OPINION

Uniteti politik dhe artikulimi i përbashkët në përfaqësimin parlamentar dhe në Këshillin Kombëtar Shqiptar

                              Shkruan: Refik Hasani

Krahina e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, në funksion të artikulimit të një platforme të përbashkët politike, duhet domosdoshmërisht të dëshmojë unitet, harmonizim të qëndrimeve dhe konsensus politik ndërmjet subjekteve të saj politike, jo vetëm në rrafshin e përfaqësimit në parlamentin e Serbisë, por edhe në kuadër të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe të kuvendeve komunale të këtij Rajoni.

Zgjedhjet për Parlamentin e Serbisë, të mbajtura më 25 tetor, dhe zgjedhjet për Këshillin Kombëtar, të zhvilluara më 8 nëntor, përfaqësojnë dy procese zgjedhore të niveleve të ndryshme të përfaqësimit politik dhe institucional.

Ndonëse dallojnë për nga kompetencat dhe funksioni përfaqësues, të dyja këto procese zgjedhore kanë rëndësi thelbësore strategjike për konsolidimin e subjektivitetit politik, forcimin e kapaciteteve të përfaqësimit institucional dhe afirmimin e pozitës kolektive të shqiptarëve në Republikën e Serbisë.

Rëndësia e këtyre proceseve zgjedhore nuk kufizohet vetëm në hapësirën e Krahinës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, por shtrihet edhe në Krahinën e Sanxhakut, dhe gjithëandej Serbisë, duke përfshirë një dimension më të gjerë të artikulimit dhe mbrojtjes së interesave kombëtare, politike, kulturore dhe institucionale të shqiptarëve në të gjithë territorin e Republikës së Serbisë.

Në këtë kuptim, përfaqësimi parlamentar dhe ai përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar, ’’Koalicioni Shqiptar’’, duhen konceptuar si mekanizma komplementarë dhe të ndërlidhur të artikulimit, përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesave kolektive, çka imponon një qasje të koordinuar, harmonizuar, unifikuar dhe ruajtjen e unitetit përfaqësues dhe qëndrueshmëri në artikulimin dhe avancimin e kërkesave politike, institucionale dhe të drejtave legjitime të shqiptarëve.

Në këtë rast, vëmendja përqendrohet te zgjedhjet për Këshillin Kombëtar, në të cilat subjektet politike shqiptare garuan përmes katër listave të veçanta zgjedhore, ndërsa në zgjedhjet për Parlamentin e Republikës së Serbisë u përfaqësuan përmes një liste të përbashkët, pas arritjes së një marrëveshjeje politike ndërmjet tyre.

Megjithatë, ky dallim në qasjen dhe modalitetet e konkurrimit zgjedhor nuk duhet të shndërrohet në burim të përçarjes apo të fragmentimit të unitetit politik dhe institucional në procesin e konstituimit të Këshillit Kombëtar. Përkundrazi, përbërja e këtij institucioni, zgjedhja e kryetarit dhe funksionalizimi i strukturave të tij drejtuese duhet të mbështeten në parimet e bashkëpunimit, gjithëpërfshirjes, përgjegjësisë institucionale dhe përfaqësimit kolektiv, duke pasur si pikë referimi interesin e përbashkët të shqiptarëve në të gjithë territorin e Republikës së Serbisë.

Unë, si bir i kësaj Krahine, vazhdoj të përcjell zhvillimet e saj dhe jam përpjekur të hulumtoj e të publikoj vështrime mbi to, nuk dëshiroj të shoh mungesë uniteti ndërmjet përfaqësuesve tanë.

Në këtë frymë, konsideroj se nuk duhet të përsëritet përvoja e 12 shtatorit 2015, kur, në mbledhjen e përbashkët për miratimin e Deklaratës, nuk morën pjesë dy subjekte politike, ndërsa të pranishëm ishin vetëm 43 këshilltarë komunalë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, e jo të gjithë këshilltarët komunalë shqiptarë të tri komunave.

Po ashtu, nuk është në interes të kauzës dhe aspiratës së përgjithshme të këtij Rajoni që të përsëriten përvojat e mëparshme institucionale, kur, ndonëse zgjedhjet e rregullta për Këshillin u mbajtën në nëntor të vitit 2022, subjektet politike shqiptare, për shkak të përçarjeve dhe thellimit të mospajtimeve ndërmjet tyre, nuk arritën ta konstituonin Këshillin brenda afatit të përcaktuar ligjor. Ky dështim institucional ishte pasojë e mungesës së konsensusit politik dhe e bllokadave të krijuara ndërmjet partive politike shqiptare të kësaj Krahine, lidhur me zgjedhjen e kryetarit të ri të këtij institucioni.

Si pasojë e moskonstituimit të Këshillit Kombëtar Shqiptar brenda afatit të përcaktuar ligjor, për shkak të mungesës së marrëveshjes politike ndërmjet subjekteve shqiptare për zgjedhjen e kryetarit të ri, ministria përkatëse serbe ndërmori masat ligjore, duke emëruar një Organ të Përkohshëm për ushtrimin e funksioneve të Këshillit. Si rrjedhojë e kësaj rrethane institucionale, Krahinës iu desh t’i nënshtrohej sërish një procesi të plotë zgjedhor, pa u arritur paraprakisht konstituimi i Këshillit Kombëtar Shqiptar. Kështu, në janar të vitit 2023, u zhvilluan zgjedhje të reja, të imponuara nga pamundësia për të kapërcyer bllokadën politike dhe për të përmbyllur procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të këtij institucioni.

