Kanë radhitur fitoret dhe nuk duan që të ndalen. Vllaznia e Pozharanit ka nisur një stinor fantastik, duke shënuar disa fitore radhazi dhe tashti është përforcuar në pozitën e dytë, ku mëton të mbes deri në fund të kampionatit, ngase ky vend siguron inkuadrim të drejtpërdrejtë në elitën e futbollit kosovar.
Djelmoshat që udhëhiqen nga Sallah Sherifi, kryetrajner, deri më tashti kanë zhvilluar gjashtë ndeshje, nga të cilat kanë shënuar katër fitore, një barazim dhe një humbje me 13 pikë të fituara dhe me një golldallim 11:3, që ata i rendit në pozitën e dytë.
Kundërshtari i radhës, Rahoveci nuk qëndron mirë në tabelë dhe zë vendin e fundit me vetëm dy pikë të arritura.
Kjo ndeshje do të zhvillohet të mërkurën në Stadiumin “Selajdin Mullaabazi – Mici” në Rahovec.