Xheladin MJEKU
UNIVERSI POETIK QË NUK SHTERRON
( Sabit Rrustemi: “PA NJË VDEKJE MBES”, poezi, botoi “Beqir Musliu” – Gjilan, 2016 )
Prologu i fjalës
Sabit Rrustemi (1959), emër që vjen fuqishëm në universin e letrave shqipe të periudhës së viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar e këtej, veprimatria krijuese e të cilit ende vazhdon të jetë në vlugun e vlerave të padiskutueshme. Ndoshta tingëllon paksa i sforcuar ky mendim, por me shpalosjen e bibliografisë së tij do ta tumirëni këtë vlerësim me duartrokitje dashamirëse.
Kanë kaluar mbi dyzetë vite (1977), qëkur vjen me lajmëtarin e parë të futjes në radhët e krijuesve tjerë të kohës, për të vazhduar parreshtur nëpër sprova të ndryshme, gjithnjë me synimin e sjelljes së vlerave të qëndrueshme. Ai vjen gjithnjë e më i përafërt me marrësin dhe i pandalshëm në arritjen e sukseseve gjithandej në botën krijuese letrare – artistike.
Pas një periudhe kohore prej rreth një dekade, sa e kishte të ndalur publikimin e krijimtarisë së tij letrare, Sabit Rrustemi në vitin 1990 boton librin poetik “Ku i la lisat era”, për të vazhduar pastaj për më shumë se tri dekada me sjelljen në dritë të librave tjerë me poezi: “Besoj në një diell”, “Natyrë me vaj”, (album poetik), “Variacione për lirinë”, “Ëndrra që puthet”, “Paqja e brishtë”,”Shiu i buzëve tua”, “Nën qerpikun tënd”, “Zjarrmi e kthjelltë”, “Në fytyrën e një gjethi”, “Murale shpirti”, “Grafite nënlëkurore”, “Pa një vdekje mbes”; pastaj poezi të zgjedhura për dashurinë nga Anton N. Berisha me titull ”Ndezje yjesh në zemër”, “Për dashuri kurrë s’është vonë”, “ Nëpër ëndrra të fjalëve” si dhe përmbledhjen më të re me poezi për dashurinë “Hyjnorja ime je ti”, vëllimi I dhe II – 2019.
Poashtu, ai ka botuar edhe librat në prozë e në publicistikë, ndër të cilët, vëllimet me tregime: “Pika e zezë”, “Maska e mysafirëve”, “Mëkati që (s)e bëmë”, (përzgjedhje tregimesh nga opusi i tij, gjithnjë nga studiuesi Anton Nikë Berisha, që konsiderohet si njëri nga njohësit dhe studiuesit më të mirë të krijimtarisë së Sabit Rrustemit), si dhe “Hiri i pritjeve të djegura.
Krijimtarinë e tij në prozë e plotësojnë tregimet popullore “Stina e meseleve” (në dy vëllime),” “Stina e rrëfimeve ( me pseudonimin Kurt Rexha) dhe prozën dokumentare “Jetëshkrimi i Sylë Kopernicës”.
Nuk mund të mos theksohet edhe përfaqësimi i krijimtarisë së tij në gjuhën rumune me veprën “Antingere divina / Prekje hyjnore”, si dhe përfaqësimi i tij në disa antologji të përzgjedhura poetike nga Ferdinand Laholli, Ali Podrimja, Agim Vinca etj, po edhe në Antologjinë me tregime nga Kosova, “Djepi i lashtë”, (Tiranë, 1982 )
Ky letërnjoftim i shkurtër i krijimtarisë së begatë të Sabit Rrustemit na cyt të kuptojmë se kemi të bëjmë me një krijues erudit të përmasave kombëtare, me synimet e pandalshme në prurje edhe të shumë veprave tjera dhe kurorëzimit të sukseseve gjithnjë e më të qëndrueshme, me çmime e vlerësime nga emra të njohur krijuesish e studiuesish gjithandej në botën letrare.
Ligjërata poetike
I gjatë është ligjërimi poetik i Sabit Rrustemit, që nga paraqitja publike e tij me vargjet e para, për të mos u ndalur asnjëherë, sepse ky ligjërim nuk ka veç një temë, as një motiv, as edhe veç një pikë të vetme shtjellimi. Ky rrugëtim ligjërues shtrin krahët në çdo skaj të atdheut, zbret thellë në kujtesën historike dhe shpërfaq fuqishëm dashurinë për të bukurën, si fenomen dhe prekje reale e jetës dhe ambienteve prej nga frymon poeti. Kjo ligjëratë është ndërtuar në vazhdimësi mbi themelet e autoktonisë dhe dashurisë njerëzore për vendlindjen, për lirinë dhe shtigjet e reja të ardhmërisë së njeriut të tij prej gjaku e fryme.
