Futboll

Limani: Jemi gati, tifozët motiv dhe infuzion për ne

Në prag të ndeshjes së 22-të kampionale, derbit të javës në Superligë, FC DRITA – FC Ballkani klubi ynë mbajti konferencë për media, ku për përgatitjet dhe pritshmëritë folën kryetrajneri, Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Ardian Limani.
Trajneri, Nuhiu theksoi se nesër zhvillohet një përballje e rëndësishme mes dy skuadrave elitare në Superligë, gjersa DRITA është gati dhe e motivuar për derbin e kësaj xhiroje.
“Na prêt një përballje e rëndësishme, të cilën duhet ta trajtojmë me përqendrim dhe vlerësim maksimal. Takohen dy skuadrat që viteve të fundit e kanë fjalën kryesore në kampionat, sfida të vështira por që ndihmojnë të zhvillohemi të gjithë, rritemi dhe përqëndrohemi në maksimum. Edhe djemtë mobilizohen për të bërë më të mirën dhe mposhtur çdo kundërshtar. Më gëzon forma e skuadrës time, kam besim të plotë se ata nesër do të zhvillojnë ndeshje të madhe, kualitative dhe nuk do të mungojë asgjë as lufta as diciplina për të marrë më të mirën”, ka thënë Nuhiu.
Optimist u shpreh edhe kapiteni ynë, Ardian Limani, i cili tha se në ndeshje të tilla vendosin detajet dhe se tifozët janë infuzion për skuadrën.
“Ne si futbollistë jemi të gatshëm dhe të motivuar për ndeshje, pasi e dijmë rëndësinë e takimit kur përballemi me një skuadër që është favorite për titull dhe motivi është shumë i lartë. Këto ndeshje tregojnë madhështinë dhe cilësinë e secilës skuadër, sepse në ndeshje të forta dallimi është i vogël dhe vendosin detajet. Jemi gati të shfrytëzojmë çdo dobësi të kundërshtarit dhe ti mbulojmë pikat e tyre të forta. Me përkrahjen e tifozëve tanë jemi të gatshëm ta fitojmë ndeshjen. Tifozët “Intelektualët” janë motivi ynë, unë pres që stadioni nesër të jetë i mbushur , sepse përkrahja e tyre na jep forcë. Shpesh kur futbollistët nuk mund të gjejnë forcë, tifozët janë infuzion për të vazhduar dhe gjetur fitoren në këto ndeshje”, potencoi Limani.
Kapiteni, Limani shtoi se futbollistët i presin këto ndeshje, e japin maksimumin dhe fitorja në derbi të tillë jep motiv prej kampioni.
Kryetrajneri, Nuhiu ndër të tjera theksoi se fokusi i skuadrës për të dhënë më të mirën nuk mungon, gjersa njoftoi se nesër do të mungojë futbollisti, Ilir Blakçori, ndërsa Muharrem Jashari tashmë është kthyer me grupin.

You Might Also Like