Derbi i javës së njëmbëdhjetë i Albi Mall Superligës së Kosovës në Futboll ndërmjet Prishtinës dhe Dritës po zhvillohet në Kampin Nacional në Hajvali dhe pas pjesës së parë, Drita është në epërsi me rezultat 1:0 me golin që e ka shënuar Blerim Krasniqi në minutën 37.
Ndeshja nisi e hapur nga të dy palët dhe që në minutën e tretë Fazlija qëlloi shtyllën e majtë të Malokut dhe topi shkoi jashtë. Në minutën 20 rrezikuan Blerim Krasniqi e Jashari të Dritës, por gjuajtja e këtij të fundit shkoi mbi portë e në minutën 30 Saletiq harkoi për Selmanin, por gjuajtja e tij me kokë shkoi jashtë portës.
Drita po bënte trysni në fushë, duke qenë më këmbëngulëse dhe si rezultat fitoi një goditje nga këndi. Krejt kjo po ndodhte në minutën 37 e pas harkimit nga këndi të Besnik Krasniqit, në brendi me kokë më së larti kërceu Blerim Krasniqi, i cili qëlloi me kokë dhe dërgoi topin skaj pingules së majtë të portës së Iliazit, duke e sjellë në epërsi ekipin e Dritës 1:0. Më pas Drita pati edhe një rast të mirë, kur Nguena vodhi një top, gjuajti furishëm, por goditja e tij ishte shumë qendrore. /kryelajmi.com/.