Për ta argumentuar më bindshëm këtë që u tha më lartë, po ndaloj në njërin prej shumë titujve poetik të Sabit Rrustemit, që karakterizohet për simbolikën dhe përbërjen homogjene tematike “Pa një vdekje mbes”, që mund të konsiderohet një fushë e gjërë e interesimeve të shumëfishta të shtjellimit, prej nga përshkohet me lloje të shumta motivore dhe tematike, që gjasojnë në një kopsht lulesh gjithëfarësoji, ku secila prej tyre reflekton një pamje të veçantë, një bukuri vetjake, për ta krijuar pastaj një ambient të përbashkët të shpërfaqjeve të shumta të ëndrrave, të situatave, shqetësimeve, të ndryshimeve kohore e kujtesës historike – kombëtare në shekuj, deri në mrekullinë e quajtur dashuri për të bukurën, për jetën dhe atdheun. Qasja me përkushtim kësaj poezie gjithësesi kërkon durim dhe vendosmëri, meqë ka të bëj me një hapësirë ku nuk ekziston përkufizimi i njohur në cikle poetike, por as ndonjë renditje tjetër motivore. Një ecje e shkujdesshme nëpër një zonë të tillë të “minuar” gjithësesi të imponon vëmendje në çdo hap e në çdo shteg, ndonëse kjo thyerje tematike nuk krijon shumë hapësirë të trajtimit të gjërë të një motivi të vetëm. Kjo, mbase është edhe qështja më e veçantë në kapjen efektive të materjes së plasuar brenda kësaj kornize librore, që sjell një botë interesante temash e ngjarjesh të trajtuara përmes vargut të tij.
Tercina “Pa një vdekje mbes”, që është edhe pagëzorja e librit, vazhdon të mbetet enigma e vërtetë, që duhet zbërthyer kujdesshëm, për të kuptuar se cila në të vërtetë është ajo që mund të vinte të martën, kur gjithëçka tjetër po e humbiste kuptimin kundruall kësaj ardhjeje të veçantë: “Krejt harroj që është e martë/ kur më shfaqet ajo që e pres/ brenda jetës pa një vdekje mbes” (po aty, fq. 175) Ky trevargësh, i cilësuar si moto e librit që po vinte, që në realitet ndrynë brenda saj gjithë brumin e kësaj materje, del të njëjtësohet me kryefrymën e lëndës së tërësishme poetike, ku autori shpërfaq këmbëngultësinë në pambarim, duke provokuar unin e tij krijues me tema e ngjarje që e ”torturojnë” parreshtur. Jo pa një arsye e fillova me këtë poezi, që me aq pak fjalë e vargje flet shumë, duke krijuar kupolën e gjithë tërësisë poetike që takojmë brenda këtij libri, gjithnjë në kërkim të gjetjeve të shumta tematike, motivore dhe vlerave që vazhdojnë ta bëjnë të qëndrueshëm dhe të dashur për lexuesin këtë libër poezish, nga më të veçuarat në opusin krijues të Sabit Rrustemit.
Prekja shqisore e këtyre poezive, njërën pas tjetrës, për të krijuar një fond të vogël mbresash nuk do mend se është kënaqësi e llojit, ku shpirti mbushet aromë vargu me frymë jete të poetit, që për dekada nuk rreshti së gjurmuari çdo skaj të botës së tij imagjinare për të përmbushur misionin e përcaktuar prej krijuesi. Kështu, që në nismë të këtij libri poetik, shijojmë freskinë e ujit që gurgullon nga burimi frymëzues, të shprehur nga “Lotët e kronit”. Këto vargje për pak çaste më krijojnë ndiesinë sikur takova njëkohësisht edhe Azem Shkrelin te “Gurra e Martin Bogës”, ku uji me çiltërsinë jetike korrespondon gjithandej viseve tjera, me po atë ndiesi dhe mall për të bukurën, për dhimbjen dhe fuqinë e shprehjes së dashurisë për vendin, për traditat, zakonet dhe frymën atdhetare.
Nëna është ndër personazhet më të dashura të trajtuara në poezinë e Sabit Rrustemit. Dashurinë e pafund dhe këshillat e nënës i paraqet edhe përmes poezisë si vlerat dhe frymëzimet e pashterrura gjatë gjithë jetës dhe krijimtarisë së tij.
“Nën qerpikët e bardhë
fshihet dritarja
po Sytë e Nanës
më shohin
edhe nga thellësia e Alpeve”
(“Dritarja rri mbyllur”, fq. 36)
Gjithnjë i bindur se “Nana / edhe në gjumë/ më sheh”, poeti nuk harron ta kujtoj çdo lëvizje a këshillë të saj, si një mësim i mirë dhe i pranueshëm në çdo kohë. Kjo lidhje shpirtërore dhe besim i fuqishëm shprehet edhe në poezinë tjetër ”Të mirat nana”, që argumenton fuqishëm se nëna është udhërrëfyes i denjë dhe pa kushte për jetën.
Nuk mund të anashkalohet për asnjë çast as pjesa tjetër prindore, meqë poeti sikur ka baraspeshuar dashurinë ndaj tyre, duke i portretizuar deri në detaje. Madje, gjatë paraqitjes së këtyre portreteve nga më të dashurat, nuk harron të shpreh edhe përkushtimet e tyre në edukimin dhe udhërrëfimet drejt ardhmërisë, që do t’i kujtoj çdoherë, sidomos kur ndihet në nevojë për këshillat e tyre. Këtu babain e takojmë në poezinë “Mësimi që morëm nga ti”, ku mes tjerash shprehet: “Na mësove për t’mos u ndalur/ se vetë ditët i ece nëpër terr/ për ta puthur dritën e syve tanë/ si tash neve, kujtimi yt” (po aty, fq. 143). Në këtë frymë të përkushtimit i gjejmë edhe poezitë: “Vdekjes mos i qoftë për nder”, “Mëngjesi i një pikëllimi”, etj.
