Në 33-vjetorin e tragjedisë së Ohrit, Kryetari i Komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti, mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit kushtuar kësaj ngjarjeje tragjike, duke nderuar kujtimin e viktimave që humbën jetën në atë ditë të rëndë. Në këtë përkujtim solemn, me dhimbje dhe respekt të thellë u kujtuan të gjithë të rënët, bashkëqytetarët tanë nga Vitia, si dhe viktimat nga të gjitha viset shqiptare. Tridhjetë e tri vite më pas, dhimbja e familjeve mbetet e gjallë, ndërsa kujtimi për të pafajshmit që humbën jetën vazhdon të jetë pjesë e ndërgjegjes sonë kolektive. Ata nuk janë vetëm emra në faqet e historisë, por jetë të ndërprera, ëndrra të parealizuara dhe plagë që koha nuk mund t’i fshijë. Përkujtimi i kësaj tragjedie është obligim njerëzor dhe moral. Dokumentimi dhe përcjellja e së vërtetës te brezat e rinj janë mënyra më e mirë që kjo ngjarje të mos harrohet kurrë. Lavdi dhe nderim i përjetshëm për të gjitha viktimat e tragjedisë së Ohrit! Ngushëllimet më të sinqerta për familjet që edhe sot jetojnë me dhimbjen e humbjes. Kujtimi i tyre qoftë i përjetshëm! Aziz Zuka

