por jo i kulluari i këtyre bjeshkëve të malësisë! Dogma mesjetare ishte shtrirë mbi frymorët në gjerësi e gjatësi, në çdo kënd, në çdo sferë të shpirtrave të dorëzuar. Ajo kishte pushtuar lirinë e shpirtit… Rregullat e Perandorisë Shpirtërore duhej zbatuar preras. Kokat mendje-topitura e kishin pjekur mendjen, se përtej Librit të Shenjtë s`ka kurrgjë tjetër!… Nuk mbetej udhë dalje tjetër prej kësaj bote të rreme, pos përuljes së devotshme Pejgamberit dhe, të fusje kokën me bindje në zgjedhën e idhullit të lajthitur arab!

Preferencat e hoxhë Tabusë e përshpejtuan varrimin e Shenderës; brenda dy-tri orësh të së njëjtës ditë, para atij muzgu të kobshëm pranveror!

* * *

Në qytezën D ishte ditë tregu. Druvarët ktheheshin nga tregu udhës së rrahur për ecejake shkëmbimesh me karroca kuajsh. Në Gallap varrezat hasen kryesisht skaj udhëve. Disa druvarë duke u kthyer prej tregut të ditës, për habi kishin dëgjuar rrapëllima brenda varrezës së re?!

Druvari druvarit:

– Hej, a njeve diçka n`vorr?

– E njeva ni t`krisme…

– Sa e shtirë asht nata e parë e vorrit!…

– Na e boftë Zoti t`letë dekën o Namon!

Ndodhia trishtuese e rrapëllimës nën varr, ia përtrolliste hoxhë Tabusë ligjërimin e iluzioneve për botën e tej-varrit…

– E shtirë nata e vorrit…

– Çashtu qysh na ka thanë hoxha n`xhami… – tha njëri nga ngushëllimtarët.

Druvarët:

– S`na ka bo vaki, po tue kapërcye për drumi e niem vetë natën e parë t` suhalit!…

– Nji Zot e di sa shumë u përpjek i dekmi!…

Ligjëratat e përsëritura të xhumave për “ditën”e gjykimit, për Xhebrailin, për melaqet, ndonëse të tejdukshme, kishin lëshuar rrënjë të thella në koka me shtresime të cekëta mendjesh. Shpirtrat e trishtuar prej ndjekjesh të shajnive, mëtojnë të kapen edhe për një fije bari, për t`i shpëtuar rënies në honin gllabërues… Ata shpirtra të brishtë, të thyeshëm lehtë para çdo furtune, të lakueshëm, harkëtarë në duar shigjetarësh me aureola shenjtërie, mes shajnisë dhe dogmës, do t`i jepen të dytës, kësaj tiranie shekullore, që pothuajse pushtoi edhe kozmosin e ndërdymes njerëzore!… Ndaj, kot nuk është thënë: luaje mace kryet e buallit! Bindja e burgosur brenda

mureve të dogmës ushqehet me opiumin e saj. Herezia kundruall turmave të dozuara me opium të tillë, në emër të Lartmadhërisë, i qofshim falë, të kurdisë varrim për së gjalli dhe anatemën poshtëruese! Megjithatë, boshti i rrotullimit të globit në udhën harkore të ekuinoksit, nuk është as në vullnetin, as në duart e “Shenjtërve.” Kokat e “rebelëve” të mëdhenj, ndesh tiranisë së “idhujve”, para lumturisë me përulje të përjetshme, të vërtetën nuk e shkëmbyen për pendesën për mos-djegie mbi turrë drurësh zjarri! Të “anatemuarit” e mbuluar me mallkime, se dheu i “mallkimeve” nuk i mbanë; dalin në periudha të caktuara dhe dëshmojnë për helmin e opiumit të moderuar…

Kumtari:

– Mot prej nga dolën këta lugetër modern?

Moti:

– Nga ata të cilëve iu mallkuan varret!…

Tjetri luhatej ngadalë, sikurse të kishte hipur mbi një peshore, e cila nuk shënonte numra gramësh, as kilogramë.

* * *

Drushitësit e mendësisë së hoxhë Tabusë, ndoshta të frikësuar, ndoshta për mos-bërje të ndonjë sakrilegji, pa u ndalur gjatë do të ikin në shtëpitë e tyre. Dëshmia e rrapëllimave nën varrin e ri, do të dalë prej njërës gojë dhe do të bartet gojë më gojë, do të bëhet legjendë… Akëcili sish, me mendje thikë të mprehtë, kishte shqyer qefinin e aktit të mbaruar, që erdhi prej dogmës së Tabusë:

– Nuk ka pasë natë t`suhalit…

– Kurrkush nuk asht marrë me të vdekmin mrena vorrit…

– Mrena vorrit me trupin e të vdekmit mirren veç krymat…

Padija e përtrollit vullnetin e Perëndisë sido që i vjen… Personazhet e fantazmave janë në brendi të gjallëve… Ata i shërbejnë pararojës së dogmës… Tirania e dogmës shfaqet në trajta të buta, madje mallëngjyese dhe ndëshkon përmes trajtash të egra, tejet të padhembshme!

