Gjilan

Zjarrfikësi nga Gjilani shpëton nga mbytja në Golem një 10-vjeçar me Sindromën Down

Zjarrfikësi nga Gjilani shpëton nga mbytja në Golem një 10-vjeçar me Sindromën Down

Pushimet verore në bregdetin e Golemit mund të kishin përfunduar në një tragjedi të rëndë për një familje nga Istogu. Por falë ndërhyrjes së shpejtë dhe guximit të zjarrfikësit nga Gjilani, Kastriot Sefedini, një jetë u shpëtua mrekullisht nga valët e trazuara të detit.

Sefedini, i cili po kalonte disa ditë pushimi me familjen e tij, u kthye në një hero të vërtetë gjatë orëve të pasdites, kur shpëtoi nga mbytja e sigurt 10-vjeçarin Elion, një djalosh me Sindromën Down nga Istogu.

Ngjarja ndodhi në një moment kur deti ishte mjaft i trazuar dhe rreziku i lartë kishte larguar pushuesit nga uji. Zjarrfikësi tregon se numri i njerëzve në det ishte shumë i vogël, por vëmendja e tij drejt horizontit rezultoi shpëtimtare për të voglin.
“Ishte pasdite, deti kishte valë të mëdha dhe shumë pak njerëz kishte në ujë. I kisha ngulitur sytë në horizontin e detit dhe për një moment kam vërejtur një njeri i cili po mbytej. Me tërë fuqinë që kam pasur, kam vrapuar dhe me not kam arritur në momentet e fundit kur po fundosej. Kam arritur ta kap për koke, ishte gati i alivanosur dhe nuk mund të fliste. E kam mbërthyer me duar, kam arritur t’i jap ndihmën e parë, e pastaj ka vrapuar kujdestari i vrojtimit nga kulla dhe e kemi nxjerrë nga uji,” – tregon momentin kritik Sefedini.

Vetëm pas nxjerrjes nga uji në breg, Kastrioti e kuptoi se vogëlushi i shpëtuar ishte 10-vjeçari Elion, i cili ka Sindromën Down. Ai e dorëzoi djalin shëndoshë e mirë te familjarët e tij, të cilët po përjetonin momente tmerri dhe paniku.
“Është fat i madh që isha përqendruar në shikim nga deti dhe që kemi arritur në sekondat e fundit ta nxjerrim nga uji. Është një ndjenjë e papërshkrueshme që Elioni sot është shëndoshë e mirë me familjarët e tij. I dëshiroj shëndet dhe shumë gëzime në jetë,” – u shpreh zjarrfikësi gjilanas, i lehtësuar nga përfundimi i suksesshëm i kësaj ngjarjeje.

Aktet e tilla të trimërisë dhe gatishmërisë për të rrezikuar jetën e vet për të shpëtuar atë të një fëmije nuk duhet të kalojnë në heshtje. Qytetarët dhe të pranishmit e vlerësojnë thellësisht këtë gjest, duke bërë thirrje që Institucionet e Komunës së Gjilanit ta ftojnë dhe ta dekorojnë zyrtarisht zjarrfikësin Kastriot Sefedini.

Ai tregoi në praktikë atë që përfaqëson uniforma e tij: gatishmërinë për të qenë gjithmonë në shërbim të jetës, qoftë në detyrë ashtu edhe gjatë pushimeve.

You Might Also Like