Po aq me interesim janë edhe poezitë: “Tokës”, “Qytetit”, “Detit Jon”, “Në Butrint”, “I zbrazur prej ditës”, “Nëpër miliona zemra”, e ndonjë tjetër, që sjellin imazhin e realiteteve që prek poeti, duke ndier njëjtësimin e tij me karakteristikat kohore, veprimet a kujtesën që do të mbruan në shpirt për kohë të gjatë.
Ndërkaq, poezitë: “Hyrja në datën 21 dhjetor 2012” dhe ”Dalja nga data 21 dhejtor 2012” reflektojnë si një episod i shkurtër i përditshmërisë së poetit (apo mund të ketë qenë edhe një ditë e veçuar e tij, qoftë edhe përmes imagjinatës), të përshkruara deri në detaje, pa u anashkaluar edhe vogëlsirat e ecejakeve në dhomën, prej nga, siç do ta përshkruan ai: “çela derën/ te dollapi i shkallëve/ ngroha fytin me raki shpie” (po aty, fq. 31), që rrjedhimisht ta sjell një ditë të plotë, me ndryshimet, detyrat dhe kuptimin e saj, në raport me jetën e një krijuesi, që për asnjë çast nuk rresht së prekuri deri edhe në imtësira gjithçka e preokupon, pa mos e anashkaluar edhe vendin e tij të preferuar, që sipas shumë dëshmive që jep në vazhdimësi, duhet ta ketë vend motivues, prej nga edhe “një ditë tjetër n’Çepur nisi” (po aty, fq. 34). Nga kujtimet e kohës autori sjell edhe poezi tjera, ndër të cilat edhe: ”Nuk je më e vetme”, “Me dalë…”, “Pos heshtjes”, “Imazhet e vetmisë”, “Reprizë e përditshme”, “Brengës së një mikut”, “Rrotull Çepurit”, “Në kulm të shtëpisë”, etj.
Portrete të skalitura në kujtesë
Të shumta janë poezitë, që të shkapërderdhura gjithandej në librin “Pa një vdekje mbes”, portretizojnë emra e figura të rëndësishme të atdheut, ndër të cilat edhe: “Pak pas mesnate”, “Për krye t’nanës”, “Mungesës sate nuk do t’i bëjmë vend“, “(A) do të fluturojmë të lirë”, “Ata që na mbetën”, “Jemi këtu”,“Oda e Musës”, “Ai zog…ngrin në tëndin sy”, “Rrno…”, “Vdekja nuk mund t’i rrëmbejë të gjitha”, “Djali i tetëdhjetës”, ‘Kodi i kohërave”, “Prush i ndezur”, “Syve të atyre që do jetojnë dhe nesër”, etj. Sabit Rrustemi nuk harron të komunikoj edhe përmes vargut, pa mos qenë mes tyre, duke e shpalosur dashurinë dhe respektin për vlerat dhe virtytet njerëzore, qofshin personalitete të kohës, apo emra të kujtesës së lavdishme kombëtare, si: At Zef Pllumbi, Kreshniku i maleve, Idriz Seferi, Heroina, Antigonë Fazliu, Ali Podrimja, Mentor Dukagjini, Enver Maloku, Bardhyl Meta, Nexhat Rexha, Musa Jupolli, Mirëdon Fusha, Fehmi Korça, Naim Fetaj, e të tjerë, emra këta që do t’i takojmë në shumë dimensione të trajtimit e përceptimit tematiko-ndiesor.
Ky opus kaq i gjërë me përkushtime për shumë personalitete dhe emra të përveçëm që lanë vepra e gjurmë të pashlyera në kohë nuk mund të shpaloset një për një, por këtu do të veçoja disa vargje nga poezia “Për ta tallur veç pak vdekjen”, që shquhet për mënyrën e qasjes dhe trajtimit, një përkushtim i veçantë për Gabriel Garcia Marquezin, me rastin e vdekjes, të cilin e kujton, me gjasë, që nga koha kur do ta ketë takuar përmes leximit të krijimtarisë së tij: “U nis nga kurreshtja/ për ta tallur veç pak vdekjen/ duke ia dhuruar njëqind vjet vetmi”, me besimin se një ditë do ta “Shiheni kur t’kthehet për në Makondo/ me majën e Çepurit plis mbi kokë”. Nga kjo ndërlidhje imagjinative me prezencën e tij edhe pas vdekjes, vjen takimi në çdo skaj të botës, gjithandej kah ishte i pranishëm për të gjallë, me mesazhin e veprës së tij. Pavdekshmëria e veprës dhe personalitetit të tij me përmasa botërore, kësaj radhe do të fitoj pavdeksinë edhe përmes vargjeve të poetit, sepse ai veç“Shkoj te të mëdhenjtë/ atje ku sytë shnërrohen në yje/ e veprat në qiej/ për miliona vite që vijnë”. Nga dashuria e madhe për shkrimtarin, poeti krejt në mbyllje të këtij përkushtimi do t’i dëshiron “Rrugë të mbarë drejt lartësive të pafundme/ maestro” (po aty, fq. 142).
