OPINION

“Lloçi”, “vadat” dhe rrugët e nxira të Lutfi Hazirit

 

 Shefik Surdulli /këshilltar komunal nga PDK Gjilan/

Gjilan, 13 shtator / Është mandati i dytë i qeverisjes së LDK-së me Lutfi Hazirin në krye të Gjilanit, me retorikë të njejtë, me fjalë e kopalla të mëdha, e me punët viran.

Edhe ato pak projekte që po realizohen, shumica syresh të qeverisjes së kaluar të PDK-së, të pakta janë nga to, për të mos thënë asnjë, që mund të marrin notë kaluese edhe për nga cilësia.

Në të gjitha segmentet e qeverisjes pothuajse është e njejta stërkeqje.

Sllogani “Punët e hajrit”, që tashmë është shndërruar edhe në batutë nga gjilanasit, në asnjë mënyre nuk përkon me realitetin e krijuar tash e pesë vite nga pushteti i Lutfi Hazirit. Marifetin e këtij sllogani, qytetari i Gjilanit, pa hyrë më thellë në shërbimet e administratës komunale, e sheh kudo kah shkelë këmba e tij e kah i sheh syri: nëpër rrugët e asfaltuara; në shkolla; sokaqeve e rrugicave të lagjeve periferike, po edhe në qytet, e kah jo!

Nuk ka rrugë të asfaltuar që e ka zënë mot-moti pa u plasaritur, madje shumë syresh s’e kanë pritur as muajin.

Para tri ditësh kalova nëpër rrugën e asfaltuar të Kosaqës, të cilën para dy muajsh pushteti e promovoi me pompozitet, e që përgjatë një pjesë të madhe të saj, ishte plasaritur dhe shkapërderdhur.

Poashtu vitin e kaluar, siç e kam paraqitur edhe më parë, asfaltimin e rrugicave të fshatit Verbicë, nuk e kisht zënë as muaji pa të qara ku edhe dora mund të hynte shlirë, pothuajse në 50% të trupit të saj, të cilën pastaj përgjegjësit janë munduar ta maskojnë me katran.

Ditë më parë, një qytetar i lagjës “Porodin” në afërsi të lagjes “Dheu i Bardhë “, lagje kjo me mungesë të tërë infrastrukturës së nevojshme për jëtë normale, publikoi në rrjetet sociale rrugën e degraduar nga punimet e kryera të ujësjellësit, që qytetarët pastaj janë detyruar të kalojnë nëpër livadhe, si rrugë alternative.

Ndërkaq, për tu tmerruar edhe më tepër për nivelin e lartë të papërgjegjësisë së qeverisjes komunale, është rasti i djeshëm i publikimit në media i rënies së plafonit në shkollën fillore të fshatit Uglarë, pak ditë pas përfundimit të punimeve, që fatmirësisht nxënësit kanë shpëtuar pa lendime fizike, ndërsa jo pa trauma.

“Lloçin” e “vadat”, Lutfi Haziri nuk po i heq por vetëm po i maskon ato. Rrugët veç po i nxinë me asfalt, sa për t’marrë duartrokitje e lavde deri n’qiell, nga nevojlitë e shkretë, me taksën e të cilëve kryetari Haziri po abuzon.

Çfarë të themi tjetër, veçse qysh pe shihni edhe vet!

 

You Might Also Like