Muzikë

Filharmonia e Kosovës shkëlqen në Poloni

Kosova dhe Polonia bashkohen përmes muzikës

Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Wojciech Czepiel, u pritën me duartrokitje të gjata nga publiku polak, pas një interpretimi të suksesshëm në skenën e Filharmonisë së Krakovit.

Ky prezantim u realizua në bashkëpunim me Filharmoninë e Krakovit dhe Institutin e Dialogut Ndërkulturor “Papa Gjon Pali II” në Krakov, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm të bashkëpunimit kulturor dhe artistik ndërmjet Kosovës dhe Polonisë.

Në këtë koncert u paraqitën edhe solistët Joanna Konarzewska (violinë), Adelina Pajoja (soprano), Ivana Hoxha (mezzosoprano), Piotr Kalina (tenor) dhe Arkadiusz Jakus (bas-bariton), të cilët, së bashku me Orkestrën, Korin dhe dirigjentin, u vlerësuan nga publiku me duartrokitje të gjata.

Programi ndërthuri trashëgiminë muzikore polake me krijimtarinë e kompozitorëve shqiptarë nga Kosova, duke krijuar një dialog artistik mes dy kulturave.

“Ciaccona” nga “Requiemi polak” i Krzysztof Pendereckit, e shkruar si homazh për Papa Gjon Palin II, hapi mbrëmjen.

Më pas u interpretua poema simfonike “Skënderbeu” e kompozitorit kosovar Fahri Beqiri, e cila dëshmon ndërthurjen e traditës muzikore perëndimore me elemente të kulturës kombëtare shqiptare. Ndërsa “Koncerti për violinë nr. 1” i Karol Szymanowskit solli një nga veprat më të rëndësishme të repertorit koncertant polak.

Një dimension të veçantë të këtij takimi artistik përfaqësoi edhe “Homagium Matri Teresiae” e kompozitorit kosovar Mendi Mengjiqi, kushtuar Nënë Terezës. Vepra, e interpretuar për herë të parë në Krakov në vitin 1999, nën drejtimin e Wojciech Czepielit, u rikthye në vëmendje si një pikëtakim mes identitetit kulturor të Kosovës dhe trashëgimisë së një figure me rëndësi ndërkombëtare.

Ky sukses dëshmon edhe një herë fuqinë e muzikës për të ndërtuar ura ndërmjet kulturave, për të afruar publikun dhe artistët, si dhe për ta prezantuar artin e Kosovës në skenat ndërkombëtare.

Fotografitë: Arben Llapashtica

You Might Also Like