Nistoret e dashurisë
Për të qenë më i saktë në këtë analizë të shkurtër, patjetër më është dashur të krijoj një harmonizim të temave dhe motiveve, për të nxjerrur një përcaktor të qëndrueshëm në zbërthimin e s’paku disa prej poezive më të veçuara. Kështu, edhepse libri hapet me poezinë “Ora e Zanës”, për ta shpalosur si vlerë e zhvendosa qëllimshëm në mesin e poezive që për motiv kanë dashurinë, si fenomen dhe vlerë jetike, të trajtuar përmes pasqyrimit vizuel dhe bukurisë femërore, sepse “Ora e saj është/ Nga legjendë e fshehur ikë/ e mbin/ kudo vetë/si Lulezanë” për ta zbërthyer vullnetin e saj, që pastaj si një personazh i veçantë, që për dikend vjen edhe në ëndërr, po “tjetri i rri pranë”, derisa për të tjerët ajo vazhdon më tutje “Nën ritmin folk/ ajo përdridhet/ shtrihet e shkrihet/ deri në ekstazë” (po aty, fq. 6). Këtu do të veçoja pastaj poezinë “Guri i kanës”, që sjell frymën e dashurisë me ndërlidhje të një kompozimi të qëndrueshëm edhe me të kaluarën, me mite dhe legjenda. Ky bashkëveprim i kohërave, riteve dhe traditave e bën më të fuqishme poezinë, duke krijuar mundësinë e absorbimit sa më të gjërë të kësaj poezie, qoftë si tematikë e shtjelluar mirë, qoftë si vlerë universale, mbi të cilën është ndërtuar poezia.
“Natën i zbukuroje thonjtë e zanave
ditën thonjtë e vashave
e kurrë s’na the
cilat ta thyen zemrën
a cilat ishin më të bukura”
(Po aty, fq. 62)
Poeti nuk ndalon me kaq. Ai e shpreh në vazhdimësi dëshirën e përhershme, që s’paku “vetëm një herë” të ishte ai gur, “E t’i përjetoja vetëm nga të prekurat/ gjithë ato dashuri/ që përjetshëm mbetën në Ty” (Po aty, fq.63). Kjo shpërfaqje kushtimisht e një ëndrre të mbetur peng, në poezi vjen e brumosur me elemente të dy botërave, që fuqizohen në art, në një bashkëveprim të qëndrueshëm dhe mirë të realizuar poetikisht. Të kësaj fryme janë edhe poezitë: “Shkrumim kohe”, “Prokrusti braktis dhomën”, “Si një dashuri e pashijuar”, “Syblerta ime”, “Pritjes ia ndez nga një qiri”, “Pa një të prekur”, “Zemra”, “Meditim i vonë”, etj. që secila si realizim poetik zgjon interesim të veçantë për lexuesin.
Është interesant, sidomos trajtimi i poezisë “Kur shkunden blinjtë midis Prishtinës”. Këtu poeti ka zgjedhur të ravijëzoj pamje të shumta të qytetit, prej nga mund të ketë ruajtur shumë kujtime. E gjithë kjo që pasqyrohet në këtë poezi është një peisazh me kolorit të theksuar, me ngjyrimet e jetës që farfurinë në çdo kënd të fiksuar me imagjinatën refleksive të poetit: “Hapat nxitojnë drejt pjesës më të bukur të ëndrrës/ nën ombrellat bleroshe të blinjve/ aty midis Prishtinës”. Edhe nëpër mot të lig, edhe atëherë kur “një puhi a simfoni” ia përshkon shpirtin poetit, ai asnjëherë nuk pushon së ndieri atë “aromë lulemaji”, gjithnjë edhe në çastet kur i rilindin kujtimet e një kohe të ikur, kur “m’i mbyll sytë prej passhpinës”. Edhe përkundër këtyre rikujtimeve, poeti kërkon të dal nga ajo gjendje, duke e ftuar personazhin e tij, që e përcjell në vazhdimësi, por pavarësisht përpëlitjeve të daljes nga ajo ëndërr, ai më në fund i bindet realitetit që vazhdon ta përcjell parreshtur, duke u lutur: “Liromë sysh/ lërmë të kthehem kah ti/ të të pres në duar porsi këto gjethe” (po aty, fq. 111). Pas gjithë kësaj, autori ia del ta konkretizoj rrugën e pandalur të kësaj ëndrre të dashurisë, duke i dhënë hapësirë të pafund gjithandej kah shpirti ia dikton vullnetin e tij: “Shkunden sërish blinjtë për midis Prishtinës/ për t’ma kthyer edhe pjesën tjetër të ëndrrës” (po aty, fq. 112), për të vazhduar pastaj rrugëtimin labirintheve të saj, herë si ëndërr, herë si dallgë e herë si puhi që nuk rresht së mikluari shpirtin e poetit.
