Udhëheqësi i madh dhe i lavdishëm i lëvizjes kombëtare shqiptare, i pavdekshmi Heroi i Kombit Kadri Zeka, është dhe mbetet njëri ndër përfaqësuesit më të shquar të atij brezi historik, i cili fatin e vet e shkriu në fatin e Atdheut dhe tërë qenien e vet e vuri në shërbim të luftës për liri dhe çlirim të popullit shqiptar të Kosovës dhe Viseve shqiptare në ish-Jugosllavi!
Udhëheqësi Kadri Zeka i takonte atij numri të bijëve të mëdhenj e besnikë të Kombit, të cilët robërinë nuk e pranuan si përfundim të historisë, ndarjen e trojeve shqiptare nuk e njohën si drejtësi dhe nënshtrimin nuk e konsideruan mënyrë normale të jetës!
Për Udhëheqësin Kadri Zeka, ekzistenca kombëtare shqiptare kërkonte vetëdije, kërkonte organizim dhe kërkonte qëndresë, ndërsa e ardhmja e lirë kërkonte dhe i duheshin njerëz të aftë për ta menduar zgjidhjen përtej kufinjëve të imponuar dhe për ta përgatitur përtej mundësive të çastit!
Udhëheqësi Kadri Zeka ishte njëri prej atyre njerëzve të rrallë të atij numrit të pakët të bijëve të mëdhenj të udhëheqësve të popullit, Atdheut dhe Kombit!
Udhëheqësi Kadri Zeka, ishte mendimtar i veprimit kombëtar, ishte organizator i vullnetit çlirimtar dhe ishte bartës i një përgjegjësie që e tejkalonte jetën e tij personale dhe rrezatonte te të tjerët progresivitet e detyrim për vazhdim të aktivitetit organizativ!
Heroi i Kombit Kadri Zeka ishte dhe mbetet përgjithmonë një nga lindjet e mëdha të Kombit, Ai ishte një jetë e madhe brenda jetës së tij historike dhe ishte një rënie e madhe jashtë Atdheut, e cila për radhët e organizuara atdhetare u shndërrua në detyrim të përhershëm dhe brezat që erdhën pas e dëshmuan katërcipërisht vazhdimësinë!
Udhëheqësi i madh Kadri Zeka, dëshmoi dhe dëshmon se përmasat e Tij nuk mund të maten vetëm me vitet që jetuan, as vetëm me jetën ilegale politiko-atdhetare që e organizuan dhe as me demonstratat e mëdha e të fuqishme që i udhëhoqi në Europë!
Pesha e madhe e veprimtarisë organizative ilegale politiko-patriotike e Udhëheqësit Kadri Zeka, qëndron te periudha historike që bashkë me shokë të tjerë udhëheqës dhe vazhdues të tyre e vunë në lëvizje, te vetëdija e lartë kombëtare që zgjuan dhe te drejtimi historik që i dhanë luftës për liri e çlirim të popullit shqiptar të Kosovës e të Viseve në ish-Jugosllavi!
Udhëheqësi Kadri Zeka i përket përmasës titanike, sepse jeta e Tij i dha përmbajtje e formë luftës për liri e të armatosur çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, ndërsa emrit të Tij të madh e të pavdekshëm i dha vazhdimësi historia e lavdishme e popullit, Atdheut dhe Kombit tonë!
Në personalitetin e Udhëheqësit Kadri Zeka, u bashkuan mendimi i kthjellët dhe i drejtë politik kombëtar, vendosmëria e veprimtarit të hekurt ilegal dhe ndjeshmëria e thellë ndaj fatit të çdo shqiptari të robëruar kudo nëpër ish-Jugosllavi!
Ai e kuptonte se një popull i ndarë me kufij, i shtypur me dhunë dhe i përjashtuar nga vendimmarrja për fatin e vet, duhej ta ndërtonte me vetëdije të lartë forcën e organizimit të tij politik progresiv dhe koheziv kombëtar!
Veprimtaria e Udhëheqësit Kadri Zekës kishte brenda vetes diçka më të madhe se kundërshtimin e pushtuesit jugosllavo-serb, kishte konceptimin e të ardhmes së lirë, përgatitjen e subjektit politik ilegal shqiptar dhe bindjen se liria bëhet e realizueshme kur ndërgjegjja kombëtare shndërrohet në forcë të organizuar politiko-ushtarake, sikur edhe u bë kur erdhi në jetë e famshmja UÇK-ja e lindur nga LPK-ja!
