Libri

Faton Bislimi  nxjerr një libër ku vë në pah shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët gjatë holokaustit

Një ndër periudhat më të errëta të historisë moderne të njerëzimit është Holokausti. Përpjekja sistematike Naziste për shfarosjen e popullit hebre la gjurmë të pashlyeshme jo vetëm për shkak të tragjedinë që bota përjetoi, por edhe për shkak të ngadhënjimit të idesë së lirisë dhe humanizmin përtej çfarëdo ideologjie, race, feje, etnie.
Nuk ka shembull më të mirë në botë sesa vetësakrifica, kurajë, trimëria, dhe bujaria shqiptare për shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit. Shqipëria është vendi i vetëm në botë që ka pasur më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa para saj. Secili hebre që ka arritur të futet në Shqipëri është shpëtuar. Kjo, falë edhe angazhimit vetëmohues të popullit shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë, e veçanërisht shqiptarëve të Kosovës. Pa përkrahjen dhe vetsakrificën e shqiptarëve të Kosovës, shumë hebrenj nuk do të arrinin assesi në Shqipëri.


Fatkeqësisht, regjimi komunist shqiptar ka mbajtur të fshehur këtë pjesë kaq të ndritshme të historisë sonë kombëtare, dhe vetëm në fillim të viteve të 1990-ta, ky rrëfim historik e fisnik bëhet publik pas vizitës së parë të zyrtarëve amerikanë – Kongresistëve Joe DioGuardi dhe Tom Lantos, në Shqipëri pas afro gjysmë shekulli të marrëdhënieve të ngrira në mes SHBA-ve e Shqipërisë.
“Me 27 Janar 2020, në Selinë e Kombeve të Bashkuara në New York, shënohet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, dhe unë ndihem jashtëzakonisht i nderuar që libri im i radhës, në versionin origjinal në anglisht, botuar në edicion ndërkombëtar këtu në SHBA, do të përurohet në kuadër të kësaj ngjarjeje historike në OKB. Rrëfimi unik për shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Holokaustit është mësimi më i mire dhe më domethënës që një popull fisnik, bujar, e paqedashës si shqiptarët, i ka dhënë botës”, ka thënë Faton Bislimi, autor i librit që ka shtuar se ne, që i mbijetuam shekujve të okupimit të huaj, e veçanërisht projektit gjenocidial shfarosës të Serbisë së Millosheviqit, u jemi mirënjohës përjetësisht të gjithë miqve që na ndihmuan për të arritur lirinë dhe pavarësinë tone. Ndihma e tyre nuk ka qenë e rastësishme e as e paarsyeshme. Ndihma që ne kemi marrë në fund të shekullit XX, mund të llogaritet edhe si përgjigje ndaj vetsakrificës që ne i kemi dhënë botës një gjysmë shekulli më herët.
Libri së shpejti do të mund të blihet në Amazon dhe në të gjithë libraritë kryesore në SHBA e Kanada si Barnes&Noble, Chapters, Indigo, etj.

You Might Also Like