Gjilan

VV e Gjilanit shpërndau 250 libreza për anëtarë të rinj

Lëvizja Vetëvendosje, qendra në Gjilan, ka shpërndarë 250 libreza për anëtarë të rinj të saj, kurse njëkohësisht ka përmbyllur aktivitetet për këtë vit, në një takim ku i pranishëm ka qenë edhe kreu i subjektit, Visar Ymeri.

I pari i VV-së, ka thënë se dhuna, brutaliteti e sikleti i pushtetit nuk po mund të ndikojë te Vetëvendosje, e cila po rritet dhe e cila është e ardhmja e Kosovës. Sipas tij, u ushtrua brutalitet e dhunë ndaj VV-së, aktivistët e saj gjatë tërë vitit u përndoqën dhe për këtë regjimi është përgjegjës, kurse ka shtuar se duhet edhe më shumë punë në të ardhmen dhe secili aktivistë duhet t’a kuptojë se vetëm VV mund të bëjë ndryshime, andaj nuk ka kohë për të humbur e për hamendje, ngase regjimi është në rënie e VV në ngritje.

“E ardhmja është e jona e fundi është i tyre dhe VV nuk do të lejojë që pakica e pasur të sundojë shumicën e varfër”, ka thënë ndër të tjera Visar Ymeri, që ka uruar anëtarët e rinj që iu bashkëngjitën VV-së.

Besa Baftiu, deputete dhe kryetare e qendrës së VV-së në Gjilan, ka theksuar se i ka bashkuar VV që po rritet dhe që po shndërrohet në një familje të madhe.

“U ballafaquam me suksese e me sfida dhe vazhdimisht u protestua për dy vite, ngase nuk i pranuam marrëveshjet e dëmshme, andaj edhe radhët e gjata të këtyre ditëve në kufi janë pasojë e këtij pushteti, që po arrijnë marrëveshje të dëmshme për Kosovën”, ka thënë ndër të tjera Baftiu.

You Might Also Like