Futboll

Këto janë fushat ku ndër vite u luajt futbolli në Gjilan

Në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, shkallët e vjetra të Stadiumit janë rrënuar rrafsh për tokë, ndërkohë që rrënimi e pret edhe zhveshtoren, e cila ishte ndërtuar në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar, mbi themelet e një zhveshtoreje njëkatëshe.

Tashti kur punimet janë në vazhdim, dashamirët e futbollit me nostalgji do të kujtojnë kohën që kanë kaluar në stadiumin e vjetër, i cili për dekada me radhë ishte arenë e ndeshjeve të shumta.

Në Gjilan, më herët, futbolli ishte luajtur edhe në dy fusha të tjera para se të ndërtohej ky stadiumi në vendin e tashëm.

 

Foto e KF Drita (1947) që është bërë në fushën më të vjetër të qytetit

Lojtarë të gjeneratave të para dhe pasardhës të tyre, tregojnë se në Gjilan futboll ishte luajtur në vendin, ku sot gjendet gjykata në drejtim të sallës së kinemasë, një fushë me dimensione që edhe tashti i ka futbolli, e cila ka qenë funksionale deri në vitin 1948, kur për futbollistë ndërtohet një fushë e re në vendin që tashti gjendet përballë “Kualitetit”, fushë kjo që funksionoi deri më 1967, kohë kur në Gjilan u mbajtën Lojërat Sportive të Shkollarëve të Mesëm dhe kur në vendin e quajtur “Livadhet e Agush agallarëve” u ndërtua një fushë e re, ku tashti gjendet Stadiumi i Qytetit.

C. Zvezda (Ylli i kuq) foto e vitit 1962

Ky objekt sportiv është ndërtuar në vitin 1967 dhe dikur gëzonte epitetin për fushën më të mirë që krahasohej me fushat më me nam në ish-Jugosllavi. Stadiumi i qytetit kishte edhe fushën ndihmëse dhe objektin përcjellës me zhveshtoret, klasat për ligjërata teorike e taktike, restorantin dhe dhomat për fjetje. Në vitet 90-ta, nën okupimin serb fusha ndihmëse u zaptua për t’u ndërtuar aty një objekt afarist, kurse që nga atëherë nisi degradimi edhe fushës kryesore, e cila pas luftës nuk i përngjante fushës së dikurshme.

Stadiumi kishte vetëm shkallë betoni, pa asnjë ulëse, pa ndriçim për të përcjellë ndeshjet në mbrëmje dhe me kushte të mjerueshme për zyrtarët e klubeve dhe gazetarët që asnjëherë nuk u bënë rehat në ushtrimin e zejes së tyre nga ky “impiant” i futbollit.

Edhe në kushte të tilla, Stadiumi i Qytetit në Gjilan, ka qenë arenë e kryendeshjeve të mëdha, sidomos kur janë ndeshur Drita e Gjilani  dhe shpesh ka qenë i vogël për t’i pranuar të gjithë adhuruesit.

Foto nga ndeshjet kur kryendeshja luhej edhe në Livadhet e Malishevës
Foto nga ballafaqimi Drita – Gjilani në Stadiumin e Qytetit
Foto nga Stadiumi që po rindërtohet

Tashti, me rindërtimin e stadiumit, pritet që kushtet të përmirësohen për lojtarë, gazetarë, zyrtarë e shikues, por punimet po ecin shumë ngadalë dhe atyre nuk po u shihet fundi. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like