Gjilan

Atmosferë festive në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” për Ditën e Flamurit

  

Shkruar nga: Donika Mehmeti dhe Tiara Haziri

Me rastin e festës së 28 Nëntorit, në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” u organizua një program festiv, për të cilin nxënësit ishin përgatitur shumë mirë nën përkujdesjen e profesoreshës së Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, Bukurije Aliu – Sylejmani.

Nxënësit janë kujdesur që ambienti i shkollës të ishte sa më festiv dhe i përshtatur me rëndësinë e kësaj dite, duke e dekoruar me flamuj, ngjyra kuq e zi dhe simbole kombëtare. Programi filloi me urimin e festës së 28 Nëntorit, të cilë të cilën në emër të drejtorisë së shkollës e bëri, zëvëndësdrejtori Agim Asllani, duke vazhduar më pas me recitimin e poezive të shkruara nga autorë të kohës së pavarësisë. Ata përmes vargjeve të tyre përcollën ndjenjat e dashurisë për atdheun dhe rëndësinë e kësaj feste.

Më pas programi vazhdoi me një kuiz në platformën Kahoot, i cili përfshinte pyetje nga historia, gjuha shqipe dhe arti, të gjitha të lidhura me festën e 28 Nëntorit. Ky aktivitet solli edhe më shumë gjallëri, pasi nxënësit patën mundësinë të testonin njohuritë e tyre në një mënyrë argëtuese dhe njëkohësisht edukative.

Në fund, festën e përmbyllëm duke shijuar ushqimet tradicionale të vendit tonë, të cilat i dhanë programit edhe më shumë ngrohtësi dhe atmosferë festive. Nuk mungoi as muzika, e cila zgjonte ndjeshmërinë artistike të nxënësve dhe u bë një pikë bashkimi për të gjithë shkollën.

Në përgjithësi, kjo ditë ishte një përvojë e bukur për të gjithë ne, pasi përmes aktiviteteve të ndryshme arritëm ta festonim së bashku një nga datat më të rëndësishme për kombin tonë.

Të gjithë nxënësit meritojnë lëvdata për programin e realizuar, kurse ata kishin mbështetjen edhe të profesorëve të tyre, Bukurije Sylejmani – Aliu, Magbule Xhemaili, Kaltrina Jetishi dhe profesorëve të tjerë.

Gëzuar 28 Nëntorin!

You Might Also Like