Udhëheqësi Kadri Zeka, ishte dhe mbetet simboli i ilegalit të kalitur jo vetëm në Kosovë e ish-Jugosllavi por edhe në Europë, që në disiplinën e heshtjes dhe në përgjegjësinë e fjalës së dhënë dhe të veprimit aktiv organizativ konspirativ, ishte njëri prej anëtarëve më të spikatur të Komitetit Drejtues të GMLK-së dhe njëri prej drejtuesve më të vendosur të organizimit çlirimtar të daljes së Kosovës dhe Viseve nga zgjedha jugosllavo-serbe!
Në kushtet kur veprimtaria atdhetare përndiqej, kur mendimi politik shqiptar mbahej nën mbikëqyrje permanente nga UDB-a dhe kur organizimi kombëtar paguhej me burg të rëndë e me jetë, Ai mori mbi vete barrën e rëndë të një angazhimi që kërkonte guxim, pjekuri dhe besnikëri i vitalitet të pathyeshëm!
Ilegaliteti brenda e jashtë në Europë, ishte një shkollë e rëndë e përgjegjësisë së madhe historike, themelet e së cilës i hodhi me shumë sukses Udhëheqësi Kadri Zeka!
Udhëheqësi i madh Kadri Zeka ishte aty ku fjala duhej peshuar, ishte aty ku besimi duhej të ishte i merituar dhe ishte aty ku çdo veprim duhej të ishte menduar mirë e deri në detaje, në raport me fatin e shokëve, të organizatës dhe të çështjes kombëtare shqiptare!
Në atë botë të rrezikut të përhershëm, Udhëheqësi Kadri Zeka u formua dhe u ngrit si personalitet që dinte ta bashkonte guximin me maturinë dhe vendosmërinë me largpamësinë e shqiptarit që kishte nisur përfundimisht krijimin e rrethanave përfundimtare të daljes së Kosovës nga tutela jugosllave!
Në themelet e lëvizjeve të mëvonshme çlirimtare shqiptare, që erdhën pas vrasjes së Udhëheqësit Kadri Zeka qëndron kjo vlerë e madhe e trashëgimisë dhe puna e padukshme e atyre që e vazhduan rrugën e Tij, që përgatitën vetëdijen e vazhdueshme, krijuan lidhjet, ruajtën vazhdimësinë dhe mbajtën gjallë idenë se populli shqiptar i Kosovës dhe Viseve të robëruara në ish-Jugosllavi, kishte të drejtë të vendoste vetë për të ardhmen e tij!
Veprimtaria politiko-atdhetare e Udhëheqësit Kadri Zeka dëshmon se themelet e luftës për liri e çlirim u hodhën edhe në dhomat e fshehta të mbledhjeve ilegale brenda e jashtë Kosovës në Kontinentin e Europës dhe kontinentet tjera por edhe në shpërndarjen e shtypit ilegal atdhetar, në bisedat që kanë zgjuar ndërgjegjen, në burgjet ku sprovohej qëndresa e çeliktë sikur është rasti i çelikut të qëndresës, Heroit të Kombit Rexhep Malaj dhe në mërgimin ku edhe dhimbja për vendlindjen merrte formën e veprimit aktiv e progresiv politik kombëtar!
Në atë strukturë të arkitekturës aktive historike të veprimit organizativ ilegal dhe të qëndresës heroike kombëtare, Udhëheqësi Kadri Zeka zë një vend të madh e të patjetërsueshëm në ballin e luftës për liri e çlirim të Kosovës nga Serbia pushtuese!
Udhëheqësi Kadri Zeka, organizatori i madh i talentuar dhe tribuni legjendar i demonstratave e i tubimeve të mëdha të punëtorëve dhe mërgimtarëve shqiptarë, e shndërroi mërgimin në hapësirë të rëndësishme shqiptare dhe të përpjekjes absolute për liri e çlirim të popullit shqiptar në ish-Jugosllavi!
Udhëheqësi Kadri Zeka me fakte dhe argumente bindëse dëshmoi se arriti ta njihte fuqinë që mbante brenda vetes mërgimtari shqiptar!
