Gentjan Mezani është rikthyer për t’i marrë sërish frenat e skuadrës së Gjilanit. Pas disa javë mungese për shkaqe familjare, ashtu siç kishin njoftuar zyrtarisht “kuqebardhët”, tekniku vlonjat është rikthyer më në fund me ekipin, raporton Gazetasheshi.com.
45- vjeçari ka drejtuar ekipin në seancën stërvitore të shtatë nëntorit të mbajtur në paraditen e së shtunës në fushën ndihmëse me bari sintetik në Gjilan.
Mezani është mirëpritur nga stafi drejtues i ekipit dhe skuadra, e cila duket e motivuar për të vijuar drejt objektivave pas rezultateve të fundit të marra, sidomos në ndeshjet në shtëpi.
Përveç Mezanit në seancën stërvitore janë parë edhe tre mbrojtësit e qendrës, Ylber Kastrati, Franc Veliu dhe Ivan Fustar, të cilët kanë vijuar normalisht stërvitjen me pjesën tjetër të grupit, pasi që ishin në proces të rikuperimit.
Shtyerja e ndeshjes ndaj Ballkanit, fillimisht për mesjavë, më pas edhe për më vonë për shkak të impenjimeve të disa nga futbollistët e dy skuadrave me ekipin U21 të Kosovës duket se do t’u bëjë hair “kuqebardhëve”, të cilët kanë më shumë se gjysmën e skuadrës në infermieri.