Padyshim, dashuria në poezinë e Sabit Rrustemit nuk është vetëm temë që trajtohet herë-herë. Ajo është pjesë e pandarë e pikërealizimit të pandalshëm në krijimtarinë e tij poetike që nga fillimet e para të ardhjes së tij në botën e letrave, duke rrjedhur spontanisht nëpër kohë, ashtu sikur rrjedh gjaku venave e kapilarëve të organizmit të njeriut, për ta mbushur aortën e zemrës, që pastaj ta mbanë të freskët e plotë vrull jetën e tij. Poezia këtu shpalos më bindshëm se askund tjetër, realitetet e gjallërimit të poetit, që nuk rresht së ndieri e jetuari me frymën e dashurisë në shumëfishin e fuqisë së shprehur me vargun që gurgullon si gurra që nuk di të shterron kurrë.
Plaga kombëtare dhe shpirtërore në vargje
Të shumta janë poezitë që shtrojnë qështjen më të veçantë dhe shumë të ndieshme, që ende pikon dhimbje e gjak kudo në shpirtërat tanë. Kauza jonë kombëtare ishte dhe mbetet detyrë dhe sfidë e papërfunduar deri atëherë kur vendi të shtrinë krahët shlirshëm në gjithë gjeografinë e tij etnike. Mbi bazamentin e këtij realiteti gjejmë të ndërtuara poezitë: “Atdheu im”, “Është ngopur Mitrovica”, “Grykës së Llapushnicës”, “Te Guri i shpuar”, “Mes kësaj të diele dhe asaj të mërkure”, “Me pika gjaku shkruar”, “Dekodimi i Zonës X”, “Njëmijëenëndëqindetrembëdhjeta…”, “Zemra n’vend s’na bie”, “Udha e muhaxherëve”, ”Dy herë nuk të them as unë”, “Një rrëfim i nisur për Lilë Malokin”, “Ajo ditë Reçaku”, “Kumnova kumton kumtin”, “Rishfaqet Troja”, “N’Kumnovë nuk shkohet më n’këmbë”, “Një Zot e një Shqipëri”, dhe poezi të tjera, të cilat sikur kanë vënë bastin cila të përçoj sa më fuqishëm mesazhin tek lexuesi, si një udhërrëfim i përhershëm për brezat, se atdheu është mbi të gjitha, pavarësisht qështjeve tjera të jetës.
Poezia “Paralajmërim i stinës së pritur”, ku pasqyrohen ngjarjet e 11 marsit të vitit 1981, që ishte pikënisja e Pranverës së lirisë, na kujton një epokë të rëndësisë së veçantë për kauzën tonë, prej nga filluan lëvizjet e fuqishme popullore, për të mos u ndalur kurrë deri në finalizimin e një fitoreje të shumëpritur. Kjo dëshmi historike e trajtuar këtu me saktësinë e ngjarjeve, sikur e ka arritur pikën kulmore të përmbylljes me vargjet:
”Shpresën nuk e helmuan
as sjellësit e tymit me gaz
as mig-ët tek fluturonin qiellit të nxirë
si sorrëshkinat në ikje me britmë
as dhe dhomat e akullta prapa udb-ës
në Prishtinë
Ajo
pas bishtit të çdo dallëndysheje
do kthehej për çdo stinë
me ëndrrën e vjetër
mbi shpinë
për ta rigjetur të plotë Shqipërinë”
(Po aty, fq. 166)
Edhe një tjetër ngjarje poaq e rëndësishme që është për tu veçuar, trajtohet në poezinë “Në mbrëmjen e 24 marsit 1999”, që konkretizohet me zhvillimet e ngjarjes së veçantë për popullin, shpresat e të cilit nga këto çaste po shtoheshin fuqishëm, me besimin se liria po reflekton shenjat e para nga këto çaste vendimtare. Poaq e veçantë ishte edhe për faktin se ishtin pikasur elemente të rëndësishme të këtyre ngjarjeve në pikat e para të zhvillimeve me të gjitha refleksionet e shpërfaqura, ku e gjithë bota po përcillte me interesim të madh si do të rrjedhin më tutje këto ngjarje vendimtare për këta liridashës, që asnjëherë nuk janë ndalur në shtyerjen përpara të kauzës për çlirimin e atdheut. Kjo ngjarje vjen këtu e shprehur fuqishëm me vargjet: “Një shtresë reshë mbi kokat tona shtrihej/ pos një ushtime të largët qiellit të paskaj/ gjë tjetër s’ndihej” duke e përquar pastaj fuqinë e kësaj ushtime, si diçka që pritej gjatë dhe në çaste po bëhej realitet “Prej Avianos deri midis Prishtinës/ bishti i Kuçedrës zuri të digjej”. Poeti do ta shpreh gëzimin e tij, ndonëse në një hapësirë të vogël, por që nënkupton përmasat e mëdha të lirisë që po vinte: “Përtej Qafës së Llabjanit/ një aurorë shprese/ asaj nate fundmarsi ndriste” (po aty, fq. 140).