Akëcili prej morisë së të përulurve i pabindur, porse me një shqisë tjetër të nuhatjes, do t`ia heqë frerët e kalit intuitës së vet. Rrapëllimat ishin thonjtë, këmbët, zëri i mbytur i protestës, duke qenë ende gjallë viktima nën dërrasat e dheut të rëndë! Me bindjen e tillë, filani vjen te vatra e pikëlluar për të dëftuar, çfarë kishin ndier shtegtarët kalimtarë nën dheun e atij varri të ri…

Tashti dhimbja do të merrte trajta të trishtimit dhe të pengut të dyfishuar! Përmasa e gjëmës trashej dhe helmonte dhimbjen, sikurse një thikë e ngulur dhe e harruar në trupin e viktimës!?

Rihapej dhimbja…

Babai i Shenderës, Fati me disa fqinj hapin varrin dhe, çka panë: Shenderën e vdekur, por qefini i shqyer, nyjat e gishtave dhe balli i përgjakur, sytë e hapur, gati të dalë, të mbushur me pluhur dheu!… Fatit iu terratisën sytë dhe ra në stom të varrit! Dikush i fërkoi qafen, ca të tjerë lypnin ujë t`ia lanin sytë…

* * *

Pas mbytjes së dytë me dërrasa dhe qindra kilogram dheu mbi dërrasat dhe trupin e vajzës, Shendera më parë ishte goditur nga shkarkimi i energjisë së rrufesë tek lisi i livadhit në afërsi të shtëpisë. Meqë varrosja ishte kryer shpejt, asaj ia kishte thithur rrymën dheu përreth trupit dhe, gjymtyrët e shtangura ishin çliruar e forcuar. Andaj, ajo me gjithë forcat e mbetura mbinjerëzore, ishte përpjekur deri në grahmat e fundit të frymëmarrjes, duke i shtyrë ato dërrasa e dheun mizor ngufatësh mbi trup të saj! Dërrasave u kishte mëshuar me grushte, me thonj, me kokë, me këmbë, përderisa i ishte shpenzuar dhe vrushkulli i rrymimit të ajrit!…

Druvarët pa esëllti të zgjuar prej gjumit të indiferencës, vajtën vijës së drejtimit të tyre, duke mos u përqendruar në kumbimin e dëgjuar nga varri, për ta hapur atë mynxyrë fatale!…

Shendera u sprovua me fatalitetin e dyfishtë të vdekjes!

Më në fund: të gjithë u bindën se Shenderën e kishin varrosur të gjallë?!

* * *

Zbritën tatëpjetës së malit të fëmijërisë së Kumtarit, të mbushur frymë, me ritme të shpeshtuara të zemrës dhe të diafragmës, me pikëpyetje dhe pikëçuditje të një pas njëshme, pa përgjigje. Brenda dyzet vjetarëve, rrëzës me drunj të rralluar, banorët e shtuar ia lypnin hapësirën për ngastra vetjake.

Kumtari ndezi një cigare dhe nga mbresa e legjendës së varrimit solli dhe një pohim:

– Kur e kishte parë hoxhën t`i vinte për ngushëllime Fatit, nëna e Shenderës në mes grave kishte thënë:

– Ori motra, kur e shoh ftyren e kti hoxhe m`doket sa herë flet, pej gojes ti del ka i gjarpën i zi!

* * *

Lisi, livadhi, kali, litari, Shendera, rrufeja, nëna… Nëna, rrufeja, Shendera, litari, kali, livadhi, lisi… Ishin gjësende, hapësira, dukuri frymore e jo frymore, që i bartte kujtesa dhe i rrokulliseshin Motit në kokë, sipas rendit të kujtesës. Të gjitha këto sende lëndore frymonin në mënyrën e vet, kishin aromat e veta, tik-taket e pulsimeve, dhënie-marrje të mirash dhe ndëshkime… Bari i jepej kalit, kali i jepej kalorësit, vapës i jepej hija e lisit, acarit drurët e zjarrit. Shendera do t`i jepej djalit, atij anonimit, por tepër, tepër ngutshëm iu dha dheut… Po rrufeja, kujt i jepej rrufeja, kjo gjaknxehta dukuri?! Rrufeja i jepej stihisë…

Moti deshi t`ia pohonte Kumtarit, ndonëse me gjysmë zëri matej, por i doli në pah pohimi i tij:

– Asnjë herë mos i dil stihisë përpara!

– As prapa mos i shko! – e përmbushi pohimin Kumtari.

Diskursi i dialogut ende vijonte për rrufenë… Edhe rrufeja i nënshtrohej dikujt, i shtrohej rrëkeve të shiut. Derisa shiu mblidhej për tu derdhur, rrufeja përvidhej për ta zbrazur mllefin e pa zbrazur të njeriut të heshtur…

– Përse rrufesë nuk i pritet? – befas pyeti Kumtari.

– Nuk i pritet ngase vrulli i shiut do t`ia lagte barotin e pushkës!

Ajo tekanjoze përplasësh jonesh, nxjerr vetëtimën dhe hedh gjylet aty dhe atje ku nuk i është vënë freri…

* * *

E kishte pësuar prej rrufesë edhe lisi, që e prenë për koruben e arkivolit. Kur e kishin nisur për tek varri Shenderën pesë herë kishte hingëlluar kali, i cili e pati nuhatur erën e Shenderës!

* * *

Kumtari e thithi cigaren me pasion, e hodhi dhe e shkeli me njërën këmbë duqin e mbetur. Mori frymë aq sa diafragma e tij ngjiti dhe zbriti pozitën e trupit. Ofshani. Ofshama ishte përmbledhje e gjithë lotëve, e të gjitha dhimbjeve të vjetra e të rejave, të fashitura dhe të pafashitura, të një fëmijërie të përmbysur…

Gjilan, nëntor 2020

You Might Also Like