Në tetor të vitit 1956, shtëpitë e fshatit Hogosht për herë të parë u ndriçuan me poçe elektrike. Kështu, ky fshat i Kamenicës u bë njëri ndër lokalitetet e para të asaj kohe që siguroi energji elektrike përmes një hidrocentrali të ndërtuar me punën dhe angazhimin e vetë banorëve.
Banorët e Hogoshtit, të cilët kishin fatin ta kishin lumin pranë, për shekuj me radhë e kishin shfrytëzuar atë për ujitje dhe për vënien në funksion të mullinjve të bluarjes. Megjithatë, dikujt i kishte shkuar ndër mend se fuqia e rrjedhave ujore malore mund të shfrytëzohej edhe për prodhimin e energjisë elektrike.
Kjo ide u shndërrua në nismë konkrete. Banorët e Hogoshtit vendosën të ndërtonin një hidrocentral për nevojat e fshatit. Me punë vullnetare dhe brenda një kohe të shkurtër, ata arritën ta realizonin këtë projekt, duke sjellë një ndryshim të madh në jetën e përditshme të komunitetit.
Në tetor të vitit 1956, pothuajse të gjitha shtëpitë e Hogoshtit u ndriçuan me energji elektrike. Llambat elektrike zëvendësuan ato me vajguri, duke shënuar një kapitull të ri në historinë e këtij fshati.
Kjo nismë e banorëve të Hogoshtit u pasqyrua edhe në gazetën e atëhershme „Rilindja“, e cila, në artikullin me titull „Drita e parë në Hogosht“, të autorit me inicialet M.SH. shkruante për vështirësitë dhe sfidat me të cilat ishin përballur organizatorët gjatë ndërtimit të hidrocentralit.
Në ditët e para të punimeve, një pjesë e madhe e banorëve ishin skeptikë dhe nuk besonin se nga rrjedhat e përrenjve malorë mund të prodhohej energji elektrike. Megjithatë, vendosmëria e atyre që besonin në këtë projekt bëri që gradualisht edhe të tjerët t’i bashkoheshin nismës.
Në fund, i gjithë fshati u bashkua rreth këtij qëllimi dhe, me forcat e veta, arriti ta ndërtonte hidrocentralin.
Shembulli i Hogoshtit do të shërbente më pas si një nxitje edhe për lokalitetet e tjera, duke dëshmuar se, me iniciativë, bashkëpunim dhe punë vullnetare, ishte e mundur të ndërtoheshin hidrocentrale të vogla për nevojat lokale të fshatrave dhe të
përmirësoheshin kushtet e jetesës së banorëve.
Edhe sot, në kodrat e larta të Malësisë së kësaj ane prodhohet energji elektrike, por jo nga hidrocentralet, por nga pajisjet që shfrytëzojnë fuqinë e erës për të prodhuar energji elektrike, turbina me erë ose aerogjeneratorë./kryelajmi.com/





