Qendra për Art Bashkëkohor “Varg e Vi” vazhdon me projektet kulturore-artistike, veçanërisht në fushën e artit bashkëkohor. Më 15 tetor 2017, e diele, ora 19:00, në garazhën e veturave (kerreve) “Te Mufa”, në rrugën e Prishtinës, sipër ish muraleve të NATO-s, tek e ashtuquajtura “Ura” apo “Tuneli”, do të hapet ekspo-performanca “Art lovers are present”. Keni parasysh, artdashësit janë prezentë, prandaj mirë se vini!
“Varg e Vi” ndaljet i ka frymëzim, vazhdimin dhe aktivitetet e saj dëshmi ekzistence e rezistence. Prandaj, pas një sërë aktivitetesh, ekspo-performancash, ligjëratash mbi tendencat e reja artistike, punëtoritë mbi filmin e muzikën, prurjet artistike bashkëkohore nga rajoni dhe Evropa Perëndimore, prezantimin e punës kolektive po ashtu jashtë vendit, do të vazhdon me ekspo-performancën “Art lovers are present” në garazhën e veturave “Te Mufa”. Puna kuratoriale mbështetet edhe nga ndarja e përvojës si mjeshtër-automekaniku. Garazha shndërrohet për një natë në galeri arti, automekaniku i përvishet punës së kuratorit dhe i duhet të nesërmen herët në mëngjes, t’i përvishet sërish zanatit të tij.
“Art lovers are present” mëton të tallet me secilin përgjegjës mbi hapësirat, me secilin që nuk mundëson hapësira të reja për art, me secilin që zotohet për zgjerim hapësirash e vetëm i ngushton ato nga shpirtngushtësia dhe prej frikës nga e bukura. Prandaj, ekspozita në garazhë nuk e përjashton edhe bërtimën, revoltën, refuzimin dhe rezistencën.
Artistët pjesëmarrës janë: Din Azizi, Jeton Muja, Kushtrim Zeqiri, Avni Shkodra, Kushtrim Sylejmani dhe Avni Rudaku.