Udhëheqësi Kadri Zeka dëshmoi se si asnjë tjetër para Tij, e vendosi në kuadër të veprimit organizativ të Lëvizjes në Europë, dhimbjen e largimit nga familja të mërgimtarit shqiptar, mallin për prindërit e shtëpinë, barrën e mbajtjes së familjes dhe plagën e hapur të Atdheut të robëruar!
Udhëheqësi Kadri Zeka, arriti gjithçka të ngriste në nivelin e ndërgjegjes politike, të solidaritetit të organizuar dhe të përgjegjësisë kombëtare shqiptare në Kosovë dhe në Europë!
Përmes angazhimit të madh e të gjithanshëm, koncepti që mbolli Udhëheqësi Kadri Zeka në mërgim, dashuria për vendlindjen fitoi drejtimin e duhur historik dhe në kohën e luftës së UÇK-së shpërtheu me pjesëmarrje masive në radhët e saj dhe me përkrahje të madhe të Kosovës dhe luftës së saj kundër Serbisë pushtuese!
Dashuria e mërgimtarit ndaj vatrës së të parëve dhe shtëpisë së lënë në Kosovë u bë lidhje e fortë me fatin e popullit të robëruar, të cilën Udhëheqësi Kadri Zeka e ushqeu dhe e mirëmbajti në kontinuitet dhe mbeti nga ana e Tij amanet për përparim e çlirim të Kosovës nga Jugosllavia pushtuese!
Ishte arritje e Udhëheqësit Kadri Zeka ku malli larg Atdheut shndërrohej në angazhim për çështjen kombëtare, ndërsa mallin e largësisë gjeografike me Atdheun, me porosinë e Udhëheqësit e zëvendësonin me urrejtje ndaj pushtuesit!
Këtu qëndron njëra prej madhështive të veprës së tij, sepse Kadri Zeka ndihmoi që shqiptari nga mërgimi ta shihte veten si pjesëmarrës aktiv në historinë e Atdheut, si bartës i një detyrimi që nuk përfundonte te pragu i shtëpisë së vet dhe as te vendi ku jetonte e punonte në mërgim!
Atëherë kur regjimi jugosllav shtypte me dhunë kërkesat shqiptare, kur demonstruesit përballeshin me polici e me ushtri dhe kur burgosja kërcënonte çdo përpjekje për organizim, Udhëheqësi Kadri Zeka e ngrinte fuqishëm zërin në sheshet dhe rrugët e Perëndimit!
Udhëheqësi Kadri Zeka e prezantoi me profesionalizëm prej atdhetari të shquar e patrioti të madh, përpara opinionit ndërkombëtar të vërtetën e popullit shqiptar që kërkonte të drejtat legjitime që i takonin!
Fliste me përgjegjësinë e njeriut që e dinte se pas zërit të Tij të fuqishëm, qëndronin shokët e organizuar, familje atdhetare të përndjekura, të rinj të burgosur, punëtorë të diskriminuar dhe një popull, e ardhmja e të cilit mbahej peng nga sundimi titist!
Prandaj, në vlerësimin e veprës së tij, Kadri Zeka mund të shihet jo vetëm si atdhetar e patriot, por edhe si një kryediplomat i madh i përpjekjes ilegale shqiptare, një përfaqësues pa seli shtetërore, pasi Kosova jo vetëm nuk ishte Republikë dhe shtet, por me legjitimitetin moral të çështjes së lirisë, një zë që gjëmonte e jehonte fuqishëm pa mbrojtjen e institucioneve të një shteti të vetin, por me përgjegjësinë e përfaqësimit të një populli të robëruar e të pushtuar nga një sundues shekullor sikur ishte Serbia pushtuese dhe umbrella e saj Jugosllavia titiste!
Udhëheqësi Kadri Zeka, autoritetin e ndërtonte me qëndrueshmërinë e bindjeve të Tij, me fuqinë e argumentit dhe me gatishmërinë për ta përballuar vetë rrezikun e fjalës që shqiptonte në mbrojtjen e popullit shqiptar!
Në këtë kuptim, veprimtaria e tij atdhetare, politiko-patriotike, bart një domethënie të veçantë për historinë e përfaqësimit politik shqiptar në Europë dhe kudo nëpër botë!