Mungesa e unitetit të dëshmuar, e shoqëruar me mungesën e vullnetit dhe të gatishmërisë politike për të mundësuar zgjedhjen dhe funksionalizimin e Këshillit, krijoi dhe thelloi ndarje të konsiderueshme ndërmjet partive politike shqiptare, me pasoja të shumta për përfaqësimin dhe artikulimin e interesave të përbashkëta politike e kombëtare. Në vend të unitetit, harmonizimit të qëndrimeve dhe konsensusit politik, kjo gjendje e largoi edhe më shumë mundësinë e ndërtimit të një qëndrimi të përbashkët dhe të një rezistence politike ndaj Serbisë, të ushtruar përmes mjeteve paqësore dhe demokratike, në mbrojtje të të drejtave individuale dhe kolektive. Njëkohësisht, ajo pamundësoi artikulimin e një platforme të përbashkët politike, të mbështetur në qëllime dhe objektiva të qarta, për jetësimin e vullnetit plebishitar, si dhe për ruajtjen e dinjitetit, identitetit dhe kujtesës së sakrificës së shumë brezave të kësaj Krahine.

Këshilli Kombëtar Shqiptar dhe këshillat e tjera kombëtare të pakicave, baza juridike, organizimi institucional dhe pozita e tyre në sistemin e përfaqësimit të pakicave kombëtare në Serbi

Këshilli Kombëtar Shqiptar, i cili aktualisht përbëhet nga 29 anëtarë, është themeluar më 3 korrik 2010, në kuadër të kornizës ligjore të Serbisë për këshillat kombëtarë të pakicave kombëtare. Veprimtarinë e tij e ushtron në përputhje me Ligjin për Këshillat Kombëtarë të Pakicave Kombëtare (”Gazeta Zyrtare e Republikës së Serbisë”, nr. 72/2009 dhe 20/2014, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, me nr. 55/2014 dhe 47/2018), si dhe me Statutin e plotësuar më 5 shkurt 2019, të Këshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare në Serbi.

Ndërkaq, në kuadër të këtij sistemi institucional, në Republikën e Serbisë janë themeluar gjithsej 23 Këshilla Kombëtarë të pakicave kombëtare. Në 21 prej tyre, anëtarët zgjidhen përmes votimit të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë, ndërsa në dy të tjerët, përkatësisht në Këshillin Kombëtar të pakicës gorane dhe atë të pakicës ruse, përzgjedhja e anëtarëve bëhet përmes kuvendeve të delegatëve. Këto institucione përbëjnë mekanizma të përfaqësimit dhe të ushtrimit të të drejtave kolektive të pakicave kombëtare, me kompetenca në fushat e kulturës, arsimit, informimit, si dhe të përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit.

Rotacioni dhe bashkëpërgjegjësia politike në drejtimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar – në funksion të unitetit, kohezionit dhe stabilitetit institucional

Rezultatet zyrtare preliminare të zgjedhjeve të 8 nëntorit për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi nxjerrin në pah dallime të qarta në shpërndarjen e votës elektorale ndërmjet tri komunave shqiptare, si dhe një zvogëlim të përgjysmuar në pjesëmarrjen e votimeve krahasuar me zgjedhjet për Parlamentin e Serbisë.

Në Preshevë, fitues i këtij procesi zgjedhor doli një subjekt politik, ndërsa në Bujanoc mandati i epërsisë elektorale iu besua një partie tjetër politike shqiptare. E njëjta dinamikë u manifestua edhe në Medvegjë, ku fituese doli një forcë politike krejtësisht tjetër nga ato që dolën të parat në Preshevë dhe Bujanoc.

Kësisoj, në të tria komunat, fituese doli pikërisht ajo forcë politike që aktualisht mban pozitën dhe ushtron drejtimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Nisur nga ky rezultat zgjedhor dhe nga konfigurimi i përfaqësimit politik në strukturat drejtuese të Këshillit, bëj thirrje publike që zgjedhja e kryetarit të ardhshëm të mos jetë çështje e dominimit të një subjekti të vetëm politik gjatë gjithë mandatit, por rezultat i një marrëveshjeje politike, të mbështetur në parimin e rotacionit dhe të përfshirjes së të gjitha subjekteve politike që kanë përfaqësim nga tri komunat.

Konsensusi politik dhe gjithëpërfshirja institucionale – domosdoshmëri për ruajtjen e subjektivitetit politik dhe interesit kolektiv të shqiptarëve

Një zgjidhje e tillë përbën një domosdoshmëri të kohës, në funksion të ruajtjes së frymës unifikuese, garantimit të funksionalitetit dhe stabilitetit institucional të Këshillit, zgjerimit të përfaqësimit politik, parandalimit të mospajtimeve të brendshme dhe ndërtimit të një strukture drejtuese efikase, me rezultate të qëndrueshme organizative.

Njëkohësisht, ajo krijon parakushtet për konsolidimin e autoritetit institucional, mbi parimet e unitetit, kohezionit dhe artikulimit të përbashkët, dhe harmonizim i përbashkët në të gjitha nivelet institucionale, forcimin e karakterit gjithëpërfshirës të Këshillit dhe avancimin e proceseve të tjera në shërbim të interesit të përbashkët.

Në fund, uniteti dhe konsensusi politik nuk janë vetëm domosdoshmëri e përfaqësimit institucional, por edhe parakusht për artikulimin e qëndrueshëm të interesave kolektive dhe avancimin e të drejtave legjitime të shqiptarëve. Përgjegjësia ndaj kësaj kauze kërkon që interesi i përgjithshëm të jetë gjithmonë mbi çdo interes të ngushtë partiak.

14 nëntor 2026

You Might Also Like