Gjilan

VV: PUNËT NË QENDËR TË QYTETIT TË NGATHËTA E JASHTË STANDARDEVE

Tashmë të gjithë qytetarët çdo ditë po e shohin se si realizohen projektet e rrugëve dhe zgjerimi i tyre në qytetit tonë. Projektet po ndryshohen pa përfillur procedura, duke i punuar në mënyra fragmentare. Kështu po ndodh me rrugën kryesore, herë duke i ndalur ato në krye të parkut, me arsyetimin se nuk duhet të dëmtohen bizneset e hapësirat e gjelbra e pastaj të gjitha këto “bien në ujë” dhe vazhdohet me zgjerimin e rrugës në qendër të qytetit, duke eliminuar drunjtë disa vjeçarë, në të cilët është investuar disa herë. Pra, një paqëndrueshmëri e madhe në realizimin e projekteve, me improvizime të çastit dhe pa aprovim edhe të projektuesit, ashtu siç është vepruar dhe vazhdohet të veprohet edhe me lumin “e shenjtë” Mirusha.
Këto ditë vere, qendra e qytetit duket në kaos nga ndërtimet, bëhen kanale mbulohen, pas pak kohe hapen përsëri, sillen gypa “mrizojnë” me ditë të tëra, prapë fillohet me punë për ndërrimin e gypave të ujësjellësit, por kuptohet vetëm në këtë pjesë të qendrës, pavarësisht se i gjithë rrjeti është tejet i vjetruar, madje ende me gypa azbesti, tashmë të nxjerrë jashtë përdorimit, nga të gjithë në rajon, si të dëmshëm e të pa përdorshëm.
Më kot u rregullua (në disa pjesë) Mirusha, vetëm disa ditë më parë, të gjithë qytetarët ishin dëshmitarë, se si rrugët u shndërruan në lumenj nga shirat dhe kjo nuk është hera e parë e as e fundit që po ndodhë kështu. Natyrisht, kështu do të ndodhë edhe në të ardhmen, nëse projektet nuk realizohen si duhet, ndërhyhet në to, apo nuk realizohen sipas projektit. Kështu po ndodhë edhe tash, kur po bëhen punime në qendër për ndërrimin e gypave të ujësjellësit, por edhe rregullimi i ujëmbledhësve të të reshurave atmosferike, ku punët nuk po kryhen sipas standardeve. Pra, në qendër, ku sipas pozicionit të terrenit rrjedha e ujërave qon në mënyrë natyrale, prandaj edhe absorbimi i tyre mund të bëhet vetëm përmes ujëmbledhësve, të cilët duhet të jenë të rregulluar sipas standardeve. Ndonëse në qytetit tonë pak rrugë janë që kanë kanalizim atmosferik dhe aty-këtu ndonjë ujëmbledhës, por që nuk pastrohen e mirëmbahen, pastaj ndodhë edhe të bllokohen. Si rrjedhojë e kësaj kemi vërshime të ujërave rrugëve.

Kështu sipas ekspertëve të kësaj fushe, ujëmbledhësit e ujërave atmosferikë duhet të duken kështu: shih fig. 1, por jo si në fig. 2, siç janë duke u ndërtuar në qendër të qytetit.

Ne i bëjmë thirrje kompetentëve, mbikëqyrësve të projekteve e posaçërisht ekzekutivit, që të realizojnë projektet sipas standardeve. Punët të realizohen siç duhet dhe të mos lihen të shkojnë dëm paratë e taksapaguesve-qytetarëve. Përndryshe askush s’do të mund t’i shmanget përgjegjësisë dhe pasojave.

You Might Also Like