Shkruan: Fehmi SYLEJMANI
Arsimi luan një rol të rëndësishëm në jetën e njeriut. Integriteti i një shoqërie është rezultat i drejtpërdrejtë i një sistemi arsimor cilësor.
Zhvillimi i gjithanshëm i individit dhe aftësimi i tij si qytetar bëhet kryesisht në shkollë, ndaj arsimi duhet konsideruar si prioritet parësor i çdo qeverie dhe në këtë rrafsh duhet listuar cilat janë elementet kryesore që e ngritin cilësinë në arsimin.
Pa dyshim se ka shumë faktorë që janë tejet të rëndësishëm për ngritjen e cilësisë, mirëpo elementi material gjithsesi se është ndër ta, teksa në Kosovë edhe më tej pozita e mësimdhënësit në aspektin material lë për të dëshiruar, ndonëse ka edhe segmente tjera që nuk janë në pozita të mira materiale, e shumë me keq se krejt këta është sektori privat. Duke ju referuar një shkrimi të botuar në portalin ditor (http://orainfo.net/keto-jane-10-vendet-qe-paguajne-me-shume-mesuesit/), ku janë paraqitur dhjetë vendet evropiane që më së shumti i vlerësojnë mësuesit e tyre, pra në aspektin financiar është lehtë të konstatohet se një mësues në Kosovë paguhet 20 herë më pak se në Luksemburg, 11 herë më pak se kolegët e tyre në Zvicër e 9 herë më pak se ata në Gjermani. Për të mos krahasuar secilin shtet, në këtë material po krahasojmë vetëm pagat e tri shteteve që më së shumti i paguajnë mësimdhënësit.
Në Luksemburg –paga vjetore e një mësuesi është 79 mijë dollarë. Për ata me përvojë shkon deri në 137 mijë dollarë, po që se kjo vlerë konvertohet në euro, kjo i bien që një mësues në Luksemburg për një vit i merr 111 mijë e 929 euro, përkatësisht 9 mijë e 327 euro pagë mujore, teksa në Kosovë një mësues mesatarisht merr 450 euro në muaj, apo 5400 euro në vit. Në bazë të kësaj shifre del se në Kosovë 20 herë më pak paguhet një mësimdhënës, se sa ai i Luksemburgut,
Në shtetin e njohur helvetik, në Zvicër , një mësues merr 69,865 dollarë. Në euro për një vit 57 mijë e 79 euro, apo pagë mujore në lartësi prej 4 mijë 756 euro e 64 cent, pra 11 herë më shumë së në Kosovë.
Në vendin e tretë është njëri ndër shtete më të forta në Evropë, Gjermani e cila në asnjë mënyrë nuk e nënçmon profesionin e mësimdhënësit, përkundrazi e stimulon
me mjetë materiale në lartësi të theksuar. Pra në Gjermani një mësues për një vit merr 50 mijë e 316 euro e 16 centi, apo pagë mujore prej 4 mijë e 193 euro e 18 centi, që i bien 9 herë më shumë se një mësues i Kosovës.
Pagat e mësimdhënësve të Kosovës llogariten edhe si pagë më të ulëta në rajon, ndërsa po ta kthejmë kokën nga pozitat e larta të udhëheqësve kosovar del se paga e kryeministrit është më e larta në rajon e më gjerë, si kundër edhe e disa krerëve të tjerë. Ndërkohë që Sindikata e Arsimit me vetë heshtjen dhe mos veprimin e saj për t’ju dalë në ndihmë mësimdhënësve kosovar, duke mos këmbëngul për rritjen e pagave, por bën zhurmë në mënyrë kozmetike, nënkupton qartë se edhe kjo sindikatë është e ndikuar dhe e kapur nga pushteti aktual.
Pa dashje për të anatemuar asnjë sektor, profesion apo post, paga më ideale e një mësimdhënësi në Kosovë do të duhet të sillej 70 – 80 për qind e pagës së një ministri, deputeti, gjykatësi apo prokurori.
(Autori është mësimdhënës i Matematikës dhe trajner i licencuar i disa programeve arsimore)
Më poshtë janë listuar dhjetë vendet kryesore që më së shumti i çmojnë mësimdhënësit e tyre
10 – Kanada – Paga vjetore për mësuesit është 39,179 dollarë.
9 – Holanda – Paga vjetore për mësuesit është 39,205 dollarë.
8 – Australia – Paga vjetore për mësuesit është 40,874 dollarë.
7 – Spanjë – Paga vjetore për mësuesit është 42,002 dollarë.
6 – SHBA – Paga vjetore për mësuesit është 43,678 dollarë.
5 – Danimarka – Paga vjetore për mësuesit është 46,914 dollarë.
4 – Norvegjia – Paga vjetore për mësuesit është 47,445 dollarë.
3 – Gjermania – Paga vjetore për mësuesit 61,589 dollarë.
2 – Zvicra – Paga vjetore e mësuesve në këtë vend është 69,865 dollarë.
1- Luksemburg – Paga vjetore e një mësuesi është 79 mijë dollarë. Për ata me përvojë shkon deri në 137 mijë dollarë.