Bora që ka rënë gjatë tërë ditës ua ka vështirësuar së tepërmi punët futbollistëve të Dritës dhe të Llapit, të cilët kanë hapur xhiron e parë të pranverës. Dy ekipet, njëra e trimëruar pas fitores ndaj Ballkanit dhe Drita që u mposht nga Prishtina në Kupë, mirë e kanë nisur ndeshjes, duke krijuar shumë raste në fushën e mbushur me borë.
Në këtë gjendje më mirë është gjetur portieri shtatlartë i Llapit, kroati Qoriq, i cili me pritje bravuroze ka ndalë shumë gjuajtje të futbollistëve të Dritës.
Porta e tij ka ngelur e paprekur deri në minutën 74, kur pas një sulmi nga e djathta, topi ka ardhur deri te Astrit Fazliu, i cili nga një pozitë ballore ka gjuajtur në këndin e poshtëm të majtë të portës së Llapit, për rezultatin 1:0.
Llapi u mundua të reagojë duke e hapur lojën, por pa ia dalë që së paku të barazojë rezultatin. Me këtë fitore Drita mbanë pozitën e parë në Superligën e Kosovës në Futboll me tri pikë më shumë se sa Ballkani.