Futboll

Talenti 15-vjeçar nga Gjilani, Mesud Zymberi, drejt futbollit francez

Talenti i madh i futbollit nga Shkolla e Futbollit “Arbëria” në Gjilan, Mesud Zymberi, tash e një kohë ka dëshmuar potencialin e tij të jashtëzakonshëm. Ndonëse në moshë mjaft të re, shumë klube nga Kosova kishin shprehur dëshirën që ai të bëhej pjesë e tyre.

Sulmuesi i krahut të majtë, gjatë kampionatit të Kosovës për kategoritë e reja, ishte i pamëshirshëm për portat kundërshtare. Ai arriti të shënojë plot 39 gola, duke u konfirmuar si golashënuesi më i mirë i kampionatit.

Prej dy javësh, Mesud Zymberi po qëndron në Francë, ku ndodhet në prova te dy klube: Strasbourg FCOSK 06 dhe Sporting Club Schiltigheim. Këto janë klube të njohura që vazhdimisht zbulojnë dhe zhvillojnë talente të ndryshme nga e gjithë Evropa.

15-vjeçari ka bërë të ditur se me paraqitjet e tij gjatë këtyre dy javëve, ka lënë mbresa shumë të mira te të dyja skuadrat franceze. “Tani e dy javë në këto dy klube kam pasur prezantimin tim në të gjitha sferat e futbollit: në shpejtësi, driblim, qëndrueshmëri, si dhe në paraqitjet ekipore e individuale. Për dy javë i kam kryer të gjitha testet e mundshme me notën më të lartë,” shprehet Zymberi.

Atij i ka mbetur edhe një javë e plotë për të vendosur përfundimisht se me cilin klub do të nënshkruajë kontratën e tij të parë profesionale. “Është shumë e vështirë të përcaktohem. Janë dy klube me të njëjtat aspirata dhe nuk ka ndonjë dallim të madh, por mendoj se më afër do të jem tek Sporting Club Schiltigheim. Megjithatë, gjithçka është ende e hapur,” shton ai rreth së ardhmes së tij.

Vlen të theksohet se Mesud Zymberi njëherësh është edhe futbollist i Kombëtares së Kosovës U17, ku falë talentit të tij, pritet të japë një kontribut të madh drejt sukseseve të ardhshme të “Dardanëve” të rinj.

You Might Also Like