Gjilan, 31 maj 2019 – Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ia ka dorëzuar detyrën Olti Suliqit, i cili së bashku me ekipin e tij do ta ushtrojnë këtë funksion për dy ditë.
“Sot është moment i veçantë pasi do të ushtrohet detyra e kryetarit dhe pozitave të tjera nga ana e fëmijëve të zgjedhur për dy ditë në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve. Fëmijët e të gjitha komuniteteve do të udhëheqin dhjetëra aktivitete sot dhe nesër dhe në fund do të zgjedhim projektin për financim. Urime kryetarit Olti Suliqit, i cili, do ushtroj detyrën e kryetarit dhe ekipit të tij”, ka thënë Haziri.
Kreu i Gjilanit ka uruar që çdo fëmijë i Kosovës dhe i botës që të gëzojë të drejtat e barabarta, të trajtohen dhe të mbështeten në familje, shkollë dhe komunitet.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit dhe ekipi i tij gjatë ditës do të vizitojnë Policinë e Kosovës, do të vendosin një pano para teatrit të qytetit, do të vizitojnë repartin e Pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm, për të përfunduar me vizitën në çerdhen e fëmijëve “Poema”.
Përbërja e fëmijëve që do t’i ushtrojnë detyrat në ekzekutiv është si vijon:
Olti Suliqi – Ushtrues detyre i kryetarit
Andi Daku – Ushtrues detyre si nënkryetarit të Komunës
Kanina Mehmeti – Ushtrues detyre e kryesueses së Kuvendit
Melisa Jakupi – Ushtrues detyre e shefit të Kabinetit të Kryetarit
Fjolla Murati – Ushtrues detyre e asistentet së Kryetarit të Komunës