Pas fitores ndaj Feroniklit ’74 në udhëtim, te SC Gjilani janë ngjallë shpresat për rezultate më të mira në këtë kampionat dhe në faqen që u dedikohet fansave është postuar një shkrim, ku ndër të tjerat thuhet se shumëçka që i kishte munguar SC Gjilanit tashti sikur është vënë në vend.
Po e botojmë të plotë këtë shkrim :
Ekipi dha shpresë me grintën, energjinë dhe pasionin që tregoi në fushë. Lojtarët e rinj dëshmuan se Gjilanit i ka munguar kjo energji dhe kjo freski në lojë. Ardi, Zeka, Lumi, Potoku e Graniti treguan karakter dhe gatishmëri për të marrë përgjegjësi.
Tolaj ishte fantastik në kontrollin e topit dhe shpërthimet e tij përpara ishin efikase. I mungoi vetëm pak më shumë precizitet në pasime dhe në goditjet drejt portës. Goli i debutimit ishte më se i merituar.
Mbrojtja dhe mesfusha ishin në supernivel. Inkuadrimi i Bllacës, Rrahmanit dhe Morinës në pjesën e dytë e rifreskoi lojën dhe solli energji të re. Megjithatë, të tre duhet të konsiderohen edhe si kandidatë seriozë për formacionin bazë në ndeshje të tilla, ku kërkohet më shumë prezencë ofensive.
Formacioni dhe qasja taktike ishin përgatitur për një lojë të bazuar në kundërsulme, dhe ato u shfrytëzuan në maksimum.
Gjilani ka dhënë sinjalin e parë se këtë sezon mund të presim shumë më tepër.
Kryelajmi.com