Gjithësesi ka edhe shumë për tu shpalosur këtu, por, jo gjithçka do të zbërthejmë, meqë numër i madh krijimesh poetike konsistojnë në ngjashmërinë përmbajtësore, prandaj kemi prekur disa nga realizimet e veçuara për të përmbyllur sa më bindshëm një vlerësim të qëndrueshëm në baraspeshë me pjesën dërmuese të poezive të kësaj përafrie tematike. Në kontestin e kësaj korrespondon edhe poezia “Livadhi i andejshëm”, që dallon për misterin tematik, anipse ndodhet jo larg shtëpisë, “asaj lendine pas shpine”, ku “Aty ujku kish jatakun/ dhelpra shpellën/ korbi strofkulën”, për ta shprehur realitetin e hidhur, meqë “Me shly prej hartës e kujtesës/ nuk po më le inati/ me i ra atypari më plas i thati/ Së gjërë e së gjati/ më doli doresh i ngrati” (po aty, fq. 85). Kjo mbase flet mjaft për pjesën tjetër të atdheut, të bukurive dhe kujtimeve nga më të veçantat, të mbetura përtej vijës së përcaktuar. E dhimbshme kjo, edhe kur e takojmë në poezi, pa mos e kujtuar edhe si realitet, gjithësesi! Sabit Rrustemi për të qenë më i plotë në gjithë këtë që kujton për bukuritë e vendlindjes së tij, do t’i paraqes në poezinë “Vjershën më të bukur për ty”, , ku, siç do ta thotë në mbyllje të saj: “Mot për mot/ vjershën më të bukur për ty/ e shkruan pranvera” (po aty, fq. 71).
“Ardhja e mërgimtarëve” është një temë tjetër, ndonëse e konsumuar aq shumë edhe nga krijues të tjerë, ajo gjithmonë ka zënë vend meritor në trajtime të ndryshme, qoftë në dramaturgji, në prozë apo në poezi, për ta pasqyruar rrugëtimin, peripetitë, mallin e pafund dhe dashurinë për vendlindjen, duke qenë larg saj në kohën më të gjatë të jetës. Tjo tematikë edhe këtu do të gjej trajtimin e duhur si realizim poetik. Kështu, mërgimtari, si personazh i kësaj poezie, përkundër vështirësive të mëdha, më në fund do t’i gëzohet arritjes së majave të kënaqësisë, gjatë qëndrimit në vendlindje, meqë “Dhe skutat e shtëpisë u mbushën me fjalë/ me zogj e ëndrra/ thurën dhe fole”. Ky gëzim zgjatë për pak kohë, si rëndom çdo vit, që si e thonë vargjet në vijim “Pak/ fare pak fjetën/ nëpër çmallje andej e këndej ngelën/ derisa një ditë mblodhën krahët/ valixhet/ e fluturuan” (po aty, fq. 103). Çfarë paraqitje e përkushtuar deri në imtësira, ku bashkëveprojnë malli, dashuria, dhimbja dhe pamjaftueshmëria e përmbushjes së dëshirave të tyre të pafund, nga shpejtësia e ikjes së kohës të kufizuar për të qëndruar në vendlindje. Kthimi i tyre andej prej nga kanë ardhur për tu çmallur hetohet në çdo skaj, derisa “Vendet e mbetura bosh/ nuk mbushen as lahen prej lotësh” (po aty, fq. 104). Kjo plagë sa gjatë e sa shumë po kullon mbi dhimbjen tonë, veç poeti do ta shpreh ashtu si vërtetë është dhe vazhdon të mbetet edhe më tutje, duke u përshtatur me rrethanat kohore, po asnjëherë në zvoglim të veprimit.
Mbi bazën e kësaj që shpreh poeti tek poezitë e lartëcituara, një përkufizim të thuktë e konsiderojmë poezinë “Kosovë”, për të cilën dalin gjithë këto përkushtime me plot ndiesi, ku me të drejtë shprehet autori në vargjet: “Kurrgjë s’po lypi prej teje/ veç n’mujsha me t’dhanë/ kënaqem sall që t’kam” (po aty, fq. 82).
Zhbërja e së keqes – synim i përhershëm
Por, jo vetëm kjo pjesë e dhimbjes është qështje trajtimi në poezinë e Sabit Rrustemit. Në relacionin e luftimit të së keqes që e përcjell parreshtur njeriun tonë është vetë njeriu, që nganjëherë mund ta ketë ngatërruar rrugën, për të përfunduar në taborrin e armikut. “Tinëzari”, sjell portretin e njeriut keqbërës, puthadorit të pacipë, që, në asnjë mënyrë, si edhe të tjerëve para tij, “s’do t’i buzëqesh zari” (po aty, fq. 21). Në ngjashmëri tematike këtë ves të keq të këtyre njerëzve e takojmë edhe në poezitë: “Do eci”, “Lojsat”, e ndonjë tjetër që nuk cituam këtu.
