Futboll

Drita synon ta shfrytëzojë momentin e mirë për të fituar tri pikë

Pasi fitoi derbin e madh ndaj Gjilanit, Drita udhëton në Vushtrri ku synon të bëjë hapin e ardhshëm drejt sigurimit të daljes në Evropë. Ndeshja Vushtrria – Drita e hap xhiron e 19-të të Superligës së Kosovës në futboll, shkruan Gazetasheshi.com.

Njëri ndër sulmuesit më të mirë në vend vitet e fundit, i cili është rikthyer sërish te Drita, Kastriot Rexha ka theksuar se bashkëlojtarët e tij duhet të kenë kujdes përpara kësaj sfide.

“Është ndeshje e rëndësishme për ne. Vushtrria nuk është në moment shumë të mirë, por ne duhet të jemi të kujdesshëm. Shpesh këto skuadra dinë të bëjnë probleme serioze, andaj do t’i qasemi ndeshjes me seriozitetin më të madh. Natyrisht, shpresojmë në fitore”, ka thënë sulmuesi i Dritës, Kastriot Rexha për “Koha Ditore”.

Drita është në moment të mirë pas fitores ndaj Gjilanit në derbin më të madh të futbollit kosovar. Momentin e mirë, Drita synon ta shfrytëzojë për të fituar tri pikë të reja dhe për të rritur kështu presionin te lideri, Ballkani.

/Gazeta Sheshi/

You Might Also Like