Trashëgimi

UTA IBRAHIMI SJELL NJË DHURATË TË ÇMUAR PËR MUZEUN E QYTETIT TË SAJ

Alpinistja e parë shqiptare që pushtoi majat e botës, Himalajet, gjilanasja Uta Ibrahimi, i bëri një vizitë Muzeut të Gjilanit, qytetit të saj të lindjes, bashkë me një pjesë të familjarëve të saj.
Ajo u prit nga zyrtarë të QRTK të Gjilanit, ku nga Përgjegjësja për Muzeun, znj. Gjylshen Berisha, u njoh me punën dhe veprimtarinë e këtij institucioni, i cili së shpejti shënon njëvjetorin e themelimit si dhe i pa së afërmi një pjesë të artefakteve të ekspozuara, si pjesë të gjetjeve arkeologjike në krahinën e Anamoravës, po, edhe eksponate tjera nga numizmatika dhe fusha e etnologjisë.
Alpinistja e cila ka ecur nëpër majat më të larta të botës nëpër shumë shtete ,u entuziazmua nga kjo pjesë e trashëgimisë sonë, që nga antikiteti e deri në ditët tona.
Si shenjë falënderimi dhe mirënjohje për punën e këtij institucioni, ajo i dhuroi Muzeut të Gjilanit, njërën nga mbajtëset e saj me të cilat është ngjitur deri në majat e Everestit në Himalaje, duke premtuar se do përpiqet për ta ndihmuar e pasuruar edhe me eksponate të tjera Muzeun e qytetit të saj.

Sabit Rrustemi
Zyrtar për promovim në QRKT të Gjilanit

You Might Also Like