Ironia e stërholluar prej mjeshtri të vargut, vjen e pasqyruar fuqishëm në poezinë “Kali ynë”, që për satisfaksion ka veset e njeriut tonë në momente të caktuara, duke veshur me epitete të një kafshe, që përdoret për nevoja të shumta familjare të shtëpisë, por nganjëherë konsiderohet si diçka që nuk ka më shumë se aq vlerë, pa mos ia thënë edhe veset e veprimet e ndryshme, që në raste të tilla prodhojnë huti, meqë “Nuk është çkado kalë/ Shtrenjtë blehet/ e krejt (sh)lirë shitet” për ta arsyetuar veprimin e baraspeshuar me vlerën, “Se shalë nuk ka/ sall samar”(po aty, fq. 113). Kjo veti e njeriut të tillë vetvetiu kuptohet përmes këtyre karakteristikave që takojmë këtu, e që shprehin bindshëm personalitetin e ndryshuar deri në pavlerë të sojit të tij.
“Letra për Bacin e shpisë tonë”, e shkruar me një gegnishte të rrjedhshme, (por që nuk është kjo e vetmja poezi e shkruar me këtë dialekt), sjell portretin e një kohe sa të ndieshme, poaq edhe të frikshme, për faktin se “Do trima t’rremë” kanë krijuar hapësira manipulimi për t’ia arritur qëllimeve të tyre të errta, prandaj, siç e shpreh poeti në fillim të poezisë: “Sa kisha dashtë/ me shkundë për pak kohë/ atë dhe/ e me u shfaq si Konstandini/ Bacë”, që s’paku ka kesh një pasqyrë reale të veprimeve të tyre, se “Krejt koha na shkoj/ tu kshyr me rrejt veten”. Të shumtë ishin ata që nuk ngurruan ta shfrytëzojnë situatën për ta ndërtuar një imazh të rremë kundruall realiteteve të njohura. E kundërta e kësaj shpërfaqet me frymën e fakteve që bëjnë të kuptohet se gjithmonë përfituesit e situatave ishin ata që i qëndrojnë kohës kujdestar për ta përvetësuar në mënyrën më perfide të mundshme, që pastaj të krekosen me “veprat” e tyre në të mirën e qështjes. Ironia, si mjet konkretizimi i këtij realiteti shpërfaqet me vargjet: “Sa njeri ish kanë me ty/ e s’e kishe pa/ hasmi yt n’Danub/ pej tute kish pas me ra”. Cilidoqoftë ai, që poeti e personifikon me “Bacin e shtëpisë tonë”, përmes të cilit nxjerr në horizont këto veti të këqia, pasqyrojnë një të vërtetë që vazhdimisht shkakton probleme në ndërtimin e jetës së re, për të cilën ekzistojnë faktografi të shumta të sakrifikicave të pakursyera, deri edhe me jetën. Këta rrahagjokës i nxjerr ashtu origjinal, siç edhe janë në të vërtetë: “Gjyksat poshtë na shkuen/ prej t’rameve/ vej sa nuk janë thy” për ta argumentuar edhe me një të keqe tjetër, jo më pak se rrahagjokset që nuk pushojnë për asnjë çast: “Me bërllog biografish/ na i mbushën vitrinat”. I tillë është Sabit Rrustemi. Nuk ka fije dyshimi se ai për dekada i qëndroj besnik vargut të tij, duke e ngritur mbi ngjarje e karaktere deri në detajet më të vogla, për ta nxjerrë të vërtetën në sfond. Vulgariteti i kësaj drame bizare që po e përcjell njeriun tonë, duke ia ngushtuar hapësirën e veprimit të drejtë, në këtë poezi përmbyllet me ballafaqimin e autorit me këtë realitet, duke shprehur sinqeritetin e tij prej vrojutesi aktiv, por gjithmonë në cilësinë e këshillëdhënësit: “Bacë/ shumë kisha dashtë/ kto fjalë me t’i thanë sy me sy/ veç unë pshtova pa t’rrejtë/ se nuk nejta hiq me ty” (po aty, fq 164).
Filozofia popullore në komunikim kohor
Në poezinë e Sabit Rrustemit takojmë të bashkëvendosura qëndrueshëm edhe elemente tjera, si ritet, traditat dhe zakonet tona, që në masë të mirë e pasurojnë poezinë, për aq sa shtrijnë një komunikim të arsyeshëm, me pasqyrimin e traditave dhe, ndonjëherë edhe të folmen e regjionit, si personifikim i një vendi të njohur për këto karakteristika të ruajtura e të kultivuara me përkushtim nga e kaluara, pa mos e dobësuar për asnjë çast vlerën e poezisë, paraqitjen e temave të ndryshme, që në asnjë mënyrë tjetër nuk do të nguliteshin në kujtesën e lexuesit, më mirë se përmes këtyre prezantimeve që transmetojnë vlerat e një kulture dhe tradite të lashtë për lexuesin.
Kështu, poezia “Mëria e reve”, trajton një temë të tillë, që vjen sa interesante, poaq e veçantë, duke kujtuar paraqitjen e disa bestytnive, që në secilin vend, pothuajse kanë të veçantat e veta. Në vendlindjen e poetit, është ruajtur me kujdes edhe ky rit, që, si e trajton poeti: “Kot shtrimë duart/ kokërrza akujsh përpimë/ Dhe sofrën ia shtruam/ Çka patëm e rruajti dhe iku/ as kusur s’na la” (po aty, fq. 101). Për ta shprehur fuqishëm shqetësimin e tij: “Ç‘na u desh breshëri kur ra shi”.
