/E nxitur nga shkrimi i sapo lexuar, Haziri :Gjilani po vazhdon të vuaj traumën e “Palermos”/ https://kk.rks-gov.net/gjilan/news/haziri-gjilani-po-vazhdon-ta-vuaj-traumen-e-palermos/
Nga: Bahrije Mahmuti Beqiri, arkitekte
Gjilani dhe qytetarët e saj sikur janë mësuar e kalitur më shumë nga vuajtjet që ia keni shkaktuar pikërisht ju dhe qeverisja juaj!
Me këtë krekosje tuajën më nxore nga konteksti i kritikës profesionale e cila është shumë e bujshme dhe me argumente konkrete përgjatë gjithë historikut të qeverisjes suaj ndaj zhvillimeve urbane!
Por kësaj here kritikën time po e drejtojë në kontekst jo të asaj profesionales po të asaj njerëzores!
Çuditërisht e paske theksuar “epilogun” e 30 zyrtarëve të larguar! E unë e them se njeriu kur udhëhiqet nga ndjenja dhe logjika e një injoranti do të përfundon i injoruar dhe i mjeruar!
Unë sot dua të flas vetëm për tre zyrtarë-kolegë nga të 30-tët ( pasi këtu kam dhe familjarë dhe mund të dalë subjektive), edhe pse thuajse për të gjithë ndaj një mendim vlerësues si kolegë të përgjegjshëm në punën dhe bashkëpunues ndër vite.
Po, sot publikisht e them se të tretë janë maja apo kupola e krenarisë profesionale e komunës, e sot me nxite ta bëj publike (edhe pse po ndihem e vonuar në këtë aspekt).
Selvije Mustafa Shefkiu, është një zyrtare me krejt virtytet e kompletuara, si të njerëzores po ashtu edhe të profesionales. Ishte nderë dhe kënaqësi ta filloj karrierën time profesionale në një rrugëtim të përbashkët me të. E di se rezonimi i saj profesional ka atakuar idetë e juaja të mbrapshta e të cilat reflektuan katrahurën urbane, e për të cilën ju u këshilluat nga ajo qysh në fillim të mandatit. E këshilla e saj ju kthye si shpërblim nga ana juaj për ta listuar në skenarin tuaj!
Ju veçse e keni fuqizuar figurën e sajë përballë raportit zyrtar-qytetar, si një femër e ndërtuar intelektualisht e profesionalisht nga një platformë ku bazën e ka në fuqi edukative e arsimore e të kultivuar dhe të reflektuar ndër gjenerata. Veprimi juaj për ta degraduar, besoj shumë se, do t’iu kthehet me një argument të fuqishëm e do të jetë në përputhje me vlerat e saj njerëzore e ligjore!
Agim Hoxha, shembull i një njeriu me virtyte të kompletuara e kultivuara familjarisht dhe me një bazë po ashtu të fortë edukative arsimore e profesionale. I përgjegjshëm në çdo angazhim për të mirën e përgjithshme publike!
Drita Bajrami Kajtazi po ashtu një zyrtare e përgjegjshme e përkushtuar dhe e saktë në vizionin e saj profesional!
Komuna si institucion ka pas fatin të ketë brenda saj këta profesionistë që se kanë kursyer veten dhe dijen që të jenë në shërbim të saj edhe atëherë kur s’ka qenë domosdoshmëri. Shpeshherë shfrytëzimin e kohës së pushimeve e kanë ndërprerë kur ka qenë i nevojshëm shërbimi i tyre profesional ndaj qytetarit. Përherë ishin në shërbim të qytetarit, pa kompromis.
Këta janë, jo të vetmit, nga të 30-tit që kanë reflektuar profesionalizëm, por në shoqërinë tonë të udhëhequr nga soji injorant, llogari kërkohet nga ata më punëtorët, se ata të papunët e servilët ende
vazhdojnë të jenë zyrtarë, të cilët ende se dinë pse vijnë në punë, porse e dinë se paga u del edhe pa punuar, ose për të shërbyer si misionar tuaj, kur ju keni nevojë për ta.
Në shoqërinë tonë është krijuar një artikulim “S’dua t’jem avokat i personit në fjalë”, por unë iu them me përgjegjësinë morale, se për zyrtarët e lartpërmendur do të ndihesha krenare të perceptohem avokate, pasi kemi avokuar të njëjtin rezonim profesional.
Uroj të lexohemi e shihemi në kontekste te tjera profesionale!
Jo përherë Logjika Ligjore sillet vërdallë Ligësisë Politike!