Udhëheqësi Kadri Zeka i dha zë Kosovës nga zëri i Tij i fuqishëm, që kërkonte të dëgjohej dhe asaj shqiptarie që kërkonte të njihej si bartëse e të drejtave të patjetërsueshme kombëtare!
Të gjithë përfaqësuesit diplomatikë shqiptarë të Kosovës por edhe të Shqipërisë, kanë obligim dhe arsye të thella për ta njohur dhe për ta nderuar këtë trashëgimi të madhe të Udhëheqësit Kadri Zeka!
Në kabinetet e tyre të përfaqësive diplomatike, portreti i Heroit të Kombit Kadri Zeka do të ishte një nderim i fuqishëm për çmimin historik të përfaqësimit shqiptar dhe për përgjegjësinë që buron prej Tij!
Roli i tij në organizimin e diasporës shqiptare përbën një nga kapitujt më të rëndësishëm të aktivitetit të madh atdhetar të Udhëheqësit Kadri Zeka, i cili punoi për afrimin e njerëzve, për kapërcimin e përçarjeve dhe për bashkimin e energjive shqiptare rreth çështjes shqiptare të Kosovës dhe të shqiptarëve në ish-Jugosllavi!
Ai e kuptonte se bashkimi kombëtar kërkon një kulturë të thellë përgjegjësie, aftësinë për ta vendosur interesin e përbashkët mbi atë personal, për ta ruajtur besimin mes veprimtarëve dhe për ta vlerësuar kontributin sipas shërbimit që i bënte luftës për liri!
Udhëheqësi Kadri Zeka figura qendrore e bashkimit politik ilegal të popullit shqiptar të Kosovës dhe viseve të saja!
Udhëheqësi Kadri Zeka, parashikonte saktë se një komb fiton fuqi historike kur bijtë e tij mësojnë t’i bashkojnë aftësitë, sakrificat dhe shpresat në një drejtim të përbashkët!
Kadri Zeka punoi pikërisht për këtë fuqi!
Atentati i 17 janarit 1982 në Untergruppenbach të Gjermanisë, ku u vranë Kadri Zeka dhe vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, mbetet një plagë e thellë në memorien kombëtare shqiptare!
Ajo mbrëmje e rëndë ndërpreu tri jetë të çmuara udhëheqësish e drejtuesish, por edhe goditi rëndë përpjekjen e organizuar shqiptare në mërgim për bashkim!
Dhimbja e asaj vrasje tronditëse përfshiu radhët e organizuara ilegale, familjet e tyre, shokët, bashkëveprimtarët dhe të gjithë ata që te puna e tyre shihnin shpresën e një të ardhmeje tjetër për popullin, Atdheun dhe Kombin!
Rënia e Tij u bë thirrje e përhershme për vazhdimësi të rrugës së Tij!
Brezat që erdhën pas e gjetën në jetën dhe veprën e Tij dëshminë se çështja e lirisë kërkon përkushtim të plotë dhe se aktiviteti permanent merr kuptim historik kur shndërrohet në angazhim të vetëdijshëm të të gjallëve!
Në rrjedhën e organizimit politik ilegal e çlirimtar shqiptar në Kosovë e Vise, në veprimtarinë e LPK-së dhe në përpjekjet organizative aktive që çuan drejt luftës çlirimtare, jetoi edhe trashëgimia e brezit të të pavdekshmëve të mëdhenj, brez të cilit Udhëheqësi Kadri Zeka i dha mendimin, guximin, jetën dhe gjakun e Tij!
Ushtria Çlirimtare e Kosovës u ngrit mbi një truall të përgatitur nga dekada qëndrese, organizimi dhe sakrifice sublime, në të cilën Heroi i Kombit Kadri Zeka ka vend qendror!
Udhëheqësi Kadri Zeka mbetet masa më e lartë morale e përkushtimit kombëtar!
Udhëheqësi Kadri Zeka mbetet ndër projektuesit e parë të mëdhenj të së ardhmes së lirë të Atdheut, sepse e mendoi lirinë si horizont politik, e përgatiti si detyrë organizative dhe e jetoi si përkushtim të pandashëm nga vetë qenia e tij!
Në memorien e Kombit, Ai qëndron dhe është një nga mendjet që projektoi, organizoi dhe kundërshtoi robërinë e Kosovës dhe Viseve, të Jugosllavisë pushtuese!
Ismet Sylejmani,
Prishtinë, 18 Tetor 2026