Edhe tek poezitë “Kafshimi i tultë”, “Vjen një ditë”, “Nëpër ndërprerje”, ”Pazari i pasditës”, “Më mirë me ia ther prej shpije”, etj. pasqyrohen traditat dhe virtytet e njeriut tonë, të sprovuar nëpër kohëra të ndryshme, sidomos atëherë kur gjithëçka ishte e pasigurtë. Pasqyrimet e këtyre veseve i gjejmë edhe në poezinë “Udhëzim i moçëm”, që shpalos karaktere njerëzish, këshilla e vlerësime me saktësinë e përvojave të jetës, siç do të shprehet edhe në vargjet: “T’moçmit kanë udh’zue,/ ditën vetë i dyti hec/ natën/ pa qenë vetë i treti/ mos u nis” (po aty, fq. 26). E një ngjashmërie të tillë është edhe poezia “Filozofia e durimit”, që kryekëput transmeton një filozofi popullore, me saktësinë e mendimit.
Por, si duket, Sabit Rrustemi, për ta bërë një “refresh” pushimi, pas gjithë kësaj pune plot sfida e angazhime në një çast do t’i kthehet kujtesës për njerëzit që mund t’i ketë pasur vazhdimisht nga të veçuarit, me të cilët ka tërhequr në vazhdimësi fijen e hollë, por asnjëherë nuk e ka shkëputur, duke lidhur kështu skajet e jetës, me fjalët dhe ndiesinë shpirtërore që e preokupon në vazhdimësi. Në kohë të tillë e takojmë edhe në poezitë: “Miku i fjalës” dhe “Thirr edhe njëherë Qerim Ujkani”. Mbase është i arsyeshëm ky takim miqësh, për të evokuar bashkë kujtimet mbresëlënëse, përkundër rrethanave në të cilat janë zhvilluar. Kjo mbase edhe arsyetohet me faktin se poeti nuk do t’i anashkalonte pa i takuar, miqtë e penës, me të cilët, gjithësesi do të këmbejë përvoja e do të çlodhet, për tu mbushur pastaj me energji të reja në hapërimin e tij shtigjeve të pafundme prej krijuesi.
Epilogu i një mendimi
As që dyshohet se poezia e Sabit Rrustemit nuk shquhet për fuqinë e mendimit, për leksikun e pasur gjuhësor, për trope e metafora të shumta. Shquhet gjithashtu për transponimin e vlerave autoktone të traditës në poezinë e tij, si fuqi komunikuese me lexuesin. Tradita dhe mendimi filozofik popullor në përgjithësi, si askund tjetër, gjejnë vend meritor në krijimtarinë artistike-letrare të tij, në funksion të trasmetimit të mesazhit sa më të fuqishëm tek lexuesi.
Poashtu, krijimtaria poetike e tij është e paisur me toponimet dhe mikrotoponimet e shumta që i takojmë gjithandej në këtë libër, ku ndër të tjerat veçuam: Çepuri, Kroi i Ilaqit, Reka e Ahit, Guri i Grihës, Hija e Madhe, Laku i Tumës, Qafa e Kajushës, Kodra e Rrasave, Prroni i Buricës, Udha e Mbretit, Bërryli, Mullini i Hanit, Lumi i Margës, Udha e Frengit, Karadaku, Rogat e Goclave, Qafa e Llabjanit, Ujtë e Kuq, Guri i Shpumë, Guri i Zi, Udha e muhaxherëve, dhe shumë të tjera që e pasurojnë vlerën e poezisë, duke prezantuar një shtrirje të gjërë të këtyre emërtimeve, që me përkushtim ndihmojnë pasqyrimin sa më dinjitoz të ngjarjeve e rrethanave prej nga është përqëndruar pikëvështrimi i poetit.
Dhe krejt në mbyllje të librit poezia “Pleme e madhe kjo rrashtë” fokuson frymën e krijimtarisë, me parandjenjën se muza e poetit asnjëherë nuk shterron. Në realitet, kjo hapësirë e pafund, përmes së cilës do të operoj në vazhdimësi vargu i poetit, që këtu personifikon “plemen”, një objekt ku gjen mundësinë të deponohet sasi e madhe malli, që këtu simbolizon arsenalin e tij krijues, në rrugëtimin e gjatë të krijimtarisë poetike dhe letrare në përgjithësi.
Sa e gjatë është rruga andej kah na shpien poezia e Sabit Rrustemit, sa i thellë mendimi i vargut dhe fjalës së tij dhe sa e pafund dhe, njëkohësisht edhe e pamundshme është ndalesa në një pikë përmbyllëse, gjithnjë duke pasur parasysh se këtu mbisundon forca e inercionit dashuror për vargun, temën dhe vlerat që shpalos kjo poezi, mbesim peng i vazhdueshëm me dëshirat e këtij rrugëtimi të pasosur nëpër vargjet, poezitë dhe librat e ardhshëm, që nuk duket se kanë të ndalur edhe për shumë vite e dekada, të cilat vetëm sa e dëshmojnë jetëgjatësinë e muzës krijuese të këtij shkrimtari.