Futboll

Drita e Prishtina ndahen në paqe

Kryendeshja e kësaj xhiroje, ballafaqimi ndërmjet Dritës dhe Prishtinës, i luajtur këtë të mërkurë në Gjilan ka përfunduar pa fitues, me rezultat të bardhë 0:0. Prishtina që ka luajtur kujdesshëm, që në nismë ka bërë me dije se do të ishte e kënaqur me arkëtimin e një pike, derisa kujdesshëm luante edhe Drita, që kërkonte më shumë se një pikë.

Në pjesën e parë, Drita e hendikepuar pa dy lojtarë me mbiemër të njëjtë, Shabani, ka marrë mbizotërimin në fushë dhe ka patur disa raste të mira shënimi, derisa Prishtina më shumë është mbrojtur. Në minutën 28, Rexha pati një rast ideal nga afërsia, por portieri mysafir Bekaj, ia doli që të ndalë topin mu te vija e portës. Pjesëloja e parë ka mundur të mbyllet me epërsi të Dritës, por pas gjuajtjes së Rexhës dhe Intervenimit jo të sigurt të Bekajt, Fazliu gjuajti në portën e zbraztë, por duke mos mundur t’a qëllojë atë.

Në pjesëlojën e dytë, mysafirët luajtën më mirë e Drita u mbrojt. Me gjithë këtë, Drita pati një rast të mirë shënimi, por qendërsulmuesi Rexha për pak u vonua. Në fund doli që të dy ekipet të jenë të kënaqura me barazim.

You Might Also Like